1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtohet Greqia (edhe një herë)

Bernd Riegert27 Nëntor 2012

Mbi 12 orë bënë pazar dhe diskutuan Ministrat e Financave të Euro-Zonës. Pastaj sajuan aty për aty një çorbë burimesh parash për Greqinë. Kjo punë nuk do të ketë ecuri të mirë për kohë të gjatë, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/16qVJ

Çuditërisht Ministrat e Financave të Euro-Zonës, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe shefi i Bankës Qendrore Evropiane i pëlqejnë me sa duket mbledhjet masohiste të natës. Përndryshe përse të takoheshin për të tretën herë brenda tri javësh në një natë pa gjumë në Bruksel? A bëhet ende fjalë për gjetjen e një zgjidhjeje objektive? Jo, sepse te faktet nuk ka ndryshuar gjë në tri raundet e fundit.

Faktet janë goxha të qarta: Në Greqi, për shkak të recesionit dramatik, të borxheve të reja tepër të larta dhe të reformave tepër të ngadalshme ka një mungesë financimi prej rreth 30 miliardë eurosh. Kjo përveç 230 miliardë eurove të miratuara deri tani në ombrellat e shpëtimit. Paratë duhet t'i sigurojë dikush, në qoftë se nuk duhet lënë të falimentojë Greqia. Recetat dhe instrumentet, të cilat po llogariten nga fillimi në fund, po një përfundim kanë: Shtetet e Euro-Zonës të afta për të paguar duhet të shpenzojnë edhe më shumë para dhe të marrin përsipër rreziqe më të mëdha.

Shumë ekspertë dhe specialistë bankarë e konsiderojnë faljen e një pjese të borxheve greke prej shteteve huadhënëse rrugën më të mirë për ta rivënë Greqinë në gjendje funksioni. Mirëpo kjo falje borxhesh nuk arrihet politikisht në Gjermani dhe në shtete të tjera të Euro-Zonës. Për këtë arsye tani mbahen shpresa te riblerja e huave nga ana e Greqisë, te një shtrirje dhe ulje e normave të interesit ose te një kthim vullnetar i fitimeve të Bankës Qendrore. Edhe këto masa të ndërlikuara kanë efektin e një falje borxhesh (edhe pse vetëm me këste). Vetëkuptohet, kostot për këtë i mbajnë taksapaguesit e shteteve të Euro-Zonës, vetëm se ky është një proces më i ngadalshëm dhe jo aq i qartë e i ashpër sa një falje borxhesh.

Në foto, Bernd Riegert
Në foto, Bernd RiegertFotografi: DW

Shpëtimtarët e euros në Bruksel nuk duhet të kujtojnë se qytetarët në shtetet e afta për të paguar gënjehen. Shpëtimi i Greqisë së falimentuar si shtet ka për të kushtuar shumë. Këtë fakt Ministrat e Financave nuk duhet ta fshehin më, megjithëse në përpjekjen e tretë kompromisi mezi u arrit. Që Greqia do të jetë dikur në gjendje të paguajë interesa apo edhe më shumë, t'i shlyejë borxhet, ky është iluzion. Plani kohor për shpëtimin e shtetit, më saktë për shpëtimin e huadhënësve, të cilët kanë blerë obligacione shtetërore greke, nuk është më i realizuashëm. Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane kanë llogaritur gabim. Me reforma tepër të ngadalshme dhe me hezitim tepër të gjatë Greqia ka kontribuar pjesën e vet në këtë llogari të gabuar. Ekonomia është tkurrur me gati çerekun; vendi është përtokë.

Mirëpo borxhet vazhdojnë të rriten. Ato janë shtuar edhe këto dy vite e gjysmë, me gjithë miliardat për shpëtimin. Meqë ra fjala, kreditë nga Uashingtoni, Brukseli dhe nga kryeqytetet e Euro-Zonës janë vetëm pjesërisht në dobi të njerëzve në Greqi. Pjesa e luanit transferohet menjëherë si pagesë interesi për huadhënësit (qofshin këto banka private apo banka qendrore të shteteve). Nuk ka rrugëdalje të jo të shtrenjtë e pa dhimbje nga kjo dilemë; as për huadhënësit nuk ka. Falja e borxheve duhet të ndodhë dhe me gjasa Greqia ka nevojë edhe për një monedhë të re, për të dalë me përpjekje nga moçali. Receta "Vazhdoni kështu!", te e cila shpreson edhe Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, nuk funksionon më. Në këtë mënyrë Ministrat e Euro-Zonës, shefja e FMN-së dhe shefi i Bankës Qendrore Evropiane nuk ishin vetëm pa gjumë në Bruksel, po edhe pusullëhumbur.

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe krerë të tjerë qeverish premtuan në verë se duan ta mbajnë Greqinë me çdo çmim në Euro-Zonë. Ky çmim është i lartë dhe shumë shpejt ai do të duhet të paguhet.