1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhëndri i Bin Ladenit para gjyqit

8 Mars 2013

Dhëndri i Bin Ladenit i arrestuar javën e kaluar në Joradani do të dalë para një Gjykate në Nju Jork. 47 vjeçari Abu Ghaith akuzohet për komplot me synim vrasjen e qytetarëvë në SHBA.

https://p.dw.com/p/17taP
Suleiman Abu Ghaith
Suleiman Abu GhaithFotografi: Reuters

Dhëndri i kreut tashmë të vdekur të Al Kaidës, Osama bin Laden do të dalë para një Gjykate në SHBA. Prokuroria e akuzon Suleiman Abu Ghaith për konspiracion në vrasjen e qytetarëve amerikanë gjatë sulmeve të 11 shtatorit, bëri të ditur Ministria e Drejtësisë së SHBA-së. Pas një udhëtimi ilegal nga Irani në Turqi, ai ishte arrestuar në shkurt në një hotel në Ankara. Abu Gaith, ish-zëdhënës i al-Kaidës, sipas medieve u deportua në Jordani, ku u kap nga agjentët e CIA-s. Sipas FBI-së, Abu Ghaith mbante një pozicion të rëndësishëm tek Al Kaida dhe shfrytëzoi pozicionin e tij për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe për të nxitur armiqtë e tyre.

Duke folur në emër të Al Kaidës ai pati paralajmëruar se sulme si ato të 11 shtatorit do të vazhdojnë. Më 12 shtator 2001, Abu Ghaith u shfaq në krah të Bin Laden dhe Ayman al-Zavahirit, për të paralajmëruar SHBA-të se “një ushtri e madhe iu ka rrethuar” dhe u bëri thirrje popujve islamikë të luftonin kundër hebrenjve, të krishterëve dhe amerikanëve, bëjnë të ditur burimet nga gjykata. Bin Laden-i u vra në maj të 2011-s, në Pakistan, nga një ekip i komandove amerikane.

Autor: Mimoza Kelmendi (afp, rtr, ap)

Redaktoi: Auron Dodi