1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Serbia synon Bashkimin Evropian

Serbia do që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian si anëtare e plotë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Ky ishte mesazhi i kryeministrit serb Vucic.

"Pavarësisht se sa e vështirë është: Ne jemi të vendosur për ta bërë atë," tha 44-vjeçari në një takim të Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) dhe Forumit të sapoformuar Serbi-Gjermani.

Qeveria e tij është e gatshme për të përmbushur kërkesat e BE dhe që të zbatojë një projekt ambicioz reformash për të përmirësuar bazat ekonomike të vendit. "Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më shumë", pranoi Vucic. Sidomos klima për investitorët duhet të përmirësohet, të zgjerohet infrastruktura dhe të reduktohet burokracia. Fokusi i reformës është një ligj i ri për punën, i cili do të diskutohet këtë javë në parlament në Beograd dhe synon fleksibilitet në tregun e punës për të tërhequr investitorë të huaj.

Sipërmarrësit gjermanë të mirëpritur

Sidomos investitorët gjermanë janë të mirëpritur në Serbi, për shkak se: "Nëse qytetarët e Serbisë do të punojnë në kompanitë gjermane, ata do të mësojnë shumë," – tha Vucic.

Me krenari, kryeministri serb iu referua të dhënave të fundit ekonomike. Kështu eksportet nga Serbia në Gjermani janë rritur në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar me 25 për qind në një volum prej 344 milionë eurosh. Importet nga Gjermania në Serbi janë rritur në 400 milionë në të njëjtën periudhë me 13.8 për qind. Në të ardhmen shkëmbimi do të vazhdojë të rritet.

Për ta bërë këtë të mundshme Beogradi do të përmirësojë infrastrukturën. E nevojshme është mbi të gjitha zgjerimi i lidhjeve të autostradës dhe të trenit mes qendrave urbane të Ballkanit Perëndimor. Vucic shprehu shpresën se Bashkimit Evropian do të verë në dispozicion fonte për t'i mbështetur vendet e ish-Jugosllavisë në rindërtimin e rrugëve të tyre të shkatërruara.

Çorape gjermane Made in Serbia

Një nga sipërmarrjet gjermane që ka vite që prodhon në Serbi është fabrika me traditë e prodhimit të çorapëve Falke. Ajo prodhonte aty që para luftës në ish-Jugosllavi dhe që nga viti hatte 2012 ka rifilluar të prodhojë çorapë në Veskovac. Uwe Bergheim i firmës Falke tha se kushtet janë të pranueshme edhe pse ka vend për përmirësime. "Administrata është e komplikuar, por gjërat bëhen," tha Bergheim. Njerëzit janë të zellshëm dhe i përmbushin detyrat që u kërkohen.

Në të ardhmen administrata do të bëhet më mirë dhe kushtet më të favorshëm për investime, premtoi zëvendës kryeministri serb Kori Udovicki që shoqëronte Vucicin gjatë vizitës së tij në Berlin.

Mbështetje gjermane

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier i premtoi kryeministrit serb mbështetjen e Gjermanisë dhe vlerësoi përpjekjet e bëra deri tani nga Beogradi në rrugën e afrimit me BE-në."Serbia ka bërë gjatë dy viteve të fundit gjëra të mëdha," tha ai. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka nisur në janar të vitit të kaluar me Serbinë bisedimet për anëtarësim. "Serbia po kthehet në zemër të Evropës," tha Steinmeier. Megjithatë kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë dhe Beogradi nuk duhet të presë lehtësime apo ulje të barrierave të standardeve.