1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Serbia mes UE dhe BE

Çfarë i sjellë Serbisë bashkëpunimi më i ngushtë me Unionin Euroaziatik dhe si do të reagojë Brukseli? Bashkëbiseduesit e DW thonë se UE nuk mund të jetë alternativë për Bashkimin Evropian.

Qeveria e Serbisë i paralajmëron të gjitha investimet e jashtme me muaj të tërë përpara. Ndërsa për bashkëpunimin e ardhshëm me Unionin Euroaziatik është heshtur në mënyrë misterioze. Madje edhe vet lajmi nga Astana (kryeqyteti i Kazakistanit), ku është takuar Këshilli Suprem i UE, ka mbërritur me vonesë deri tek qytetarët e Serbisë. Gazeta Politika shkruan „Putini lejon negociatat“, ndërsa Vecernje Novosti kumtoi në mënyrë triumfale: "Prodhimet serbe për 180 milionë blerës!“

Nga qeveria serbe, vetëm ministri i Tregtisë Rasim Ljajiq gjeti të arsyeshme të shpjegojë pas takimit se në dokumentin e miratuar "ekziston edhe një listë e mallrave serbe që do të shkëmbehen pa dogana". Siç dihet "Serbia është e interesuar që në këtë listë të gjendet edhe Fiat 500L, mishi dhe djathërat“, tha ministri.

Kasachstan Gründungsvertrag für die Eurasische Wirtschaftsunion 29.05.2014

Unioni Euroaziatik u themelua në maj 2014

Të dyja

Anëtare të zonës së UE janë Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Armenia dhe Kirgizia, ndërsa kësaj zone i janë bashkuar deri tani edhe Vietnami, e pritet edhe Egjipti dhe Tajlanda. Interesim kanë treguar edhe fuqitë e mëdha ekonomike. Portali rus në gjuhën serbe, Sputnjik shkruan për një Union në rritje, i cili ofron shumë lehtësime për prodhimet serbe dhe se ai mund të jetë një alternativë për integrimet evropiane.

Por një qëndrim tjetër në një bisedë me DW paraqet eksperti Mihailo Crnobrnja, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. „Unë nuk e shoh këtë si një largim nga integrimet evropiane, apo nga interesimi për anëtarësim në BE. Kjo nuk është një politikë ose - ose. Por të shohim sa do të jetë e qendrueshme kjo politikë e afrimit me të dyja unionet, në kohën kur Serbia të jetë më afër BE-së. Ndërsa tani Serbia duhet të bindë BE-në, se afrimi me Unionin Euroaziatik nuk është tendencë antievropiane.“

Si do të pozicionohet Brukseli?

Shefi i Komisionit Evropian Juncker ka kërkuar në fund të vitit të kaluar që të shikohen mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre BE dhe UE. Por prej atëherë nuk është bërë shumë, për shkak të vazhdimit të sanksioneve kundër Rusisë. Por vet Juncker do të marrë pjesë në një samit ekonomik që do të zhvillohet me 16 qershor në Sankt Peterburg. Po si do të pozicionohet BE karshi tendencave të afrimit të Serbisë me UE?

Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për Studime Euroatlantike, thotë se vështirë është të vlerësohet tani se çfarë do të ndodhë. Për DW ajo thotë se BE dhe UE nuk janë në të njëjtin nivel. Ndërsa profesori Crnobrnja mendon se raportet tregtare të Serbisë me UE do të ndërtohen sipas parimeve të CEFTA-s. Të gjitha vendet e anëtarësuara në BE janë detyruar të largohen automatikisht nga CEFTA. Kjo vlen edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë.

A ka Serbia çfarë të shes?

Serbia insiston që të shiten makinat "serbe" Fiat që prodhohen në Kragujevc, por këto marrëveshje varen në masë të madhe edhe nga koncerni amë Fiat në Torino. Megjithatë, edhe tani flitet për një interesim simbolik të Rusisë për këto makina. "Ne tërë kohën jemi duke zmadhuar rëndësinë e tregut të UE dhe nuk po shohim se Serbia nuk ka prodhime serioze që mund të shesë atje“, thotë Jelena Miliq. „Tregu i Serbisë është aktualisht rajoni jonë dhe BE.“

Enti për Statistika i Serbisë pohon se në katër muajt e parë ka rënë niveli i shkëmbimeve tregtare me BE. Më pas vijnë vendet e CEFTA-s, me të cilat Serbia ka pasur në këtë periudhë një suficit prej 600 milionë dollarë. Ndërsa shikuar vendet një nga një, në shkëmbimet e mallrave me Serbinë, Rusia është në vendin e tretë, shumë më larg nga Gjermania dhe Italia, të cilat janë në vendin e parë dhe të dytë.