1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shoqëria civile në procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor

Vijimi i procesit të Berlinit në Paris është prioritet në axhendën e Tiranës për vitin 2016. Por ekspertët theksojnë domosdoshmërinë e institucionalizimit të rolit të shoqërisë civile në Procesin e Berlinit.

Ndër ngjarjet politike dhe diplomatike të këtij viti një vend të rëndësishëm pritet të zerë Konferenca e Parisit. Ajo është e treta në një seri prej pesë konferencash deri në vitin 2018 kur procesi i Berlinit përfundon. Ky proces, një nismë diplomatike 4 vjeçare e kancelares gjermane Angela Merkel, u ndërmorr prej saj para dy vitesh, në kuadër të 100 vjetorit të përfundimt të Luftës së Parë Botërore, një përvjetor historik që e gjeti Ballkanin të shndërruar nga “një fuҁi baruti” në një rajon në paqe. Por në po të njëjtin vit Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian deklaroi se nuk do të ketë zgjerim të BE-së për pesë vitet e ardhëshme. Në këto rrethana, procesi i Berlinit synon t'i japë impulse të reja politikave të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor,(BP) në një kontekst të ri gjeo-politik. Impulse që përkthehen në mbështetje politike dhe financiare për ta nxjerrë rajonin nga varfëria, papunësia, korrupsioni, kriza e emigracionit për motive ekonomike që paqja të mos jetë e cënueshme në një rajon kaq pranë BE-së. Procesi, që filloi me Konferencën e Berlinit në gusht 2014, vazhdoi me samitin e Vjenës në gushtin e vitit të kaluar dhe sivjet vijon me Konferencën e Parisit, të cilën, Franca e mirëpret , siç deklaroi Kryeministri francez, Manuel Valls, gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë Rama në Paris, rreth një muaj më parë. Nga Parisi ka pritshmëri të mëdha si nga liderët ashtu edhe qytetarët e BP. Eridana Çano, zv.drejtore e kabinetit të kryeministrit të Shqipërisë thotë për DW:

“Procesi i Berlinit është një shans për t'i dhënë energji të re procesit të anëtarësimit në BE të rajonit të BP dhe një instrument që transformon këtë rajon në një hapësirë të gjallë dhe të begatë demokratike. Procesi i Berlinit vë në lëvizje gjenerimin e përfitimeve të prekshme për qytetarët nga procesi i integrimit në BE dhe bashkëpunimi rajonal. Paqja, stabiliteti dhe procesi i integrimit europian në rajon nuk mund të garantohen për një kohë të gjatë pa një rritje të qendrueshme ekonomike”.

Samiti në Paris moment i rëndësishëm që projektet të realizohen

Rritja e qëndrueshmë ekonomike është sot kudo një togfjalësh kyç. Për rajonin e Ballkanit mbetet parakusht i paqes, stabilitetit dhe përmbushjes së standardeve që kërkon integrimi europian. Në samitin e Vjenës, në gushtin e vitit të kaluar, rajoni identifikoi realizimin e Rrjetit Bazë të Transportit dhe lidhjen energjetike si projekte prioritare që luajnë rol në rritjen ekonomike.

“Kjo përqasje do të lejojë qeverinë e Shqipërisë të përqendrojë investimet në projekte kyçe që ndërlidhin ekonomikisht Ballkanin Perëndimor dhe e kthejnë atë në një rajon real. Fokusi është në projekte me rezultate dhe përfitime të menjëhershme për qytetarët. Konferenca e Parisit, këtë vit, duhet të jetë një moment historik për të ndërmarrë hapa konkrete në realizimin e projekteve prioritare dhe identifikimin e financimit të tyre.” thekson Eridana Çano, zëvendësdrejtore në pranë kabinetit të kryeministrit. Në total administrata e Shqipërisë ka përzgjedhur 78 projekte për t'i paraqitur në Konferencën e Parisit.

Roli i shoqërisë civile në Procesin e Berlinit faktor suksesi

Në ecurinë e procesit të Berlinit dhe realizimin e projekteve prioritare shoqëria civile mbetet një aktore për të mos u anashkaluar. Në samitin e Vjenës ishte përsëri kancelarja Merkel dhe kancelari austriak Werner Faymann, që inicuan nismën e përfshirjes së shoqërisë civile në Procesin e Berlinit. Frank Hantke, Drejtor i Zyrës në Tiranë të Fondacionit ”Friedrich Ebert Frank Hantke, palë organizatore e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në Procesin e Berlinit thotë për DW se në samitin e Vjenës shoqëria civile nuk u integrua sa duhet ne proceset vendim-marrëse.

“Shoqëria civile duhet të luajë rolin e ekspertes në vendim-marrje dhe të jetë e integruar në gjithë ecurinë e procesit të Berlinit në sajë të kopetencave që ka. Është me rëndësi institucionalizimi i pjesëmarrrjes së shoqërisë civile në procesin e Berlinit në sejcilin vend të Ballkanit Perëndimor. Janë projekte prej miliarda eurosh- por ato nuk mund të realizohen me sukses nëse komunitetet respektive në secilin vend të Ballkanit Perëndimor nuk bëhen pjesë. Dhe këtu hyn në lojë shoqëria civile që në sajë të kopetencave që ka krijon dhe ruan mbështetjen e gjerë popullore. Prandaj merr rëndësi institucionalizimi i pjesëmarrjes së saj.” thekson Frank Hantke.

Shoqëria civile që realizon përfshirjen e qytetarëvev mund të bëhet ose partnere ose kundërshtare e qeverive në çuarjen përpara të procesittë Berlinit. Përfshirja e saj sjell vetëm një angazhim komplementar të domosdoshëm.

Ardian Haçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, organizatë e shoqërisë civile me seli në Tiranë, që ofron një platformë online të shtetit në veprim, të quajtur shtetiweb, pjesëmarrës në samitin e Vjenës thotë për DW, se shoqëria civile ne Shqipëri dhe BP po monitorojnë procesin.

“Shoqëria civile në Shqipëri dhe rajon po punon për të përgatitur një Progres Raport që do të vlerësojë çfarë kanë bërë qeveritë në vendet e rajonit për të çuar përpara procesin e Berlinit, që do të publikohet në prag të konferencës së Parisit. Është ngritur një grup pune, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që morën pjesë në Samitin e Vjenës që synon të bëjë të njohur dhe të sjellë pranë qytetarit gjithë Procesin e Berlinit dhe përfaqësimin e interesave të qytetarit në të gjitha hallkat e përzgjedhjes dhe financimit të projekteve”.