1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e re e Serbisë përballë sfidash të vështira

Dragoslav Dedovic28 Korrik 2012

"Serbia në BE" dhe "Kosova është Serbi" janë predikimet e elitës politike serbe. Ivica Daciç e di shumë mirë, që herët a vonë objektivat e tij në politikën e jashtme do të bien ndesh me njëra - tjetrën.

https://p.dw.com/p/15fhq
Daciç në parlament
Daciç në parlamentFotografi: Reuters

Struktura e pushtetit në Serbi ka ndryshuar rrënjësisht. E megjithatë gjithçka pothuajse mbetet ashtu siç ka qenë. Qeveria e sapobetuar përbëhet kryesisht nga "nacionalistë reformatorë" dhe socialistë të forcuar. Hapësira për veprim e kryeministrit të ri është mjaft e kufizuar: Së pari qeverisë i duhet të ushtrohet në parandalimin e katastrofave. Shteti serb është pothuajse i falimentuar. Rrogat e nëpunësve dhe pensionet për muajin gusht nuk janë të siguruara. Papunësia në përmasa dramatike tek të rinjtë, një ekonomi e rrënuar, plakja e popullsisë, varfëria dhe korrupsioni i kudogjendur - ky është bilanci i mandatit tetëvjeçar të presidentit të vlerësuar nga Perëndimi Boris Tadiç. Por kryeministrit të ri Ivica Daciç nuk do t'i ndihmojë aspak ngarkimi i përgjegjësisë qeverisë paraardhëse, për më tepër që ai vet si ministër i Brendëshëm ka qenë pjesë e kësaj qeverie. Atij do t'i duhet të marrë borxhe të reja, për të parandaluar, që shfaqja e tij në parlamentin serb të mos përfundojë si një tragjedi greke.

Në politikën e brendshme ai mund të mbështetet tek një shumicë e qëndrueshme. Ekipi i ministrave përbëhet nga ish-nacionalistët e vjetër me shpresë që tashmë jenë bërë më të pjekur, të larguar nga qeveria e mëparshme e përbërë nga demokratët, teknokratët e pushtetit dhe figura argëtuese nga parti të ndryshme, të cilat me siguri do të krijojnë inskenime si nëpër kabare: P.sh. gjuhëbrisku dhe agresivi, ish-ministër i Informacionit nën Millosheviçin, Aleksandar Vuçiç. Për shkak të një ligji të hartuar në ministrinë e tij u morën në pyetje 250 gazetarë dhe pesë syresh u dënuan me nga pesë vjet burg. Ndër miqtë e tij politik bën pjesë edhe nacionalisti francez Jean-Marie Le Pen. Si ministër i ri i Mbrojtjes ai ka tani të gjithë ushtrinë si një lodër në dorë. Sidoqoftë qysh nga viti 2008, ai tregohet si pro-evropian - në një mënyrë pak a shumë të besueshme. Ekuilibri i forcave mes Vuçiç dhe Daciç do të përcaktojë fatet e kësaj qeverie.

Tadiç në opozitë
Tadiç në opozitëFotografi: picture-alliance/dpa

Megjithatë kundërshtari i vërtetë i Daciçit nuk do të jenë demokratët, por dy grupime të skajshme: Reformatorët radikalë nën liberal-demokratët e Çedomir Jovanoviçit janë shumë të dobët për të bërë më shumë se sa t'i përmendin problemet, në rast se reformat mbeten në vendnumëro. Dhe euroskpetikët e partisë së vogël të ish-kryeministrit Vojislav Koshtunica, i cili do të shfrytëzojë çdo rast për të ngritur zërin kundër BE-së edhe pse tashmë i ka dalë boja me këtë.

Daciç e ka të sigurtë shumicën e dy të tretave për anëtarësimin në BE në spektrin e madh të partive të qendrës në Serbi: Demokratët e skualifikuar madje kanë përfshirë në flamurin e partisë së tyre ngjyrën evropiane. Dallimi mes mazhorancës së re në parlamentin serb, Skupština, dhe demokratëve të ulur në bankën e opozitës lidhur me çështjet kyç thuajse është i padukshëm. Fituesja e madhe, partia e Progresit e Tomislav Nikoliç, si dhe socialistët e Daciçit, ndërkohë nuk janë më nacionaliste autentike, por me karakter socialpopulist. Njëkohësisht demokratët, të cilët kryeministri Zoran Xhnixhiç i vrarë në vitin 2003 i futi në Internacionalen Socialdemokrate, kanë marrë ndërkohë si në vepra ashtu edhe në imazh ngjyrimin neoliberal.

Tadiç dhe demokratët e tij duhet të përballojnë tani shokun e humbjes dhe t'i trajtojnë me sinqeritet gabimet e bëra. Ata bënë të aftë për parketin e pushtetit një parti pothuajse në vdekje klinike - socialistët - duke marrë në vitin 2008 në trupën qeveritare Ivica Daciçin, për të siguruar shumicën. Asokohe u fol për "pajtim historik" mes socialistëve, që atëbotë kishin humbur peshën dhe demokratëve, kjo nën moton: "shefi ynë Zoran Xhinxhiç ka vdekur, shefi juaj Sllobodan Milosheviç ka vdekur - atëherë le t'i lemë me një anë konfliktet tona". Ky pajtim i inskenuar, që u realizua pa zbardhjen e së shkuarës dhe pa e mbyllur një herë e përgjithmonë trashëgiminë e Millosheviçit, kthehet tani si një bumerang politik.

Në politikën e jashtme që prej asaj kohe mbizotëron gjithashtu një konsensus mes partive të qeverisë së re dhe pjesë më të madhe të opozitës. Si parrulla "Serbia në BE", ashtu edhe ajo "Kosova është Serbi" janë predikimet e elitës politike serbe. Vet Ivica Daciç e di shumë mirë, që herët ose vonë objektivat e tij në politikën e jashtme do të bien ndesh me njëra - tjetrën. Nga studenti i shkëlqyer i shkencave politike në Beograd dhe zëdhënësi i ri e cinik i socialistëve të Millosheviçit, ai është sot një politikan i rrahur me vaj e uthull, që vepron plot taktike e rafinesë.

Ai përpiqet, ta shtyjë sa më shumë këtë përplasje, me shpresën, se Perëndimi njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia do ta vlerësojë të paktën në mënyrë simbolike. Vendet fqinjë Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina do të vëzhgojnë me shumë kujdes, se si përfaqësuesit e politikës luftarake të Serbisë nga vitet 1990 vërtetë do të veprojnë si evropianë të bindur në rajon. Mbetet të shihet nëse qeveria e re në Beograd do t'ia dalë të realizojë një pajtim të qenësishëm në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria e re duhet të luftojë papunësinë e lartë në Serbi
Qeveria e re duhet të luftojë papunësinë e lartë në SerbiFotografi: picture-alliance/dpa

Deri në vitin 2008 organi i partisë së presidentit të ri të Serbisë Tomislav Nikoliç quhej "Serbia e Madhe" Sipas një deklarate, që atij iu desh të japë me marrjen e postit të presidentit, ai ende posedon aksione të shtëpisë botuese të partisë së tij. Firma quhet "Serbia e Madhe sh.p.k.". Ndoshta kemi të bëjmë vetëm me gjurmë folklorike të një politike që i përket së kaluarës, por me sa duket biznesi i firmës vazhdon të ecë ende mjaft mirë.

Ndërkohë që në Serbi biznesi është në gjendje mjaft të keqe. Deklarata e parë qeveritare të lë të kuptosh, se reformat e shpallura për ripërtëritjen e ekonomisë do të jenë të mundimshme dhe të pasigurta. Drejtësi e vonuar: Kryeministri Daciç, ish-favorizuari i Millosheviçit dhe presidenti Nikoliç, ish-zëvendësi i nacionalistit predikues të urrejtjes Vojislav Sheshejl, të cilit po i bëhet procesi në Hagë, përmes veprimit politik ndoshta ia dalin ta shpallin zyrtarisht të dështuar projektin serbomadh. Ky është një projekt shkatërrimtar për Serbinë dhe vendet fqinjë, një projekt, të cilin e inicuan të dy këta politikanë.