1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e shoqërisë civile në favor të interesave të komunitetit

Arben Muka20 Nëntor 2013

Protestat e ditëve të fundit kundër demontimit në territorin e Shqipërisë të armëve kimike siriane vlerësohen nga përfaqësuesit e OJQ-ve si një pikë kthese dhe reflektimi për rolin e publikut në vemdimmarrje.

https://p.dw.com/p/1AKmV
Fotografi: DW/A. Muka

Zinxhiri i protestave në të gjithë territorin e vendit për të kundërshtuar procesin e demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri mbetet ende një temë debate në opinionin publik. Më shumë në fokus është lëvizja qytetare jashtë ndikimit partiak, është roli dhe angazhimi konkret i shoqërisë civile në përballjen me problemet e komunitetit. Disa me optimizëm, të tjerë me përmbajtje, më shumë se atë që ndodhi, vlerësojnë efektet dhe pritmëritë për të ardhmen.

Pamje nga protestat e zhvilluara në Tiranë
Pamje nga protestat e zhvilluara në TiranëFotografi: Andi Agaraj

Për drejtorin e Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj, vala e protestave në ditët e fundit ishin një ngjarje e rëndësishme për shoqërine shqiptare. Jo vetëm se u krijua sensibilitet dhe përgjegjesi për një problem jetik, por dhe, sipas tij, u dhanë shenja të rilindjes së shoqërisë civile. Kishte vite që opinioni publik tregohej skeptik lidhur me funksionimin dhe impaktin e angazhimit të organizatave joqeveritare, thotë Aliaj për DW.“Perceptimi ka qenë për shumicën prej tyre se ishin kthyer në shtojca të partive dhe grupeve politike të interesit. Pra, me këtë imazh ato kishin të humbur identitetin e tyre për t'i shërbyer komunitetit duke u bërë thjesht shtojca të kryetareve. Ngjarjet e ditëve të fundit, ku kryesisht organizimi qytetar u krye nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ku të rinjtë me parti apo pa parti ishin ‘pronarët' e vërtetë të bulevardit kryesor të Tiranës dhe shesheve qendrore në qytete të tjera- mendoj se është një pikë kthese, një reflektim, një tregues konkret, se shoqëria civile mund dhe duhet të mos varet vetëm nga orientimet partiake, por të orientohet nga interesat e komunitetit.”

Lëvizje qytetare për të mos qëndruar gojëmbyllur

Vladimir Thano, i cili prej vitesh drejton degën për Shqipërinë të Federalistëve të Rinj Europianë, ishte njëri prej aktivistëve që nuk u shkëput në asnjë moment nga protestat kundër demontimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë. Sipas tij, ajo që ka ndodhur në kryeqytet dhe zona të tjera të vendit duhet “lexuar” me kujdes nga të dyja palët. “Qeveritarët kuptuan se arroganca e komunikimit dhe injorimi i proceseve ka rëndësi jetike për shoqërinë, nga ana tjetër shoqëria civile, rrjeti i organizatave joqeveritare, patjetër që do të nxjerrë mësime. Kërkohet një kohezion më i madh midis aktorëve për të pasur sukses në nisma që promovojnë zërin e qytetarit. Në mendimin tim, u duk se shoqëria shqiptare kërkoi marrjen fund të tranzicionit në lidhje me vendimarrjen. Qyetarët sot duan të pyeten jo të injorohen. Kjo lëvizje apo ‘revolucion' qytetar mjedisor, përtej fushës së interesit, ishte një mesazh i qartë për të gjithë se kërkohet një mendësi tjetër në mënyrën se si trajtohen sfidat e mëdha të vendit. Unë jam i bindur se në rastin e protestave kundër demontimit të armëve kimike siriane në territorin e Shqipërisë shoqëria civile ka përfituar më shumë legjtimitet, pasi kjo lëvizje qytetare në thelb ishte një lëvizje për të mos qëndruar gojëmbyllur”, thotë Thano për DW.

Në foto, Vladimir Thano
Në foto, Vladimir ThanoFotografi: DW/A. Muka

Protesta edhe aty nuk ka kamera televizive e fotoreporterë

Arben Kosturi, president i Unionit rom "Disutni Albania" në Korçë mendon se protestat e ditëve të fundit janë vetëm një sinjal. Bëmë mirë që reaguam për armët kimike nga Siria, por sa e sa “armë” të tjera ka në territorin e Shqipërisë. Sa e sa anëtarë të komunitetit tonë janë në kushte të tmerrshme, pa ushqim dhe pa strehim. Njerëz që nuk janë të regjistruar askund, që dhe po të vdesin askush nuk pyet. Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të mbështesin protestat e komunitetit rom, sepse jemi lënë pasdore dhe në kushte të mjera. Të kërkojmë llogari për indiferencën por dhe për abuzimet me fondet që akordohen për përmirësimin e jetesës së komunitetit tonë.

Në foto, Arben Kosturi
Në foto, Arben KosturiFotografi: DW/A. Muka

Ariana Shehu, juriste, shpreh skepticizëm për rolin e organizatave joqeveritare. Sipas saj gjithçka ishte spontane dhe thjesht një show mediatik. “Mbase po ngutem, por do të shikohet në vijim se çfarë roli do të marrin këto organizata në sensibilizmin e shumë çështjeve të pazgjidhura. Duke përfshirë dhe ato mjedisore dhe që kanë lidhje direkte me shëndetin e popullatës. Zona të tëra të infektuara me helme vdekjeprurëse janë shumë afër vendbanimeve prej viteve. Po për to do të protestohet që pushteti lokal dhe ai qendror të marrë masa urgjente? Ngritja e zërit mund të bëhet dhe jashtë Tiranës, në zona të thella, sepse edhe aty ka njerëz, pavarësisht se aty nuk ka kamera televizive dhe fotoreporterë”.