1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria e hedh hapin përpara!

Reforma në drejtësi miratohet unanimisht me 140 vota! Bashkimi Europian, OSBE e pala amerikane përshëndesin miratimin e reformës duke vlerësuar atë si një hap që do t'i shërbejë popullit shqiptar.

Pas orësh dramatike të së enjtes, ku u kërkua me ngulm konsesusi me palëve politike në parlament, reforma e drejtësisë, u miratua të enjten vonë me unanimitet të plotë nga deputetët e Shqipërisë. Reforma i mori 140 votat në parlamentin shqiptar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi në Kuvend, se miratimi i kësaj reforme është nisja e një revolucioni, që do të nxjerrë tymin e ri të pallatit të padrejtësisë në Shqipëri. Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, nga opozita, Oerd Bylykbashi u shpreh para deputetëve, se falë punës së opozitës, u arrit një draft më i mirë se fillestari. "Miratojmë një ndryshim, që nuk ndryshon thjesht kushtetutën, por ndoshta do të çojë drejt një republike tjetër", theksoi ai.

BE me një deklaratë të posaçme e vlerësoi Shqipërinë për këtë hap duke u shprehur se është e rëndësishme tani që ky proces të fillojë të zbatohet menjëherë, me qëllim që popullit shqiptar t'i shërbehet me një sistem drejtësie që respekton standartet europiane. Ky hap, thuhet në deklaratën e BE-së reflekton kërkesën e shumicës së shqiptarëve për drejtësi.

Edhe OSBE e përgëzon Shqipërinë për këtë hap përpara, duke e cilësuar miratimin me konsesus të reformës, një arritje të rëndësishme që i hap rrugë zbatimit të vërtetë të një reforme në sistemin shqiptar të drejtësisë. OSBE thekson se reforma do të jetë e vërtetë, vetëm kur të jetë realitet i përditshëm për qytetarët shqiptarë.