1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria forcon masat kundër akteve terroriste

Ngjarjet në Bruksel si dhe mundësia e mbërritjes së refugjatëve sirianë bën që Shqipëria të rrisë masat e sigurisë në kufijtë e vendit. Për ekspertët prioritare është shtimi i fondeve për institucionet e specializuara.

Zentrum von Tirana Albanien

Strukturat e rendit dhe të sigurisë publike në Shqipëri kanë shtuar nivelin e burimeve njerëzore dhe shërbimeve në terren. Ngjarjet tronditëse në kryeqytetin belg si dhe pritmëria e mbërritjes së një fluksi refugjatësh sirianë në pjesën jugore dhe juglindore të Shqipërisë e kanë tendosur më shumë policinë e shtetit dhe institucionet e inteligjencës. Faktorë që rrezikojnë shtete të tjera të BE mund të prekin edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duke raportuar së fundmi para deputetëve në Komisionin për Siguri Kombëtare foli për përforcim të njësive policore, sidomos në pikat e hyrëse dhe dalëse të vendit, porte, aeroporte dhe stacionet kufitare tokësore. Sipas Tahirit, asnjë vend nuk është imun nga ngjarjet e mundshme të terrorizmit dhe niveli i sigurisë në vend nuk rritet nëse nuk merren masa radikale.

Tahiri iu referua një ligji për masat shtesë të sigurisë publike, i cili po kundërshtohet nga opozita dhe teksti i miratuar vetëm me votat e mazhorancës është ende në pritje të dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës. Për ministrin e Brendshëm, ky ligj nuk përmban masa radikale, “por parashikon disa masa që vendet e tjera kanë kohë që i kanë marrë dhe përsëri janë në rrezik ‘eminent' ndaj terrorizmit. Ne nuk jemi ende aty dhe duhet të bëjmë çfarë është e mundur që të përparojmë për ta bërë vendin më të sigurtë dhe për të dekurajuar ata që kanë në mend të bëjnë një ngjarje kriminale apo më keq, të vënë në rrezik vendin tonë”.

Kërkohen metodologji dhe institucione të reja

Analisti në media për çështjet e sigurisë, Ilir Kulla, mendon se nuk ka rrezik potencial për Shqipërinë, si për terrorizëm të brendshëm ashtu edhe për fenomene tranzitore. Gjithësesi fenomeni është rajonal dhe nuk mund të identifikohet vetëm me Shqipërinë, thotë Kulla për Deutsche Welle-n.

“Shqipëria ka mjete tradicionale po ashtu si shtetet e tjera d.m.th polici, ushtri dhe shërbime të fshehta. Pavarësisht kësaj mendoj se fenomeni i IS përbën risi dhe kërkon të aplikohen metodologji dhe institucione të reja, me më shumë teknologji, me më shumë buxhete dhe me më shumë informatorë. Nëse në këtë drejtim i duhet më shumë BE-së për të bërë, atëherë patjetër që dhe vendit tonë i duhet po kështu më shumë”.

Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe pedagog në Canadian Institute of Technology në Tiranë mendon se Shqipëria nuk mund të jetë e përjashtuar nga rreziku i kalimit të paligjshëm të individëve të rrezikshëm në territorin e saj apo për t'a përdorur atë si vend tranziti. Megjithatë, nisur nga format e akteve terroriste në BE, IS po i kryen këto akte kryesisht me shtetas të këtyre vendeve pa pasur nevojë për të eksportuar terroristë nga territoret e kontrolluara prej saj, thotë për Deusche Welle-n, Zhilla.

“Në këtë kontekst shqetësimi duhet fokusuar në format rekrutuese që mund të përdori IS për të aktivizuar individë brenda territorit shqiptar.”

Duke vlerësuar kapacitetet e vendit për sfida të tilla, Fabian Zhilla nga Canadian Institute of Technology, i shikon ato si të pamjaftueshme për analizmin dhe pregatitjen e një plani masash afatgjatë për të përballuar situatën.

“Kjo nisur edhe nga numri i pakët i ekspertëve të kësaj fushe. Por në dijeninë time edhe ky numër i pakët ekspertësh nuk është angazhuar në këto strategji. Kjo lloj problematike kërkon ekipe ekspertësh të disa fushave që të bashkërendojnë një plan parandalues por dhe për të menaxhuar riskun”.

Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë

Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë

Cilat janë rreziqet për Shqipërinë?

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore në Tiranë, dr. Enver Bytyçi, e shikon Shqipërinë të rrezikuar nga terrorizmi. Në një bisedë me Deutsche Welle-n ai përmend argumentin e statusit të vendit si anëtar i NATO-s dhe me orientim të theksuar perendimor. Kjo ka dhe riskun e vet, thotë dr. Bytyçi.

“Ka disa arësye që e favorizojnë depërtimin në territorin e Shqipërisë të elementit terrorist e më pas kalimin tranzit në vendet e BE-së. Së pari, në Shqipëri gjenden lehtë njerëz që bashkëpunojnë dhe ndihmojnë në këmbim të parave për këtë proces, gjithnjë për shkak të varfërisë. Së dyti, mendoj se institucionet e sigurisë dëmtohen nga mungesa e koordinimit dhe bashkëveprimit të tyre, kjo për shkak të grindjeve politike dhe interesave parciale. Së treti, klimën e bashkëpunimit me terroristët, ndoshta dhe pa ditur se po bën diçka të tillë,e favorizon prania e shtuar e elementëve kriminalë që merren me trafiqe, kontrabandë dhe korrupsion, shpesh herë në bashkëpunim me elementë ose struktura shtetërore e politike. Për këto arësye them se rreziku është i lartë”.

Në vijim të analizës së tij dr. Enver Bytyçi shikon një përparësi për Shqipërinë, e cila nuk është në hartën e terrorizmit për të shkaktuar akte terroriste. “Të tilla akte në Shqipëri nuk tërheqin vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar. Me dhjetëra qytetarë shqiptarë janë aktivë në organizatat terroriste. Dhe kjo ka mundësi të parandalohet. Eksperienca e Kosovës mendoj se është e dobishme. Aty u forcuan ligjet lidhur me këtë fenomen dhe muajt e fundit asnjë qytetar i Kosovës nuk i është bashkuar IS”.

Ndikimi i valës së refugjatëve në aktet terroriste

Shqipëria herë pas here është një korridor që i tërheq individë dhe grupime që synojnë kalimin për në Itali dhe më pas në shtete të tjera të hapësirës Shengen të BE-së. Autoritetet zyrtare shqiptare kanë përllogaritur se në territorin e vendit, në vitin 2014 dhe 2015, kanë tentuar të hyjnë përmes pikave kufitare apo nga ajo që konsiderohet si “kufi i gjelbërt”, më shumë se 5 mijë emigrantë të parregullt, kryesisht nga shtetet në konflikte të armatosura. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pohuar se në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare, janë realizuar procedura për pritje humanitare, kur personat e mbërritur kanë qenë konform konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar. Për rastet e tjera, autoritetet kanë kthyer kontigjentet mbrapsht në vendin e kalimit kufitar.

“Çështjen e shohim në dy plane, nga njëra anë përballimi i krizës humanitare dhe kjo bën thirrje në vlerat tona si shoqëri dhe gjithashtu në konventat ndërkombëtare të firmosura nga Republika e Shqipërisë, ku i bëhet thirrje solidaritetit dhe humanizmit ndërmjet vendeve për ata që kanë nevojë. Por nga ana tjetër kemi dhe një merak që është po kaq shqetësues për ne dhe për partneret: moslejimi që nëpërmjet flukseve të mundshme të refugjatëve të penetrojnë në vendin tonë apo në vendet e tjera; luftëtarët e huaj ose elementë që shfaqin rrezik terrorizmi”.

Shqipëria ka apeluar dhe te ndërkombëtarët për mbështetje. Fqinji perëndimor, Italia, ka ofruar kontroll të përbashkët kufitar, për parandalimin e personave me rrezikshmëri. Shkëmbim informacioni në kohë reale bëhet dhe me FRONTEX-in apo agjenci të specializuara të vendeve të rajonit, apo të tjera.

Analisti Ilir Kulla vlerëson se kriza e refugjateve nuk ka të bëjë me çështjen e terroristëve, ndonëse monitorimi i tyre është i domosdoshëm. “Kriza e refugjatëve gjithësesi mbetet ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit dhe nuk e ka prekur Shqipërinë.”

Për pedagogun e Canadian Institute of Technology, Fabian Zhilla, kriza e refugjatëve sirianë nuk përbën ndryshim thelbësor, pasi IS po vepron me individë të rekrutuar në terren, pa pasur nevojë për t'i eksportuar ata. “Duhet nënvizuar fakti që një ndër armët kryesore të IS është propaganda dhe ky problem nuk është adresuar si duhet edhe nga institucionet shqiptare”- thotë ai për Deutsche Wellen.