Shqipëri: Megjithë disa probleme procesi zgjedhor po ecën normalisht
8 Maj 2011Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve procesi zgjedhor në Shqipëri në tërësi po ecën normalisht dhe aty ku kanë dalë probleme është bërë ndërhyrja për t'i zgjidhur. Sipas KQZ-së kanë dalë disa probleme teknike, si ndonjë vonesë në hapjen e qendrës së votimeve, ka pasur pasaktësi në fletët e votimit, ka ankesa për cilësinë e ngjyruesit të sigurisë, apo diku janë dëmtuar kutitë gjatë transportit.
Inspektorët e Komisionit kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën. Në mbledhjen e KQZ-së ishte dhe kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, i cili se bashku me afër 590 vëzhgues të huaj janë shpërndarë në të gjithë vendin për monitorimin e procesit zgjedhor dhe atë të numërimit, që nis pas orës 19.00 të mbrëmjes së të dielës.
Presidenti Bamir Topi votoi në ambjentet e një shkolle në Tiranë. Kreu i shtetit bëri thirrje për pjesmarrje masive në votimet lokale. "Dëshiroj t'u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të gjithë bashkëatdhetarëve që ta shfrytëzojnë këtë ditë, është dita e tyre, kanë një votë, atë ta japin aty ku ata mendojnë. Sepse duke votuar sot ata votojnë për dinjitetin e tyre, për prestigjin e tyre".
Lenarcic që drejton misionin më të madh të vëzhguesve të huaj në Shqipëri, i përshkroi votimet lokale të kësaj të diele si të rëndësishme, si tha ai, "edhe për ambiciet e vendit dhe avancimin demokratik të tij."
Pas një takimi me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, drejtori i përgjithshëm i ODIHR-it tha se vëzhguesit e organizatës do të monitorojnë jo vetëm votimin, por dhe numërin e votave deri në nxjerrjen e rezultateve. "Qëllimi i këtij vlerësimi nuk është që të japë një gjykim, por të japë një vlerësim objektiv të procesit, si dhe të punohet me rekomandimet e misionit në të ardhmen, në mënyrë që procesi elektoral në këtë vend të përmirësohet akoma më tej."
Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan vizitoi disa qëndra votimi në kryeqytet dhe në ambjentet e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas tij në këtë proces rëndësi ka që të gjithë politikanët, komisionerët të merren me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. "Sepse populli shqiptar meriton një të ardhme të mirë" deklaroi të dielën Kukan.
Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani