1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: dritëhijet e reformimit të sistemit të drejtësisë

Komuniteti ndërkombëtar nuk ka folur asnjëherë kaq hapur dhe qartë për domosdoshmërinë e kësaj reforme. Por procesi është mjaft i ngadaltë e me dilema. Analistëve e medias: ndikimin kryesor e ka kasta politike e vendit.

Reforma në drejtësi i ka kaluar të gjitha parashikimet. Në aspektin kohor, duhej të votohej vjeshtën e vitit të kaluar, por si kanë ardhur punët, aktualisht askush nuk artikulon asnjë afat se kur deputët në Kuvendin e Shqipërisë do të ngrenë Pro apo Kundër kartonat. Në aspektin politik, megjithëse të gjitha palët pranojnë se sistemi i drejtësisë e ka emergjente nevojën për t'u reformuar, diskuri mes politikanëve tregon ndarje të thellë me akuza dhe kundërakuza se kush po e barrikadon procesin. Hamendësimet shkojnë deri aty sa fatin e reformës e lidhin me ridimensionim të balancës së forcave parlamentare, që gjithmonë sipas hamendësimeve mund të shkojnë deri te surpriza politike. Në aspektin diplomatik, përfaqësuesit më prominentë të selive perëndimore në Tiranë edhe në eventet më rutinë bëjnë deklarata dhe apele për finalizimin sa më pare të reformës në drejtësi.

Në këtë fluks të jashtëzakonshëm qëndrimesh dhe nxitjesh procesi duket si në një qerthull. Një paketë vërejtjesh dhe sugjerimesh konkrete që ka adresuar Komisioni i Venecias, kanë ndryshuar dinamikën e ngjarjeve. Nëse gjatë gjithë vitit 2015 si “violinë e parë” për kryerjen e reformës ishte një ekip ekspertësh të pavarur, ku përfshiheshin dhe përfaqësues të huaj, të mbështetur nga BE dhe SHBA, këtë vit, protagonistë do të jenë dhe ekspertët juristët e partive kryesore. Synimi duket se është që mazhoranca dhe opozita të jenë më kooperuese në këtë fazë të procesit në arritjen e një teksti konsensual që garanton shumicë të cilësuar votash për ndërhyrjet që do të bëhen në Kushtetutën e Republikës.

Përmes ekspertëve të tyre shtabet politike po shprehin ndjeshmëri më të madhe për aspekte të drejtëpërdrejta që lidhen me reformën, për pozicionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rekrutimet dhe ndëshkimet në gjyqësor e prokurori, rolin e Ministrisë së Drejtësisë, etj. Tutje diskutimeve mbi konceptet ligjore dhe konstitucionale, të natyrshme për një angazhim kaq të rëndësishëm, nga qarqe politike vihen re dhe prononcime luftarake, të cilat ngjallin mosbesim për mundësinë e ndonjë konsensusi. Në thelb ato janë fokusuar tek shpallja e “armiqve” të reformës. Në këtë sfond të zhurmshëm, diplomatët perëndimorë kanë rritur tonet për të përcjellë mesazhe të qarta për politikën dhe publikun se kanë qenë dhe mbeten të investuar fort tek kryerja e reformës.

Sjellja e politikanëve dhe reagimi i ndërkombëtarëve janë dy argumente thelbësore, të cilat komentohen më së shumti nga analistët e medias në Tiranë.

Preteksti për të mos e votuar

Analisti Mero Baze, drejtor i platformës online TEMA, e shikon aktivizimin e ekspertëve pranë partive politike kryesore si një përpjekje për konsensus mes palëve. Nga ana tjetër ai shprehet për Deutsche Welle-n se po prishet në një farë mënyre parimi mbi të cilin ka nisur reforma në drejtësi. “Reforma nisi nga koncepti që poltika do përjashtohej nga përmbatja dhe do shërbente vetëm si mekanizëm votimi. Tashmë opozita kërkon ta prishë këtë parim dhe kërkon të japë mendim politik për reformën. Në pikëpamjen time, e gjitha kjo është në fakt si një pretekst për të mos e votuar atë”.

Mimoza Koçiu, redaktore e politikës në televizionin informativ ABC, mendon se se ekspertët e kontraktuar - siç i përshkruan ajo ekspertët e pavarur - dhe ekspertët e partive politike duhej të kishin prodhuar një dokument të përbashkët. Kemi vënë re se rekomdandimet e Komisionit të Venecias i kanë bashkuan palët për t‘i pasur si referim, shprehet Koçiu për Deutsche Welle-n. “Ky ishte një lajm shumë i mirë që mbylli vitin e kaluar politik. Pikëpyetja që unë kam është se përse ekspertët -si ata të kontraktuar, ashtu edhe ata politikë- nuk po i respektojnë rekomandimet e ekspertëve të njohur ndërkombëtarisht të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi? Pra, nuk besoj se puna e veçuar e ekspertëve do sjellë një produkt cilësor e në kohë të shpejtë”.

Partive politike u intereson e tashmja

Drejtori i Lajmeve në Televizionin Vizion Plus, Arban Hasani, thotë se procesi është në fazën e ngecjes prej kalkulimeve politike të palëve. Sipas tij, debati që po fokusohet artificialisht tek tryeza e partive politike, në fakt është shenja e qartë se jo të gjithë janë të interesuar për ta bërë këtë reformë. Hasani thotë për Deutsche Welle-n se përfshirja e ekspertëve politikë, tryeza e partive apo çdo iniciativë e tillë nuk do të sillte mbyllje të draftit në kohë apo cilësi më të mirë të tij. “Partitë politike më shumë se për cilësinë e reformës po veprojnë për të ruajtur pozicionet e tyre në raport me drejtësinë. Debati i tyre po bëhet jo në funksion të së ardhmes, por thjesht sipas llogarive të momentit. Fjala vjen kërkohet nga opozita vendimmarrje me dy të tretat ndërsa qeveria ngulmon tek tre të pestat. Kjo sepse parlamenti aktual ka këtë fotografi votash. Pas 5 apo 10 vjetësh, forcat mund të jenë plotësisht të ndryshme, por partive kjo nuk ju intereson. Të gjithëve u intereson e tashmja. Ndaj çdo përfshirje e politikës në këtë reformë mendoj që do jetë negative dhe pa asnjë kontribut parimor. Nga ana tjetër, duket se disa nga aktorët kryesorë po i përdorin këto argumente si preteks për të mos e votuar fare reformën dhe ndryshimet e duhura kushtetuese, me justifikimin se po bëjnë betejë principiale”.

Këmbëngulja e diplomatëve vendimtare për finalizmin e reformës

Rolin e diplomatëve perëndimorë në Tiranë, sidomos, kryediplomatit të SHBA-së dhe shefes së delegacionit të BE-së, redaktorja e politikës në televizionin informativ ABC, Mimoza Koçiu, e shikon në qartësimin tri gjëra. “E para që ata mbështesin draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, pra, që mbrojnë atë draft. E dyta, ata që kërkojnë të mos votohet janë njerëz që u preken interesa dhe ndjehen të rrezikuar nga ligji. E treta, nëse reforma dështon Shqipëria do të ketë ditë të këqia sa i pëkret rrugës së saj për në BE dhe qëndrimit që SHBA dhe BE do mbajnë ndaj disa politikanëve që po bëhen pengesë për këtë çështje. Është rasti i parë i qartë kur perëndimi po përballet me një stukturë kriminale të politikës shqiptare, e cila po përpiqet të garantojë imunitet për veten, për shkak të asaj çfarë ka bërë 25 në vite”.

Analisti Mero Baze bën paralelizëm mes investimit të fuqishëm të diplomatëve të huaj në rastin e reformës në drejtësi, njësoj si në rastin e dekriminalizimin. “Ajo që vërej, si dëshmitar për shkak të profesionit, është se në 18 vjet marrëveshje politike mes aktorëve në Shqipëri, me asistencën e ndërkombëtarëve, emrat konkretë që do preken a do ndikohen nga kjo reformë vazhdojnë të shërbejnë fatkeqësisht si udhërrëfyes për aktorët politikë dhe janë shkaku edhe i rezistencës ndaj presionit pozitiv që po bëhet nga aktorët ndërkombëtarë. Sa më shpejt ta kuptojnë diplomatët e huaj këtë, aq më mirë do jetë për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi, nga e cila përfituesi kryesor duhet të jenë qytetarët shqiptarë”, thotë Mero Baze për Deutsche Welle-n.

Edhe drejtori i Lajmeve ne Televizionin Vizion Plus Arban Hasani është në të njëjtën linjë kur mendon se pozicionimi i faktorit ndërkombëtar se ata që janë kundër reformës, rrjedhimisht janë edhe kundër perëndimorëve, është mekanizmi i vetëm që mund të detyrojë kundërshtarët të mos nxjerrin justifikime dhe pretekse për ta shtyrë në kalendat greke apo për ta banalizuar me pazare reformën në drejtësi. “Nga ana tjetër, kjo iniciativë është më e madhja që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë në Shqipëri në këta 25 vjet. Një dështim i mundshëm, do të cënonte rëndë imazhin e tyre, risk që ata duan ta shmangin me çdo kusht. Shqiptarët të lodhur me këtë klasë politike, të bezdisur me partitë dhe të revoltuar me sistemin e drejtësisë, do zhgënjeheshin rëndë nëse perëndimorët nuk do ta çonin në fund këtë betejë të tyre. Pasi kështu mund të humbnin shpresën e vetme që ju ka mbetur se vetëm SHBA-të dhe BE-ja mund të mbajnë nën kontroll mbrapshtitë e klasës politike shqiptare”.