Seri shpërthimesh në qytetin e Timoshenkos
27 Prill 2012Sipas të dhënave të Ministrisë ukrainase për Emergjencat kanë ndodhur katër shpërthime të njëpasnjëshme në kohën e drekës në sheshe të frekuentuara të qytetit industrial Dnipropretrovsk, rreth 400 kilometra në juglindje të kryeqytetit Kiev. Bombat ishin fshehur në kosha plehrash. Dy prej shpërthimeve ndodhën në një stacion metroje dhe një në kinema. Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë për panik dhe skena konfuzioni në qytetin me 1,1 milionë banorë. Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç i quajti atentatet një sfidë ndaj shtetit. "Ne do të mendojmë për reagimin përkatës", tha ai. Ministri i Brendshëm ukrainas Vitali Sahartçenko deklaroi se do të shkonte menjëherë në Dnipropretrovsk. Prokuroria foli për një "atentat terrorist".
Mjekët gjermanë të gatshëm për kontrolle mjekësore për Timoshenkon
Ukraina gjendet aktualisht në qendër të kritikave për shkak të sjelljes me ish kryeministren Julia Timoshenko, e cila vuan një dënim me burgim. 51-vjeçarja e sëmurë ka hyrë në grevë urie. Mjekë të spitalit gjerman Charité janë shprehur të gatshëm ta vizitojnë edhe njëherë Timoshenkon. Shefi i Charité-së Karl Max Einhäupl ka shprehur megjithatë dyshime nëse terapia e nevojshme mund të kryhet me sukses në Ukrainë. Qeveria gjermane paralajmëroi atë ukrainase të mos luajë me kohën në rastin e Timoshenkos.