Shpërthim i rëndë në një fabrikë në Teksas
18 Prill 2013Shpërthimi ndodhi në qytetin West në afërsi të Waco-s në lindje të shtetit federal të Teksasit. Pastaj flakë të mëdha përfshin ndërtesat e fabrikës. Në transmetimet televizive mund të shihej një re e madhe tymi mbi uzinën e plehrave.
Sipas të dhënave të kryetarit të komunës West si pasojë e fatkeqësisë u shkatërruan afro 80 shtëpi. Në një rreze prej pesë blloqeve të banimit përreth fabrikës ka pasur dëme të rënda, tha Tommy Muska për kanalin CNN. Të prekura ishin edhe një shkollë dhe një shtëpi për të moshuarit. Shpërthimi është dëgjuar edhe në qytetin Waxahachie që ndodhet 75 kilometra larg vendit të fatkeqësisë.
Të vdekur nga shpërthimi në fabrikën e plehrave
Autoritetet nuk u prononcuan menjëherë për numrin e viktimave duke folur fillimisht "për një numër të pacaktuar të vdekurish." Kanali televiziv CNN raportoi për dy të vdekur. Nga ana tjetër kanali televiziv CBS, duke cituar kreun e shërbimeve emergjente lokale, raportoi fillimisht për të paktën 60 të vdekur.
Në një fushë sportive afër vendit të ngjarjes është ngritur një qendër për dhënien e ndihmës së parë. Makinat e ambulancës dhe helikopterët kanë transportuar të plagosurit në spitalet e afërta.
Frikë për shpërthime të tjera
Siç raportoi CNN më tej, banorët e West-it janë ftuar që të largohen për në vende më të sigurta pasi ekziston rreziku nga një shpërthim i dytë. Pilotët e helikopterëve janë rekomanduar t'i përmbahen lartësisë minimale të fluturimit.
Siç njoftoi qendra lokale e zjarrfikësve, shpërthimi i amoniakut ka ndodhur për shkaqe ende të panjohura në një fabrikë të ndërmarrjes West Fertilizier. Një punonjës i një hoteli aty pranë, i tha gazetës "Dallas Morning News" se ka pasur fillimisht një zjarr. Gjatë përpjekjeve për të shuajtur zjarrin, uji ka pasur kontakt me amoniak. Dyshohet se kjo mund të ketë shkaktuar shpërthimin.