1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtetëzimi i bankave - Hypo Real Estate si një precedent për shtetëzime të tjera?

Bernd Gräßler19 Shkurt 2009

Në sfondin e krizës financiare qeveria gjermane të mërkurën (18.02) hapi një shteg të ri për të reaguar ndaj kërcënimit të falimentimit të firmave: shtetëzimin e detyrueshëm.

https://p.dw.com/p/GxHT
Fotografi: AP

Pas paketave të shpëtimit, garancive në shuma miliardëshe dhe pjesëmarrjeve në kapital, qeveria gjermane miratoi ligjin e hartuar posaçërisht për rastin e bankës Hypo Real Estate. Shkak u bë situata e keqe financiare e bankës. Në këtë mënyrë aksionerët që nuk pranojnë të shesin aksionet e tyre, në rast nevoje mund të shpronësohen.


Në turmën e fotografëve ministri gjerman i Financave, Peer Steinbrück, u zhduk plotësisht për minuta të tëra. Një paraqitje e rëndësishme për ministrin, i cili për herë të parë në historinë gjermane të pasluftës, kërkon të mundësojë shpronësimin e aksionerëve të një banke. Për këtë qeveria gjermane hartoi një të ashtuquajtur "ligj blerjeje me qëllim shpëtimi". Ai pritet të mundësojë së shpejti kontrollin shtetëror mbi bankën e imobilieve Hypo Real Estate. Shteti vazhdon të garantojë si dhe më parë me shumë para detyrimet e bankës private të goditur rëndë nga kriza, theksoi ministri gjerman i Financave, Steinbrück: "Nëse shteti është i angazhuar tani tek kjo bankë me 87 miliardë euro garanci publike, atëherë unë si administrator i këtyre parave të taksapaguesve, dua të kem ndikim strategjik në ristrukturimin e planifikuar për rimëkëmbjen e institutit financiar. Në një situatë të tillë unë nuk dua të jem i varur nga vendime, në të cilat nuk marr pjesë."


Hypo Real Estate me qendër në Mynih, është një shtyllë e rëndësishme në sistemin financiar evropian. Letrat me vlerë të emetuara prej saj, deri tani konsideroheshin si tituj të sigurtë financiarë dhe në Gjermani janë blerë nga komunat dhe spitalet. Veç kësaj ajo luan edhe rolin e një të ashtuquajturi financues i shtetit. Një falimentim i saj do të shkaktonte vështirësi në buxhetet publike dhe në projektet e infrastrukturës.


Aktualisht shteti nuk zotëron asnjë aksion të këtij instituti financiar. Dëshira e shtetit për kontroll ndesh në kundërshtimin e investuesit financiar Christopher Flowers. Në mes të vitit të kaluar ai pati blerë aksione të Hypo Real Estate me një vlerë prej më shumë se 1 miliardë eurosh, me çmimin e atëhershëm 22,50 euro për aksion. Aktualisht vlera e bankës në bursë është gjithsej 250 milionë euro dhe aksionet e saj vlejnë rreth 1 euro për copë. Mëshira e ministrit gjerman të Financave me investuesin Flowers, spekulimi i të cilit nuk pati sukses, është e kufizuar: "Në disa raste ai ka patur sukses, por në këtë rast për fat të keq nga një miliardë eurot e tij kanë mbetur shumë pak. Këtë problem dhe këtë risk unë nuk mund ta marr mbi vete dhe as shteti nuk e ka këtë për detyrë."

Merkel: "Nuk e bëjmë këtë për të eliminuar ekonominë e tregut"


Bankenkrise Hypo Real Estate Merkel und Steinbrück Querformat
Konferencës shtypi e kancelares Angelaa Merkel dhe e ministrit të Financave, Peer Steinbrück në BerlinFotografi: picture-alliance / dpa

Negociatat me Flowers për shitjen e aksioneve të tij shtetit deri tani nuk kanë pasur sukses, bëri të ditur Steinbrück. Tani miliarderi rrezikon të shpronësohet me ligj. Këtë e lejon Kushtetuta Gjermane, neni 15, që i referohet prioritetit të së dobisë së përgjithshme. Në Gjermani shpronësimet e pronarëve të tokës në rast ndërtimi të autostradave apo zgjerimi të aeroporteve, nuk përbëjnë sensacion. Ndryshe qëndron puna në rastin e një banke: rasti i Hypo Real Estate shihet nga kritikët si një precedent për shtetëzime të tjera bankash nën hijet e krizës financiare. Por kancelarja gjermane, Angela Merkel, bën fjalë për një përjashtim: "Ne nuk e bëjmë këtë për të eliminuar ekonominë e tregut, kjo është marrëzi. Përkundrazi ne synojmë kështu ta ndihmojmë atë që të funksionojë sërish. Por për të administruar më me kursim paratë e taksapaguesve, duhet të marrim tani nën kontroll p.sh. bankën Hypo Real Estate."


Ligji është hartuar posaçërisht për "rastin Hypo Real Esate", tha ministri i Financave Steinbrück dhe për këtë arsye ka afat deri në 15 qershor. Steinbrück iu referua edhe një marrëveshjeje ndërkombëtare të shteteve për të shpëtuar institucionet e rëndësishme kredituese për sistemin financiar: "Në këtë mënyrë britanikët i kanë shtetëzuar shumë shpejt bankat me probleme. Vende të tjera gjithashtu. Duke pasur parasysh situatën do të isha mirënjohës nëse debati do të bëhej me pragmatizmin mjaft të përhapur jashtë Gjermanisë, i cili raste të tilla i sheh vetëm në aspektin instrumental."

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë