020310 Datenspeicherung Verfassungsgericht
2 Mars 2010Në vitin 2007 Parlamenti gjerman (Bundestag) miratoi ligjin për mundësinë e memorizimit paraprak të të dhënave. Koalicioni i atëhershëm i madh i referohej luftës kundër terrorizmit, në kuadër të BE-së. Padi kundër këtyre rregullave para Gjykatës Kushtetuese kanë ngritur 35.000 qytetarë.
Menjëherë pas miratimit të ligjit në dhjetor të vitit 2007, kundërshtarët ngritën padi pranë Gjykatës Kushtetuese. Ndër ta është edhe avokati liberal Gerhart Baum, i cili si ministër i Brendshëm, prej vitit 1978 deri 1982, ka qenë edhe vetë i konfrontuar me terroristët majtistë të degës së Armatës së Kuqe (RAF). Ai e di nga përvoja personale sa e rëndë është ndërlidhja mes sigurisë dhe mbrojtjes së të drejtave të qyetarëve. Memorizimi i të dhënave është një masë që tejkalon linjat e përcaktuara prej BE-së në luftën kundër terrorizmit, shpjegon ai. „Linjat nuk janë ndjekur strikt, sepse ligjëdhënësi gjerman i referohet për shembull veprave, që nuk kanë ndonjë sfond terrorist. Ai e ka vënë shumë poshtë pragun dhe e ka lehtësuar shikimin e të dhënave."
Ish - ministri Baum dhe ata që mendojnë njësoj si ai patën sukses, ndonëse deri tani jo tepër të madh. Gjykata Kushtetuese kufizoi në mars të vitit 2008 aplikimin e këtij ligji. Përdorimi i të dhënave mund të bëhet vetëm në rastet e veprave të rënda, siç janë vrasjet apo pornografia me fëmijë. Kundërshtarët e ligjit nuk kënaqen me këtë sukses të pjesshëm. Në mbarë vendin u organizuan aksione kundër tij, ndërsa kulmi i aksioneve ishte demonstrata në shtator të vitit të kaluar në Berlin ku u mblodhën mbi 10.000 pjesëmarrës. Ndër ata që mbajtën fjalim ishte edhe Frank Bsirske, shefi i sindikatës Verdi: „Me angazhimin e teknologjisë informative dhe të komunikacionit ka shpërthyer mbikqyrja në shtet, ekonomi dhe fushën e punës."
Ndër kritikët më të ashpër të memorizimit të të dhënave është edhe ish-prokurori, Max Stadler. Si politikan në opozitë, ai e quante ligjin pak para zgjedhjeve të shtatorit të kaluar si shkeljen më të rëndë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. „Janë këto të dhëna të njerëzve plotësisht të padyshimtë dhe kjo është diçka e re. Më parë shteti mund të futej në sferën private vetëm kur kishte dyshime konkrete."
Pas fitores së konservatorëve dhe liberalëve në zgjedhje, Max Stadler është bërë sekretar shteti në ministrinë e Drejtësisë, që e drejton shoqja e tij partiake, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger. Një situatë e pazakonshme, sepse tani gjendet në anën e të paditurve.
‚Chaos Computer Club‘ flet për rreziqet nga ky ligj. Constanze Kurz anëtare e këtij klubi thotë se përmes këtyre të dhënave shteti mund të krijojë profilin e secilit person dhe mund ta analizojë atë.
I ngarkuari i qeverisë për mbrojtjen e të dhënave, Peter Schaar, kërkon rishikimin e plotë të të gjitha ligjeve të siurisë, që janë miratuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. „Çfarë kanë sjellë këto ligje, sa thellë futen ato në sferën private dhe sa janë efektive?"
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është vendimi i fundit për këtë çështje.
Autor: Marcel Fürstenau
Redaktoi: Aida Cama