1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria në panairin e turizmit në Berlin

Lindita Arapi7 Mars 2012

Në panairin Ndërkombëtar të Turizmit që hapet të mërkurën në Berlin merr pjesë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, me aksioner kryesor kompaninë gjermane HOCHTIEF.

https://p.dw.com/p/14GFi
Jala
JalaFotografi: DW

Burime zyrtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, (TIA) bëjnë të ditur se ky aeroport do të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin që hapet të mërkurën më 7 Mars dhe vazhdon deri më 11 Mars. Ky panair konsiderohet si platforma lider në industrinë e turizmit për marrdhëniet e tregtisë mes bizneseve të ndryshme në botë. Rreth 12.000 ekspozues paraqesin ofertat e tyre në Berlin.

TIA paraqet potencialet e saj në Berlin

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Andrea Gebbeken, citohet në një komunikatë shtypi të këtij aeroporti ta ketë vlerësuar panairin e Berlinit si “konventën më të madhe të turizmit në rang botëror ku marrin pjesë të gjitha nivelet e tregut të turizmit: që nga agjensitë turistike, kompanitë e dhënies së automjeteve me qira dhe deri tek kompanitë ajrore e aeroportet".

Në panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin TIA do të paraqesë arritjet dhe potencialet e veta në rritje. Ky panair vizitohet çdo vit nga më shumë se 170 mijë vizitorë. Në të marrin pjesë rreth 10 mijë kompani nga 180 vende të botës. Tirana International Airport është një kompani shqiptare me pronësi gjermano-amerikane. Në krye të aksionerëve të saj është kompania gjermane Hochtief Airport. Dy kompanitë e tjera aksionere janë DEG- Shoqëria gjermane për Investim dhe Zhvillim (Deutsche Investitions und Enwicklungsgellschaft), si edhe Fondi shqiptaro- amerikan i ndërmarrjeve.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi