1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresë në bisedimet bërthamore me Iranin

16 Prill 2012

Bisedimet me Iranin ishin të bllokuara për më shumë se një vit. Rifillimi në Stamboll të shtunën ishte inkurajues. Diplomatë nga të dyja palët bën fjalë për bisedime konstruktive dhe pozitive. Dritë në fund të tuneli?

https://p.dw.com/p/14eIe

Bashkësia ndërkombëtare pa me pritje të mëdha nga Stambolli. Shpresa dhe shqetësimi gjendeshin njëri pranë tjetrit: Shpresë për një sinjal për zgjidhje paqësore të konfliktit bërthamor me Iranin; shqetësim prej shkallëzimit të mëtejshëm, në rast se takimi përfundonte pa rezultat (një shkallëzim me pasoja të paparashikueshme për gjendjen edhe tani të paqëndrueshme në Lindjen e Afërme).

Shqetësimi për dështim të mundshëm të samitit bërthamor ishte vërtet i ligjshëm. Në të kaluarën kanë dëshuar plot bisedime dhe ka pasur shumë zhgënjime. Raundi i fundit i bisedimeve, para gati 15 muajsh në Stamboll, kishte përfunduar ende pa nisur seriozisht. Mbyllja pozitive e bisedimeve të shtunën jep arsye për të shpresuar se pushtetmbajtësit në Teheran janë zgjuar nga iluzioni i tyre për të mundur që të fitojnë kohë pafundësisht.

Fakti që kryenegociatori iranian, Saeed Jalili, nxitoi me "propozime konstruktive" për në Stamboll tregon shumë qartë se edhe qarku rreth udhëheqësit ultrakonservator, ajatollah Khamenei, e ka kuptuar "mesazhin e kohës". Duket sikur domosdoshmërinë e kompromiseve e kanë kuptuar edhe vetë aventurierët në Teheran. Çfarë e ka shkaktuar ndryshimin e qëndrimit të udhëheqjes iraniane?

Së pari, mbërritja në përfundimin se taktika e të vonuarit nuk funksionon më. Irani për vite të tëra është përpjekur të fitojë kohë, dhe këtë e ka bërë me sukses. Mirëpo, taktika e të fituarit kohë ka një afat skadimi: Ajo funksionon vetëm për aq kohë sa zbatohet me aftësi dhe në fshehtësi, dhe kjo taktikë është zbuluar me kohë. Vazhdimi i mëtejshëm vetëm sa e zemëron edhe më shumë bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk i shërben askujt.

Së dyti, tensionet me Iranin janë rritur jashtëzakonisht muajt e fundit. Ky shkallëzim nuk shprehet vetëm me retorikë më të ashpër: SHBA-ja ka dërguar një grup të dytë aeroplanmbajtësesh në Gjirin Persik dhe ka përforcuar masat e saj mbrojtëse në rajon, të cilat edhe më parë ishin të plota. Përmbledhtas mund të thuhet: Rreziku për luftë në Iran nuk ka qenë kurrë kaq i madh sa tani.

Dhe së fundi, sanksionet tregojnë efekt të dhimbshëm. Përkitazi me këtë kërkesa kryesore e Iranit në negociatat aktuale me të dërguarit e grupit 5-1 ishte që të hiqen sanksionet. Kjo tregon qartë se ato po e bëjnë punën. Zgjerimi i sanksioneve muajt e fundit mbi bankat iraniane dhe sektorin e tij të naftës e gazit kanë bërë që të ardhurat nga eksporti i naftës të bien drastikisht. Më shumë se 80 për qind e të ardhurave shtetërore të Iranit varen drejtpërdrejt nga eksporti i naftës. Mospengimi i biznesit të naftës është jetik për pushtetmbajtësit në Teheran.

Rifillimi dhe vazhdimi i bisedimeve pas gati 15 muajsh është një shenjë e mirë, por do të ishte naive të mendohej se ky raund i ri negociatash përbën tashmë kthesën vendimtare në konfliktin bërthamor me Iranin. Deri në "happy-end" në mosmarrëveshjen bërthamore me Iranin është një rrugë e gjatë dhe e vështirë.

Pushtetmbajtësit në Iran duhet t'i zbulojnë tani deri në fund aktivitetet e tyre bërthamore. Ata duhet të garantojnë transparencë dhe të ndërtojnë besim. Pikërisht kjo mendohet të jetë e vështirë. Irani ka humbur tepër besim dhe ende trimi me fjalë Ahmadinexhad arrin të marrë fjalën.

Autor: Jamsheed Faroughi

Redaktoi: Elert Ajazaj