1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shanset dhe rreziqet e kthesës politike: Parlamenti Evropian për marrëdhëniet me vendet fqinjë të Mesdheut

17 Shkurt 2011

Përmbysjet në Tunizi dhe Egjipt, protestat në Algjeri dhe Libi e detyrojnë BE që t'i rishqyrtojë marrëdhëniet me vendet fqinjë me Mesdheun. Parlamenti Evropian diskuton situatën në vendet arabe

https://p.dw.com/p/10I93
Parlamenti Evropian për marrëdhëniet me vendet fqinjë të Mesdheut. Salla plenare e PE
Parlamenti Evropian debatoi për marrëdhëniet me vendet fqinjë të Mesdheut.Fotografi: DW

Komisari i zgjerimit, Stefan Füle u angazhua në vend të përfaqësues për politikën e jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila ndodhet ende në Lindjen e Afërme. Por si komisar përgjegjës për politikën e fqinjësisë së BE, kjo është edhe fusha e tij. BE, thotë Füle-ja, synon ta mbështesë në plan afatgjatë Egjiptin:

"Ne do të bëjmë maksimalen që kemi në dorë, për të ofruar ndihmë dhe përvojat tona në demokratizim, zgjedhje, të drejta njeriu dhe reforma ekonomike dhe sociale. Por e qartë është edhe se ne nuk diktojmë rezultate ose imponojmë zgjidhje. E ardhmja është shumë qartësisht në duart e njerëzve në Egjipt."

Shpresë për përmirësim kushtesh sociale në Afrikë

Joseph Daul, kryetar i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane, pranon se askush në Evropë dhe në SHBA nuk i pa të vijnë përmbysjet në Afrikën e Veriut. Dhe: ndryshimet janë në sytë e tij pozitive, megjithë disa pengesa.

"Ne i përshëndesim revolucionet paqësore, të cilat i kanë përmbysur regjimet, sepse ato përmbajnë bërthamën e përparimit social. Dhe BE duhet t'i mbështesë regjimet e reja, siç e dëshirojnë popujt, në kuptimin e demokracisë dhe të një ekonomie, e cila të jetë në gjendje të përkujdeset për interesa sociale."

Në këto fjalë pasqyrohet edhe shpresa që kushtet të përmirësohen politikisht dhe në aspektin ekonomik, që njerëzit të mos kenë më shkas për t'u larguar nga Afrika e Veriut.

Martin Schulz, shef i socialdemokratëve dhe socialistëve, e tregon veten optimist. Ai vërtet që sheh njëfarë rreziku te islamizmi, por ai mendon se në procesin kushtetutes duhet të integrohet edhe Vëllazëria Myslimane:

"Po të arrihet që pas këtyre lëvizjeve në Tunizi dhe në Egjipt të ndërtohen vërtet demokraci laike, civile, atëherë ai që fiton një shans të madh politikisht është rajoni, por edhe ne evropianët si fqinj të drejtpërdrejtë."

Evropa i mbyll kufijtë vetëm me diktatorë?

BE duhet të investojë para së gjithash në politikën e fqinjësisë, nga pikëpamja financiare dhe politike dhe ta kthejë në plan afatmesëm zonën e Mesdheut në një zonë të tregtisë së lirë, tha Schulzi.

Politikanë të majtë dhe të Gjelbër evropianë e kanë kritikuar në ditët e shkuara politikën ndaj Afrikës të BE si hipokrite. Shefi i Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Daniel Cohn Bendit konstaton me sarkazëm:

"Është shumë e çuditshme, që tani të gjithë mendojnë se zoti Mubarak ka qenë një diktator, por që atë 15 vjet me radhë nuk e quajti njeri diktator."

Europarlamentari Daniel Cohn Bendit
Europarlamentari Daniel Cohn BenditFotografi: picture-alliance/ dpa

Tani, kur njerëzit kanë marrë udhën në mënyrë masive nga Tunizia në drejtim të Evropës dhe nuk pengohen më prej qeverisë së tyre të vjetër, Cohn-Bendit e sheh të konfirmuar kritikën e tij:

"Evropa ka nevojë për diktatorë, për t'i mbyllur kufijtë e saj. Kjo është e pabesueshmja, që sot ne kemi një problem, sepse është përmbysur Ben Ali."

Por edhe të Gjelbrit janë të mendimit se detyrë parësore është përmirësimi i kushteve jetësore në Afrikën e Veriut, edhe me para evropiane, në mënyrë që lëvizjet e refugjatëve të bëhen të tepërta.

Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti