1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shoqëria civile për europianizimin e Ballkanit Perëndimor

Samiti i Ballkanit Perendimor në Trieste: Shoqëria civile e Ballkanit Perëndimor kërkon rol më të madh në europianizimin e rajonit.

Le të jemi partner të fortë, shoqëri civile dhe qeveri, për të sjellë ndryshimin ekonomik, politik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor që do të europianizojë rajonin. Me një zë, mbi 200 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga gjashtë vendet e rajonit, pjesëmarrës në Forumin e Shoqërisë Civile, pjesë e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, kërkuan që vendimarrësit politikë të pranojnë  ofertën e shoqërisë civile për të kontribuar në këtë proces. Argument i tyre - forcimi i dialogut mes qeverive të Ballkanit Perendimor dhe shoqërisë civile - kusht për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal dhe transparencë rezultatesh në procesin e Berlinit. Në tre samite rradhazi të vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) në kuadër të këtij procesi - Vjenë 2015,  Paris 2016, Trieste 2017, shoqëria civile është vetëpërfshirë me rekomandime si për politikëbërësit e vendeve të BP ashtu edhe ata të BE-së. Me një përpjekje  të përbashkët dhe  synim të qartë në nivel rajonal, që të ndikojë në vendimet që merren në këto samite, që ato të jenë në interes të qytetarëve. Hedvig Morai, Drejtore Ekzekutive e Fondit Europian për Ballkanin, që koordinoi Zhvillimin e Forumit të Shoqërisë Civile në Trieste, thotë se ky angazhim i shoqërive civile të rajonit mbështetet në kapacitetet dhe ekspertizën e tyre.

"Në procesin e paraqitjes së rekomandimeve për udhëheqësit politikë të rajonit dhe atyre të BE-së, në tre samite , Vjenë, Paris dhe së fundi në Trieste, shoqëria civile e BP është galvanizuar dhe është e gatshme të bashkëpunojë me qeveritë e rajonit për ҫështje me rëndësi për qytetarët. Shoqëria civile është e aftë t'u ofrojë qeverive të rajonitt perceptimin e saktë të pritshmërive të qytetarëve nga Procesimi Berlinit dhe bashkëpunimi rajonal, që ky proces po nxit të konkretizohet përmes projektesh të përbashkëta në infrastrukturë, transport, energji, bashkëpunimin rinor".

Si mund ta realizojë shoqëria civile në BP ambicien e saj për partneritet me qeveritë? Duke rritur potencialin e saj demokratik përmes përfshirjes së qytetarëve në procesin e Berlinit dhe duke ofruar mbështetje teknike, ekspertizë në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal apo kryerjen e axhendës së reformave në rajon. Rekomandimet e shoqërisë civile, për politika në dobi të europianizimit të rajonit në Samitin e Triestes përfshijnë gjashtë fusha: bashkëpunimin rajonal dhe marrdhëniet dypalëshe; shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit; bashkëpunimin rinor; përmirësimin e klimës së biznesit për iniciativa inovative; mjedisi dhe ndryshimet klimatike dhe së fundi komunikimi efikas i qytetarëve për procesin e Berlinit, në një kohë kur po rritet populizmi. Nuk janë lënë jashtë vëmendjes ҫështje të tjera në dobi të qytetarëve të rajonit si rritja e lëvizshmëritë brenda BP dhe BE përmes heqjes së regjimit të vizave apo përfshirja e shoqërisë civile në monitorimin e funksionimit të shtetit ligjor, marrjes parasysh të ekspertizës së saj në përmbajtjen e raporteve vjetore të Komisionit Europian për ecurinë në procesin e integrimit të vendeve të rajonit. Në rekomandimet e shoqërisë civile në Trieste zuri vend të rëndësishëm edhe kërkesa që politikanët drejtues të BP të heqin dorë nga abuzimi me ҫështjet e pazgjidhura bilaterale në procesin e integrimit europian. Në fund të fundit rekomandimet janë rekomandime. Ato marrin vlerë vetëm nëse plotësohen nga qeveritë dhe udhëheqësit politikë të Ballkanit Perëndimor dhe nëse politikanët e BE ushtrojnë presion, që ato të mos mbeten në letër. Komisioneri Johannes Hahn e konsideroi sfidë zbatimin e tyre kur tha në Trieste se i mbështet rekomandimet e shoqërisë civile të BP dhe se "një shkëmbim më intensiv mes shoqërisë civile dhe qeverive të BP është i domosdoshëm për procesin".

Programi "Vicinities-Okruženije", që realizohet  si pjesë e Forumeve të Shoqërisë Civile në samitet e BP- në kuadër të procesit të Berlinit - dhe transmetohet në TV e gjashtë vendeve të rajonit është bërë popullor pikërisht se jep mundësinë e komunikimit direkt mes politikanëve drejtues të rajonit nga njëra anë dhe komunikimit të tyre me qytetarët nga ana tjetër, qeverive dhe qytetarëve.  Në studion e këtij programi në Trieste, Edi Rama, Ivica Dacic and Zoran Zaev e vlerësuan thelbësor rolin e shoqërisë civile në europianizimin e rajonit.

Procesi i Berlinit ende pa rezultate të dukshme

Shoqëria civile kërkon të luajë një rol më të madh në Procesin e Berlinit, një proces për të cilin ka edhe rezervat e saj. "Procesi nuk është aq transparent sa duhet të jetë. Është një proces kompleks ku rezultatet nuk janë ende të dukshme. Shoqëria civile ka kapacitete për të marrë një rol dhe mandat për ta monitoruar progresin me një përqasje jo domosddoshmërisht kritike por konstruktive dhe informuese", theksoi për DW, Hedvig Morai. 

Tobias Flessenkemper, studiues gjerman, drejtor projekti për Ballkanin në Qendrën e Formimit Europian, në Nicë, Francë, pjesëmarrës në Forumin e Shoqërisë Civile në Trieste thotë për DW se "është momenti që njerëzit në BP të jenë bashkë dhe procesi i Berlinit është një instrument shumë fleksibël, që duhet të shmangë burokracitë për të kontribuar në këtë drejtim. Procesi i Berlinit është një trampolinë për të vendosur ide. Të punosh bashkë për realizimin e tyre është e rëndësishme. Por duhet që aksionet e shoqërisë civile të jenë transnacionale. Duhet një lobim i fuqishëm nga i shoqërisë civile që ato të kenë sukses."

Gjermania - nisma Berlin plus për Ballkanin Perëndimor

Shoqëria civile e BP do të ketë mundësi të jetë partnere e qeverive në nismën përsëri gjermane të njohur si "Berlin plus". Me Samitin e Triestes, që përfundoi të mërkurën (12 korrik 2017) u mbyll edhe cikli i samiteve të Procesit të Berlinit, parashikuar nga iniciatorja e këtij procesi, kancelarja gjermane Angela Merkel. Pak përpara Samitit të Triestes, në qershor, Gjermania shpalli planin "Berlin plus", një nismë gjithashtu gjermane për të vijuar procesin e Berlinit dhe zgjeruar mbështetjen politike dhe ekonomike të BE për europianizimin e BP me projekte infrastrukturore ndërrajonale, që përmirësojnë marrdhëniet dhe bashkëpunimin mes vendeve të BP, në rradhë të parë që përmirësojnë situatën ekonomike dhe hapin vende pune, që rajoni të mos braktiset sidomos nga rinia. Në jetësimin e nismës gjermane "Berlin plus", që fillon vitin tjetër, shoqëria civile ka një front të madh për të dhënë kontributin e saj. Dhe qeveritë për të jetësuar në praktikë vlerësimin e shoqërisë civile si partnere e domosdoshme.