1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shoferi fantazëm në laptop

Për herë të parë ekspertët e Teknologjisë së Informacionit kanë arritur që si hacker të telekomandojnë tërësisht një makinë nga laptopi: Radioja, impanti i klimatizimit, frenat e motori u vunë nën kontroll.

Andy Greenberg nuk mund ta harrojë lehtë udhëtimin e tij eksperimental me makinë, ndonëse redaktori i revistës teknike amerikane Wired ishte në dijeni për atë që po ndodhte. Dy ekspertët e sigurisë Charlie Miller dhe Chris Valasek përpara udhëtimit e kishin porositur atë që të mos binte në panik për asgjë që do të ndodhte. Por kur gjatë udhëtimit në autostradë me makinën e bardhë Jeep Cherokee papritur nga klimatizatori frynte ajër akull i ftohtë, situata nuk qe fort e këndshme. E ndërsa befas radioja nisi të buçasë me melodi nga emisioni Hip Hop i stacionit lokal, gjendja u bë që të ngrinte nervat. Kur sistemi i larjes së xhamave u vu në veprim duke ia ndërprerë atij herë pas here shikimin, atëherë Greenbergut gradualisht nisi t'i vijë në majë të hundës. Por nuk mjaftoi me kaq, hackerat arritën që t'ia shuajnë motorin atij gjatë udhëtimit, gjë që po i ngjallte vërtetë panik Greenbergut. Në një vend parkimi dy hackerat i demonstruan atij më vonë, se si ata kishin mundur të ndërhynin në sistemin e timonit dhe të frenimit.

470.000 makina të rrezikuara

Greenberg e dinte se çfarë e priste e vullnetarisht e kishte pranuar të vihej në rolin e kavies eksperimentale. Miller dhe Valasek donin në provonin, se ata me një laptop dhe me telefonin celular ishin në gjendje të ndërhynin në sistemet e komandimit të makinës Jeep Cherokee - pa asnjë lidhje me kabëll, por vetëm përmes internetit duke qendruar fare komod në dhomën e tyre të punës. Eksperimenti rezultoi i sukseshëm. E sipas mendimit të dy ekspertëve e njëjta gjë mund mund të funksionojë edhe me thuajse gjysmë milioni makina të tjera. Kuptohet nëse këto makina ashtu si dhe Jeep Cherokee janë të pajisura me sistemin uconnect. Ky sistem i njohur si Infotainment-System bashkon një sërë funksionesh elektronike si p.sh. navigimin apo radion dhe shërben si një pikëtakimi që mundëson aksesin nga makina tek Smart-Phonet dhe kompjuterat Tablet.

Mikko Hypponen nga sipërmarrja finlandeze për sigurinë e Teknologjisë së Informacionit F-Secure ka nxjerrë në pah një problem parimor. Në bisedë për DW Hyponnen thotë, se ndonëse prodhuesit e automobilëve i kushtojnë rëndësi sigurisë, tradicionalisht ato kanë pak përvojë me sigurinë e kompjuterit. Por tani të gjithë prodhuesit e automobilëve duhet t'i kushtojnë vëmendje sigurisë së kompjuterit si një komponente e filozofisë së tyre të sigurisë së përgjithshme, thekson eksperti nga Helsinki.

Problematika do të shtohet edhe më shumë, parashikon Ferdinand Dudenhöffer nga Center for Automotiv Research në Universitetin Duisburg-Essen. Në intervistë për DW ai i referohet tendencës drejt udhëtimit të automatizuar të makinave. Në të ardhmen makinat do të komunikojnë shumë më intensivisht me mjedisin rreth tyre përmes teknologjisë së ashtuquajtur Car-to-X-Technologie, thotë Dudenhöffer: "Por komunikimi kalon përmes internetit. Kjo do të thotë: se rreziku rritet. Ne na duhet të mendojmë edhe më shumë, për ta optimalizuar sigurinë e makinave sa u përket hacker-ave, tërheq vëmendjen profesori nga Duisburgu. Këto çështje të sigurisë në të ardhmen do të fitojnë jashtëzakonisht peshë, parashikon Dudenhöffer.

Frigoriferi dërgon spam

E kjo nuk vlen vetëm për makinat. I shumëpërfoluri "interneti i sendeve" ka hyrë prej kohësh në përdorim në jetën tonë të përditshme. Gjithnjë e më shumë aparatura janë të lidhura ndërkohë në rrjet. Prodhuesi i programeve të aksesit në rrjet Cisco përllogarit se ndërkohë në mbarë botën rreth 15 miliard aparatura janë të futura në rrjet. Deri në vitin 2020 Cisco pret që kjo shifër të arrijë në 50 miliardë. Por edhe një frigorifer smart është një objekt i mundshëm sulmi. Në fillim të vitit 2014 u njoftua për një frigorifer, i cili si pjesë e një rrjeti poste ka dërguar spams në masë. "Ky është thelbi i internetit të sendeve, futja në rrjet e sendeve, të cilat nuk kanë të bëjnë me internetin - makina, frigoriferë, smart-homes e shumë të tjera", shpjegon Christoph Paar. Profesori për sigurinë e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Ruhr në Bochum e di, se shpesh prodhuesit mjaftohen, kur prodhojnë një produkt të mirë të lidhur me rrjetin duke ofruar kështu funksione shtesë. Por: "shpesh sigurisë as që i kushtohet vëmendje ose ajo vlerësohet pak", vëren Paar.

Symbolbild Tastatur Internet

Jeep Cherokee nën kontrollin e hakerave

Kjo ka të bëjë edhe me arsyen, se për blerjen e të tilla aparaturave, siguria kibernetike nuk luan ndonjë rol, konstaton Mikko Hypponen. Ai sjell një shembull me një thekëse buke: "Kur blen një mall të tillë nuk mendon për siguri kibernetike. Ndaj siguria lihet pasdore e për të nuk investohet. E në treg dominon produkti me çmim të lirë". Eksperti finlandez i sigurisë tërheq vëmendjen edhe për një problem tjetër: këto aparatura nuk mund të pajisen postum me elementë sigurie. Frigoriferët apo thekëset nuk mund të pajisen me programe kundër viruseve të internetit.

E duke iu kthyer makinës, në rast se siguria në të kompromentohet, kjo jo vetëm që është e bezdisshme, si një spam i dërguar nga frigoriferi, por është edhe mjaft e rrezikshme. Ndaj Miller dhe Valasek prej vitesh tërheqin vëmendjen për pikat e dobëta të makinës së futur në rrjet. Në vitin 2013 ata demonstruan me një Toyota Prius dhe me një Ford Escape se si mund të komandohet makina nga laptopi. Edhe atëherë në timon ishte Andy Greenberg. Por Miller dhe Valasekut atëherë i duhej të uleshin në sediljen e pasme dhe ta lidhnin laptopin me makinën përmes kabllit. Se si funksionon vërtetë komandimi pa kabëll i automjetit këtë Miller dhe Valasek do ta prezantojnë në fillim të gushtit në konferencën "Black-Hat" në Las Vegas.