1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Të kthesh fshatin në një vend ku ia vlen të jetohet

“Mrizi i Zanave” nuk është vetëm vepra e Gjergj Fishtës. Ai është restorant e qendër agroturizmi në Fishtë, pranë Lezhës, i cili krijon shanse për fermerët e zonës së Zadrimës, që nuk kanë ku të shesin produktet e tyre.

Albanien Agrotourismus (Altin Prenga)

Fshati vetëm prapambetje? Jo, duhet gjetur rruga për ta zhvilluar atë

Nuk është e thjeshtë për një fshat të vogël shqiptar të hyjë në gojën e qyteteve të mëdha. Aq më tepër në kohët, kur rendja drejt qyteteve i ka lënë fshatrat në dorën e braktisjes. Por fshati Fishtë në afërsi të Lezhës duket se ia ka dalë të kapërcejë kufirin që të vendos provinca. Megjithëse krenaria e pazëvendësueshme e banorëve të tij mbetet jeta në fshatin e lindjes së poetit të njohur, Gjergj Fishta. Krenaria tjetër është një restorant - qendër agroturizmi, e cila i ka dhënë jetë këtij fshati dikur me një varfëri të skajshme.

Jashtë së përditshmes – brenda Shtegut të Mendimit

Tek „Mrizi i Zanave", që ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës nuk mblidhen zanat, por qytetarë shqiptarë nga të gjitha viset e të huaj që vijnë për të shijuar kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës. Mrizi i Zanave i shtrirë në një kodrinë të gjelbër ka si moto refuzimin e rendjes së përditshme, qetësinë, reflektimin, që përforcohet edhe nga Shtegu i Mendimit, një shteg në natyrë, ku në dru janë skalitur vargjet e poetit Gjergj Fishta.

Idenë për hedhjen e hapit të parë të agroturizmit në Fishtë e pati romantiku i fshatit Altin Prenga. 34 vjeçari rrëfen, se pas qëndrimit 11-vjet në Itali, ai donte të bënte diçka vetë, të ikte nga imazhi i emigrantit. Tradita e një familjeje kuzhinierësh i erdhi në ndihmë, por edhe një ide që njihet në perëndim, thotë ai. "Mbledhja bashkë edhe në Shqipëri e nostalgjikëve të fshatit", ata që e duan fshatin si një strehë qetësie, larg zhurmës urbane. Ajo që miqtë e Altin Prengës e quajtën „çmenduri" , rezultoi si një histori suksesi jo vetëm për Fishtën, por madje më gjerë në zonën e Zadrimës.

Ndërkohë 200 familje nga kjo zonë bashkëpunojnë me „Mrizin e Zanave", 80 prej tyre në marrëdhënie të rregullt si furnizues. „Ne jemi këtu në një zonë rurale, të gjithë e shihnin si zonë të braktisur. Tani kemi një rrjet familjesh që dorëzojnë prodhimet, dikush mishin, dikush perimet, qumështin, frutat e pyllit. Jemi rrjet për shumë fermerë, unë mundohem të jem pikëlidhje promovuese, ai që ka kantinën e verës e lidhi me restorante të tjera. Edhe kur kemi raste kur nuk i përdorim produktet, unë i mbaj. Kur një fshatar më sjell vezë, unë nuk i them dot, një ditë më sill, një ditë tjetër jo. Prandaj unë i mbaj edhe i shes  tek klientët me çmimin e blerë.”

Albanien Agrotourismus (Altin Prenga)

Altin Prenga me fshatare të zonës para "Mrizit të Zanave"

Të veshësh fshatin me koncept modern

Rrjeti i ndërtuar në Fishtë është një shpresë e mirëseardhur për fermerët e zonës. Por jo vetëm ata sheshin produktet e tyre. Ndërkohë tek "Mrizi i Zanave” janë punësuar 30 vetë, disa të rinj të zonës kanë gjetur punë aty si Armando Paluci, i cili pas mbarimit të shkollës së mesme kishte kohë që kërkonte punë. "E njihja si vend, sepse familja ime i shet derrat që mbarështon këtu, por tani që punoj këtu është ndryshe” thotë ai. Më së shumti Armando është i kënaqur që këtu në këtë fshat të vogël ai ka mundësi të shoh njerëz të njohur që vijnë nga Tirana. Përditë vijnë të famshëm këtu”, thotë ai duke buzëqeshur. Fishta është një fshat i rigjallëruar. Altin Prenga thotë se dëshira e tij ishte "të vishte fshatin me koncept modern. Sepse tek ne fshati shihet si prapambetje, sikur nuk ka ç'të ofroj. Këtë desha të ndryshoj.”

Edhe gazetari i "Ora News” dhe korrespondenti për zonën, Elvis Hila e ka vënë re ndryshimin që ka përfshirë zonën. "Më parë kjo zonë ka qenë tërësisht e panjohur. Ajo njihej më shumë për burgun politik të Fishtës. Por hapja e agroturizmit në zonë e ka kthyer këtë fshat tanimë në destinacion turistik Sipas statistikave rreth 60.000 vetë në vit vijnë në Lezhë, shumica për Mrizin e Zanave”, thotë ai.

Albanien Agrotourismus (Altin Prenga)

Shtegu i Mendimit - takim poetik me Gjergj Fishtën

Burgu i Fishtës – polilaborator për fermerët e Zadrimës

Altin Prenga ka edhe një plan tjetër për të ndryshuar vendlindjen e tij. Kthimin e burgut famëkeq të Fishtës, një ndërtesë 150 metra larg restorantit "Mrizi i Zanave” në një polilaborator për zonën. "Këtë burg, rreth 1000 metra ndërtesë e gjatë ne e kemi rikonstrukuar, brenda tij duam të bëjmë një vend ku përpunojmë qumështin, reçelërat e marmeladën duke shfrytëzuar të gjitha frutat e fermerëve të zonës, një vend ku përpunojmë pastërma dhe proshuta, pra një qendër, që i rijep jetë një vendi, që ka qenë dikur vend i trishtë dhe hyn në funksion për të gjithë fermerët e zonës .”

Ky vend nuk mbledh më vetëm nostalgjikët e fshatit që shijojnë kuzhinën tradicionale, që është edhe filozofia e "Mrizit të Zanave”, siç thotë Altin Prenga. "Kemi marrë ato pak që ka mbijetuar nga kuzhina e dikurshme, sepse diktatura  e rrafshoi kuzhinën tradicionale. Dy cunami ka kaluar kuzhina tradicionale, diktarurën që ishte varfëri, por edhe konsumizmin, që solli produkte që thjesht pse kishin emrin e huaj shiteshin më shtrenjtë”, thotë Prenga. Synimi i tij: "Ridizenjimi i kuzhinës shqiptare.”

Albanien Agrotourismus (Altin Prenga)

Kuzhina tradicionale

Ta duash e shfrytëzosh atë që jep toka e zonës – është puna e përditshme e Altin Prengës. Ëndrra e tij: Ta kthejë fshatin në një vend ku ia vlen të jetohet. "Nuk kanë psë të ikin të rinjtë, të kërkojnë një shans jashtë shtetit, puna duhet gjetur këtu”, thotë ai, që e ka provuar vetë përvojën e migrimit.