SHBA NATO
5 Shkurt 2012Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të largohen nga plani i Natos për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta e bëri të qartë të shtunën (04.02.) në konferencën e sigurisë në Mynih se trupat amerikane në Hindukush sipas marrëveshjes do të qëndrojnë në gjendje gatishmërie për luftë deri në fund të vitit 2014. Në prag të konferencës ai kishte krijuar përshtypjen se amerikanët planifikojnë t'i japin fund misionit luftarak që në vitin 2013. Në këtë mënyrë ai shkaktoi irritime masive.
Panetta tha në Mynih se Trupa Ndërkombëtare Mbrojtëse- ISAF deri në vitin 2013 do t'ia kalojë përgjegjësitë e sigurisë ushtrisë dhe policisë afgane. Megjithatë për periudhën tranzitore 18 mujore deri në fund të vitit 2014 trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie për të luftuar nëse paraqitet nevoja. Kështu Franca mbetet vendi i vetëm i madh anëtar i Aleancës Veriatlantike që do të tërhiqet nga Hindukushi që në vitin 2013.
Trupat e ISAF-it do të mbështesin ende trupat afgane
Tashmë, ushtria dhe policia afgane kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sigurisë për rreth 50 për qind të popullsisë. Megjithatë në të gjitha rajonet ku tashmë përgjegjësia ka kaluar në duart e tyre ata do të vazhdojnë të mbështeten nga trupat e iSAF-it. Vitin e kaluar për shembull trupat e NATO-s kanë mbrojtur së bashku një hotel dhe lagjen e ambasadave nga një sulm i madh i talebanëve. Periudha tranzitore për transferimin e përgjegjësisë zakonisht zgjat 12 deri në 18 muaj.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, politikani kristiandemokrat Thomas de Maiziere tha në Mynih se homologu i tij amerikan ishte shumë i qartë me deklaratat e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten të gatshme për të luftuar në Afganistan deri në fund të vitit 2014.
Autor: Agj. / Esat Ahmeti
Redaktoi: Mimoza Kelmendi