Shqipëria dhe Bosnja synojnë liberalizimin e vizave që këtë vit
4 Qershor 2010Presidenca spanjolle e BE-së, pas konferencës së ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg u shpreh të enjten se BE do të jetë i gatshëm të heqë detyrimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës nga fundi i këij viti, por të dyja vendet duhet të rrisin përpjekjet për të plotësuar të gjitha kriteret e sigurisë të kërkuara nga Bashkimi Evropian, bëjnë të ditur agjensitë e lajmeve. Ministri i Brendshëm spanjoll, Alfredo Perez Rubalcaba u tha reporterëve se "ne shpresojmë që ato do t'i përmbushin detyrimet nga vjeshta e këtij viti." Iu kemi kërkuar këtyre vendeve të rrisin përpjekjet, tha Rubalcaba, duke shtuar se asnjë shtet anëtar nuk është kundër heqjes së vizave, veç ndonjë shteti, që është më i kujdesshëm. Një diplomat evropian u shpreh se ende nuk mund të flitet për një datë të saktë për shkak të disa kushteve përgatitore, që duhen plotësuar.
Autor: dpa/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica