1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërthim në Suharekë - Plagosen katër këshilltarë ministrie

Bekim Shehu / Prishtinë15 Janar 2008

Si pasojë e një shpërthimi në Kosovë/ Suharekë u plagosën katër këshilltarë ë ministrisë e punës dhe mirëqenies sociale. Policia ende nuk i di motivet e sulmit dhe nuk ka asnjë të arrestuar.

https://p.dw.com/p/Cpuo
Katër persona janë plagosur nga një mjet shpërthyes, në qytezën e Suharekës, njofton policia në Kosovë. Të plagosurit janë shqiptar të Kosovës zyrtarë të ministrisë së punës dhe mirëqeniës sociale, ministri kjo e cila në qeverinë e Hashim Thaçit udhëhiqet nga serbët e Kosovës. Mjeti shpërthyes thuhet se ishte vendosur poshtë veturës së tyre dhe në momentin që vetura ka lëvizuar mjeti ka shpërhtyer duke plagosur katër personat, një nga ta rëndë. Policia ende nuk i di motivet e këtij sulmi, sikundër nuk ka ndonjë person të dyshuar në lidhje me shperthimin. Nga hetimet e para thuhet se një granatë dore ishte vendosur në veturën me të cilën udhëtonin këshilltarët e ministrisë. Ky sulm ndaj punonjësve qeveritar në Kosovë pason një sulm tjetër të dy dite më parë, ndaj një zyrtari të lartë të doganave të Kosovës. Këto akte kriminale i kanë dënuar ashpër udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë, se jeta dhe siguria e qytetarëve të Kosovës është prioritet i qeverisë dhe për ta përmbushur këtë detyrë, qeveria sipas tij, do të verë në përdorim të gjitha mekanizmat ligjore, për të kapur fajtorët në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë. Edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se aktet e tilla kanë për qëllim të shkaktojnë pasiguri tek qytetarët dhe të cenojnë stabilitetin dhe qetësinë në këto kohë vendimtare për të ardhmen e vendit. Presidenti kërkon nga organet e rendit të hetojnë urgjentisht rastin dhe autorët akti të shëmtuar t'i nxjerrin sa më shpejt para drejtësisë.