1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanset e refugjatëve në tregun e punës

Christioph Ricking18 Shtator 2015

Gjermanët janë duke treguar solidaritet të madh me refugjatët. Por sfidat më të mëdha do të vijnë më vonë, sepse qindra mijëra refugjatë duhet të integrohen në shoqëri dhe në tregun e punës.

https://p.dw.com/p/1GYZO
Arbeitsmarkt Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa/Jan Woitas

Për bosët e industrisë gjermane gjërat janë të qarta: refugjatët janë një shans i mirë për ekonominë gjermane. Në rastin më të mirë, pranimi i njerëzve "mund të jetë një bazë për një mrekulli tjetër ekonomike - siç ishte ajo në vitet 50-të dhe 60-të të shekullin të kaluar, kur "gastarbeiterët" (punëtorët e përkohshëm)kontribuan shumë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e Gjermanisë", tha shefi i Daimlerit, Dieter Zetsche në fillim të javës, në prag të hapjes së panairit të industrisë së automobilëve IAA në Frankfurt. Edhe shefat e koncerneve të tjera kanë premtuar ndihma për refugjatët, ndër ta edhe shefi i Porsches Matthias Müller, ai i koncernit Evonik, Klaus Engel si dhe drejtori i Postës Frank Appel.

Mini-programi ekonomik

Nëse u besojmë ekspertëve të Institutit Gjerman për Studime Ekonomike (DIW), ekonomia gjermane do të përfitojë menjëherë vitin e ardhshëm nga imigracioni. Rritja ekonomike në vitin 2016 do të jetë 0,25% më e madhe. Kjo për shkak të shtimit të shpenzimeve për shërbimet publike, strehimin, shkollat dhe integrimin e njerëzve. Refugjatët do të marrin edhe ndihma sociale, të cilat pjesërisht do të shpenzohen për konsum. Pra një lloj mini-programi koniunkturor.

Thomas Bauer, nënkryetar i Institutit ekonomik (RWI) në Esen pret në fillim vetëm efekte të vogla në rritjen ekonomike. "Por në plan afatgjatë kjo valë e refugjatëve mund t'i japë impuls hovit ekonomik në Gjermani, nëse ia dalim t'i integrojmë ata me sukses në tregun e punës", tha Bauer në bisedë me DW.

Kualifikimet e domosdoshme

Por që integrimi i refugjatëve në tregun e punës do të jetë një sfidë shumë e madhe, e tregojnë studimet e Institutit të Tregut të Punës, IAB. Ky studim nuk është mjaft domethënës, por Instituti konstaton, se vetëm 55% e azilkërkuesve që mbeten në Gjermani mund të futen në punë. Kjo ka të bëjë me kualifikimet relativisht të ulëta të të ardhurve. IAB ka bërë një sondazh në radhët e 20.000 azilkërkuesve. Rreth 25% prej tyre kanë kualifikim arsimor, por pjesa tjetër jo.

"Shumica e refugjatëve që vijnë tek ne nuk kanë shanse që të futen shpejt në tregun e punës", paralajmëron Carsten Linnemann, në një bisedë me "Handelsblatt". Politikani i CDU-së pret që një pjesë e tyre të integrohen relativisht shpejt në tregun e punës. Por "problemi i mangësisë së fuqisë punëtore, nuk zgjidhet me azil". Për të lehtësuar integrimin në tregun e punës, IAB propozon intensifikimin e mësimit të gjuhës dhe të përgatitjes profesionale.

Influenca e vogël në treg

Por çfarë po ndodh në tregun e punës? Dhe a do të shtohet numri i të papunëve apo do të ketë ulje të rrogave? Ministrja federale e Punës Andrea Nahles dhe shefi i Agjencisë së Punës, Frank-Jürgen Weise, llogarisin tani për tani me rritjen e papunësisë në Gjermani. Por në terma afatgjata, pritet që integrimi i refugjatëve në tregun e punës të mos ketë efekte negative. Nëse rreth 220.000 persona paraqiten në tregun e punës, kjo do të thotë se papunësia mund të rritet për 0,07 %. Instituti vlerëson se niveli i rrogave do të mbetet i njëjtë.

Edhe eksperti Bauer shprehet për maturi: "Nga studimet e lëvizjeve të migrantëve e dimë se valët e mëdha të refugjatëve kanë vetëm efekte të vogla në tregun e punës." Nuk është e vërtetë që të huajt po ua marrin vendasve vendet e punës. Ndërsa efektet në nivelin e rrogave mund të jenë madje edhe pozitive."