1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtyhet diskutimi i BE për Greqinë

19 Shkurt 2012

Greqia pret nga Brukseli shiringën financiare të radhës. Athina i ka miratuar masat e kërkuara të kursimit, por kjo nuk u mjfaton ministrave të financave të eruogrupit.

https://p.dw.com/p/143hm
Ministrat e financave të eurozonës shtyjnë takimin për Greqinë
Ministrat e financave të eurozonës shtyjnë takimin për GreqinëFotografi: dapd

Sërish kaloi një ultimatum, sërish ministrat e financave të eurozonës e shtynë shpëtimin e Greqisë. Qeveria në Athinë duhet të livronte deri të martën (14.02.) dhe vetë komisari i BE-së Olli Rehn ishte përpjekur edhe një herë të shpërndante një shkëndijë shprese, duke thënë dje se me gjasa eurozona do të jetë në gjendje për të vendosur mbi paketën e dytë të ndihmës për Greqinë.

Grekët nuk i kanë bërë detyrat  

Rreth katër orë pas kësaj fjalie ishte e qartë se nuk do të kishte vendim të shpejtë. Takimi i ministrave të financave anulohet. Ata do të konsultohen sot vetëm nëpërmjet telefonit. "Grekët nuk i kanë bërë ende të gjitha detyrat e shtëpisë", ky është mesazhi kthjellues i Jean-Claude Junckerit, shefit të eurogrupit. Në fakt, parlamenti në Athinë ka miratuar fundjavën e kaluar një paketë kursimi të dhimbshme, mirëpo duhet kursyer edhe më shumë, me gjithë protestat dhe trazirat në Greqi. Ministri gjerman i Ekonomisë Philipp Rösler thotë se kursi i kursimit nuk ka alternativë. "Vendimet e marra, sado të diskutueshme të jenë, sado të vështira qofshin në zbatim, kanë synimin të bëjnë të mundur rritjen ekonomike në Greqi, pikërisht për të mirën e njerëzve atje. Prandaj, vendimet kanë qenë të domosdoshme, por edhe më i domosdoshëm është zbatimi konkret. Vetëm vendimet parlamentare nuk mjaftojnë, po ato edhe duhen zbatuar pastaj."

Pikërisht në këtë pikë ministrat e financave nuk duan të lënë gjë në mëshirë të fatit. Ata kanë pritur prej përfaqësuesve të dy partive më të mëdha në Greqi një premtim detyrues me shkrim, se direktivat e programit të kursimit dp të respektohen edhe pas zgjedhjeve në prill. Përveç kësaj, ministri grek i Financave duhet të shpjegojë si planifikon të kursejë 325 milionë euro të tjera sivjet. Edhe në këtë çështje nuk ka ende një premtim detyrues. Dhe meqenëse qeveria në Athinë nuk i ka plotësuar ende direktivat e kursimit të eurogrupit, eurogrupi nuk do të flasë ende për paketën e dytë  të shpëtimit, e cila u duhet aq urgjentisht grekëve.

Antonis Samaras i Nea Demokratia dha sot premtim me shkrim
Antonis Samaras i Nea Demokratia dha sot premtim me shkrimFotografi: dapd

Kritikë ndaj diktatit të kursimit 

Ky diktat kursimi (para së gjithash nga Berlini) kritikohet ashpër prej deputetit evropian Daniel Cohn-Bendit. Të kursesh deri në vdekjen ekonomike, kjo është rruga e gabuar, mendon ai. "Tani duhet gjetur një plan për Greqinë, një Plan Marshall, një plan investimesh. Përndryshe nuk mund t'i jepet hov ekonomisë. Gjermanët duhet të pushojnë së qeni mendjemëdhenj duke u dhënë gjithnjë mend kombeve të tjera. Gradualisht kjo të ngre nervat."

Pastaj ka edhe një pikë të rëndësishme, që nuk e kanë në dorë as gjermanët as grekët apo vende të tjera të eurozonës. Synohet që bankat t'i falin Greqisë një pjesë të madhe të huave. Është fjala për 100 miliardë. Megjithatë, nuk është ende e qartë se sa kredidhënës privatë do të marrin pjesë në këtë projekt. Në fakt, ministrat e financave donin të krijonin të mërkurën (15.02.) parakushtet për këtë falje të pjesshme të huave. Ministrat planifikojnë të telefonojnë, por vendime nuk duhen pritur para së hënës (20.02.). Atëherë do të takohet eurogrupi në mbledhjen e tij të rregullt në Bruksel. Ose mbledhja shtyhet përsëri.

Autor: Leon Stebe/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi