1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

SES mbush 30 vjet

30 vjet më parë u themelua qendra Senior Experten Service (SES). Ai ndërmjetëson pensionistë për institucione arsimore dhe ndërmarrje brenda dhe jashtë vendit. Shërbimi honorifik konsiderohet si model i suksesshëm.

Para pesë vjetësh Siegfried Müller nuk e dinte se ku gjendej Kigali, kryeqyteti i Ruandës, vendit në lindje të Afrikës. Kjo gjë ndryshoi kur e shoqja e regjistroi tek Senior Experten Service (SES) [Shërbimi për ekspertë në moshë pensioni]. Pas shkurtesës SES qëndron një fondacion, i cili u ofron pensionistëve mundësinë që të përcjellin dijet e tyre, brenda dhe jashtë vendit. Siegfried Müller, i cili para pensionit ka punuar si kasap, e mori detyrën e tij të parë në SAS nga Kigali.

Pronari i një supermarketi në Ruandë donte të shtonte në asortimentin e tij sallam dhe pensionisti u ngarkua t'iu tregonte punëtorëve se si prodhohet sallami. Mirëpo fillimisht ai e kishte të vështirë ta përfytyronte që të punonte në Ruandë. "Njëherë për njëherë pësova shok", i kujtohet 65-vjeçarit. "Çfarë asociohet në Gjermani me Ruandën? Gjenocidi i hutuve dhe tucive. Pas kësaj nuk dëgjohej më gjë për Ruandën", thotë në bisedë me DW-në pensionisti. U informua në Ministrinë e Jashtme, për të mësuar më shumë për këtë vend dhe në fund vendosi ta ndërmerrte udhëtimin. Në janar 2009 shkoi pastaj për të parën herë në jetë në Afrikë, me avion, dhe qëndroi për gati pesë muaj në Kigali. Qysh atëherë ka qenë herë pas here atje, edhe në Etiopi e Zambia e kanë angazhuar me punë.

Ekspertja e SES, Monika Kuppler në Egjipt më 2012.

Ekspertja e SES, Monika Kuppler në Egjipt më 2012.

Angazhim në më shumë se 160 vende

Shërbimi për ekspertë në moshë pensioni u krijua në 31 janar 1983 në Bon. Ai ishte fillimisht një projekt eksperimental i Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në Gjermani (DIHK) dhe i Ministrisë për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (BMZ). „Ato e themeluan SES-in, në mënyrë që të mos humbasë përvoja profesionale e çmuar e ekspertëve gjermanë, kur këta dalin në pension“, shpjegon Ute Sonnen. Në SES ajo është zëvendësdrejtore e sektorit të marrëdhënieve me jashtë. Projekti eksperimental u kthye shpejt në një programm të suksesshëm dhe në 30 vitet e fundit u arrit të kryen më shumë se 25.000 projekte në 160 vende.

Eksperti i SES, Bernd Vermehr në Namibi, 2012

Eksperti i SES, Bernd Vermehr në Namibi, 2012

SES-i nuk zbaton projekte të vetat, po vetëm reagon ndaj kërkesave. Dhe sapo gjehet një vullnetar, i cili përmbush kushtet e kërkesës, dërgohet jashtë vendit. Shpenzimet e fluturimit i merr përsipër SES-i, në këtë mes ai mbështetet edhe prej BMZ-së. Pastaj institucioni që e fton kujdeset për ushqimin dhe fjetjen. Drejtuesja e projekte të SES-it për sektorin e Afrikës, Anja Tenambergen, nuk ka dyshime se mos të moshuarit e shfrytëzojnë qëndrimin jashtë vendit për të bërë pushime. „Porosidhënësit na njoftojnë që shpesh të moshuarit janë aq të motivuar saqë në rast nevoje punojnë edhe në fundjavë".

Autor: Elizabeth Schoo/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi