1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpallen rezultatet e zgjedhjeve - PDK kryeson

Bekim Shehu/ Prishtinë20 Nëntor 2007

Në Kosovë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet e pjesshme, nga të cilat fituese shpall Partinë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

https://p.dw.com/p/CJUw
Hashim Thaçi - PDK
Hashim Thaçi - PDKFotografi: AP

Rezultatet e pjeshshme të zgjedhjeve për parlamentin e Kosovës të publikuara nga KQZ-ve, shpallin fituese PDK-në e udhëhequr nga Hashim Thaçi. PDK, fitoi 34 përqind të votave. Atë e pason LDK, me 21.8 përqind çka shënon rënie shumë të madhe të kësaj partie krahasuar me zgjedhjet e vitit 2004. Partia e tretë në Kosovë radhitet AKR me 12.1 përqind, e udhëhequr nga biznesmeni kosovar, Behxhet Pacolli. Partia e zotit Pacolli merr pjesë për herë të parë në zgjedhje. LDD-ja e udhëhequr nga Nexhat Daci, fitoi 10.4 përqind të votave. LDD-ja është krah i ndarë i LDK-së. Partia e pestë radhitet AAK e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, me 9.9 përqind të votave të fituara. Dhe partia e fundit shqiptare. që mori më së paku vota është ORA, e udhëhequr nga Veton Surroi, me vetëm 4.2 përqind. Kjo parti madje rrezikon të mos hyjë në parlament, sepse nuk ka marrë minimumin e duhur të pesë përqindshit.

10 vende të rezervuara për serbët

Ndërsa, të gjitha partitë e tjera të pakicave së bashku kanë fituar gjithsej 7.3 përqind, por këto parti nuk janë të detyruara të zbatojnë rregullin e pesë përqindshit, sepse për to janë rezervuar në parlamentin e Kosovës 10 vende. 10 vende janë rezervuar në parlament edhe për serbët e Kosovës. Këta të fundit bojkotuan pothuaj tërësisht zgjedhjet e 17 nëntorit, megjithatë nëse dëshirojnë të jenë pjesë e parlamentit, kanë mundësi të zënë vendet e rezervuara për ta.

Rezultatet përfundimtare priten në fund të muajit

Të dhënat e publikuara nga KQZ-ve, janë njerrë nga numërimi i më pak se 80 përqind të fletëvotimeve, ndërsa të panumëruara kanë mbetur fletëvotimet me kusht dhe ato që kanë ardhur me postë nga jashtë Kosovës. Sipas organizatorëve të zgjedhjeve këto fletvotime pak mund të ndryshojnë përqindjen e votave të shpallura në rezultatet e pjeshshme. Ndërkohë, edhe të dhënat e pjeshme të zgjedhjeve të 17 nëntorit për pushtetin lokal pothuaj në shumicën e komunave të kosovës shpallin fituese PDK-në dhe kandidatët e saj për kryetar të komunave.

Zgjedhjet për pushtetin lokal do të vendosen me balotazh

Përveç dy komunave, në të gjitha të tjerat do të ketë sërish zgjedhje balotazhi, që do të zhvillohen me 8 dhjetor për faktin që në zgjedhjet e 17 nëntorit për pushtetin lokal shumica e kandidatëve nuk kaluan 50 përqindshin e nevojshëm për tu zgjedhur kryetar komune. Në zgjedhjet e balotazhit do të konkurojnë vetëm nga dy kandidatë për secilën komunë, në këtë rast dy kandidatët që kanë marrë më së shumti vota. Zyrtarë të KQZ-ve, njoftuan se rezultatet përfundimtare do të shpallen në fund të këtij muaji, ndërsa çertifikimi i deputetëve të kuvendit të ri të Kosovës pritet të bëhet më 3 dhjetor.