1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sfidat e qyteteve ndaj ndryshimit të klimës

Ekspertët i shohin ekstremet klimaterike si shenjë se ndryshimi i klimës po e shfaq ndikimin e tij në jetën e përditshme.

Vera e sivjetshme gjermane ka qenë me mjaft shira. Shërbimi Metereologjik Gjerman (DWD) tha se korriku 2017 ishte një nga muajt me më shumë rreshje që nga koha kur kanë nisur regjistrimet e motit në vitin 1881. Këto ekstreme klimaterike janë për ekspertët shenjë se ndryshimi i klimës po e shfaq ndikimin e tij në jetën e përditshme. Kjo do të thotë që në verë ditët e nxehta do të alternohen me ditë me lagështi dhe shira të fortë.

Sidomos qytetet gjermane po vuajnë prej shirave dhe rreshjeve, sepse kanalizimet e tyre nuk mund t'i përballojnë sasitë e mëdha të ujit. Për këtë arsye gjithnjë e më shpesh rrugët e qyteteve, bodrumet e shtypive apo stacionet e metrove po përmbyten nga rreshjet.

Por edhe ditët me diell po shkaktojnë probleme. Për shkak të ndërtesave të shumta që thithin ngrohtësinë e diellit dhe mungesës së rrymave të ajrit, temperaturat në qytete janë shpesh deri në rreth 10 gradë më të larta se sa në zonat përreth ku nuk ka aq shumë ndërtime.

Sfida për urbanistët

Shumë qytete dhe komuna në Gjermani kanë filluar të marrin tani masa përgatitore për rastet të rreshjeve të forta dhe të aplikojnë konceptet e klimatologjisë urbane. Kështu në qytete po ndërtohen më tepër godina me fasada me bojë të çelur që të mos thithin shumë energji diellore. Po ashtu ka nisur edhe gjelbërimi i tarracave dhe i fasadave. Bimët e mbjella aty jo vetëm freskojnë por thinin edhe një pjesë të ujit të shiut.

Në disa qytete si në Hamburg, bashkia jep edhe ndihma financiare për gjelbërimin e tarracave të pallateve. Kurse në qytete të tjera, si në Bonn, sipërmarrjet po marrin pjesë në një projekt për gjelbërimin e zonave të parkimit të ndërmarrjeve si dhe të pjesëve të tjera të territorit të tyre të mbuluar me asfalt apo beton. Por edhe zgjerimi i sistemit të kanalizimeve është një nga rrugët që po ndiqen.

Shndërrimi i të gjitha qyteteve dhe zonave të banuara në zona të përshtatura me ndryshimet klimatike është thuajse i pamundur, thonë ekspertët, sepse kërkon shpenzime të mëdha dhe vullnet politik. Por shumë mund të bëhet në vendet dhe zonat ku ndërtohen pallate dhe ndërtesa të reja, që këto zona të jenë në përshtatje me ndryshimet klimatike për 100 vitet e ardhshme.