Seri sulmesh në Bagdad
22 Dhjetor 2011Në një seri atentatesh me bomba në kryeqytetin irakian Bagdad, sipas të dhënave zyrtare, janë vrarë 63 vetë dhe janë plagosur gati 200 të tjerë. Bomba shpërthyen kryesisht në njëmbëdhjetë lagje të banuara nga shiitët. Meqenëse shpërthimet me sa duket u aktivizuan në mënyrë të koordinuar, si shkaktare e tyre supozohet organizata Al Kaida. Ministri Federal i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle, i dënoi atentatet. Njerëzit në Irak dhe bashkësia ndërkombëtare kanë investuar shumë për rindërtimin e vendit, tha ai. Terroristët nuk duhet t'ia dalin mbanë që ta ndalojnë këtë proces. Iraku po përjeton pak pas tërheqjes së trupave të fundit luftarake të SHBA një krizë të rëndë politike.
Këto konsiderohen sulmet më të rënda menjëherë pas largimit të ushtarëve amerikanë.
Ashpërsimi i luftës për pushtet mes shiitëve dhe sunitëve në Irak
Konflikti mes kryetarit të qeverisë shiite, Nuri al-Maliki dhe zëvendëspresidentit sunit, Tarik al Hashemi ka rritur shqetësimin për rindezjen e dhunës fetare në Irak. Drejtësia irakiane - me sa duket me ndikimin e al Malikit- ka lëshuar një urdhërarresti kundër Hashimit, me akuzën e përfshirjes në sulme terroriste. Zëvendëspresidenti është arratisur në rajonin gjysmëautonom kurd. Së fundi kryeministri Nuri al-Maliki kërcënoi me shkarkimin e të gjithë ministrave sunitë, sepse këta bojkotonin mbledhjet e kabinetit.
E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton u shpreh e shqetësuar për konfliktin dhe u bëri thirrje kundërshtarëve të dialogojnë.
Autor: dpa/Auron Dodi
Redaktoi: A Verbica