Shanset e refugjatëve në tregun e punës
18 Shtator 2015Për bosët e industrisë gjermane gjërat janë të qarta: refugjatët janë një shans i mirë për ekonominë gjermane. Në rastin më të mirë, pranimi i njerëzve "mund të jetë një bazë për një mrekulli tjetër ekonomike - siç ishte ajo në vitet 50-të dhe 60-të të shekullin të kaluar, kur "gastarbeiterët" (punëtorët e përkohshëm)kontribuan shumë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e Gjermanisë", tha shefi i Daimlerit, Dieter Zetsche në fillim të javës, në prag të hapjes së panairit të industrisë së automobilëve IAA në Frankfurt. Edhe shefat e koncerneve të tjera kanë premtuar ndihma për refugjatët, ndër ta edhe shefi i Porsches Matthias Müller, ai i koncernit Evonik, Klaus Engel si dhe drejtori i Postës Frank Appel.
Mini-programi ekonomik
Nëse u besojmë ekspertëve të Institutit Gjerman për Studime Ekonomike (DIW), ekonomia gjermane do të përfitojë menjëherë vitin e ardhshëm nga imigracioni. Rritja ekonomike në vitin 2016 do të jetë 0,25% më e madhe. Kjo për shkak të shtimit të shpenzimeve për shërbimet publike, strehimin, shkollat dhe integrimin e njerëzve. Refugjatët do të marrin edhe ndihma sociale, të cilat pjesërisht do të shpenzohen për konsum. Pra një lloj mini-programi koniunkturor.
Thomas Bauer, nënkryetar i Institutit ekonomik (RWI) në Esen pret në fillim vetëm efekte të vogla në rritjen ekonomike. "Por në plan afatgjatë kjo valë e refugjatëve mund t'i japë impuls hovit ekonomik në Gjermani, nëse ia dalim t'i integrojmë ata me sukses në tregun e punës", tha Bauer në bisedë me DW.
Kualifikimet e domosdoshme
Por që integrimi i refugjatëve në tregun e punës do të jetë një sfidë shumë e madhe, e tregojnë studimet e Institutit të Tregut të Punës, IAB. Ky studim nuk është mjaft domethënës, por Instituti konstaton, se vetëm 55% e azilkërkuesve që mbeten në Gjermani mund të futen në punë. Kjo ka të bëjë me kualifikimet relativisht të ulëta të të ardhurve. IAB ka bërë një sondazh në radhët e 20.000 azilkërkuesve. Rreth 25% prej tyre kanë kualifikim arsimor, por pjesa tjetër jo.
"Shumica e refugjatëve që vijnë tek ne nuk kanë shanse që të futen shpejt në tregun e punës", paralajmëron Carsten Linnemann, në një bisedë me "Handelsblatt". Politikani i CDU-së pret që një pjesë e tyre të integrohen relativisht shpejt në tregun e punës. Por "problemi i mangësisë së fuqisë punëtore, nuk zgjidhet me azil". Për të lehtësuar integrimin në tregun e punës, IAB propozon intensifikimin e mësimit të gjuhës dhe të përgatitjes profesionale.
Influenca e vogël në treg
Por çfarë po ndodh në tregun e punës? Dhe a do të shtohet numri i të papunëve apo do të ketë ulje të rrogave? Ministrja federale e Punës Andrea Nahles dhe shefi i Agjencisë së Punës, Frank-Jürgen Weise, llogarisin tani për tani me rritjen e papunësisë në Gjermani. Por në terma afatgjata, pritet që integrimi i refugjatëve në tregun e punës të mos ketë efekte negative. Nëse rreth 220.000 persona paraqiten në tregun e punës, kjo do të thotë se papunësia mund të rritet për 0,07 %. Instituti vlerëson se niveli i rrogave do të mbetet i njëjtë.
Edhe eksperti Bauer shprehet për maturi: "Nga studimet e lëvizjeve të migrantëve e dimë se valët e mëdha të refugjatëve kanë vetëm efekte të vogla në tregun e punës." Nuk është e vërtetë që të huajt po ua marrin vendasve vendet e punës. Ndërsa efektet në nivelin e rrogave mund të jenë madje edhe pozitive."