1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia e gatshme për dialog por jo për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Bahri Cani11 Tetor 2012

Serbia e gatshme për dialog politik dhe teknik me Prishtinën, por jo për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tha kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq pas takimit në Beograd me komisionerin për zgjerimin e BE-së Stefan Füle.

https://p.dw.com/p/16NwN
Der serbische Premierminister Ivica Dacic mit EU Erweiterungskommissar Stefan Füle in Brüssel. Copyright: DW/Marina Maksimovic 04.09.2012
Fotografi: DW

"Komisioneri Stefan Füle më ka thënë se nuk ka kushte të reja për vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që dialogu, nëse Serbia pranon të vazhdojë atë, do të ishte neutral sa i përket statusit të Kosovës", theksoi Ivica Daçiq në një konferencë të përbashkët shtypi me Stefan Füle.

Daçiq tha se Serbia është e gatshme t'i bëjë të gjitha "por duke respektuar linjat nën të cilat nuk mund të shkohet". Kjo sipas tij do të thotë se Serbia nuk mund të pranojë kushte të cilat do të nënkuptonin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sebia pret mirëkuptim për problemet specifike të saj nga Bashkimi Evropian. E Kosova është një prej problemeve të këtilla.

"Me Fülen kemi shpjeguar çështjet në raport që kanë të bëjnë me Kosovën. Serbia është e përcaktuar për zgjidhje paqësore të të gjitha problemeve. Ne jemi të gatshëm që të ngrejmë dialogun në nivel politik, që të vazhdojmë dialogun teknike dhe që t'i zbatojmë marrëveshjet e arritura në Bruskel", theksoi Daçiq.

Sipas tij, Serbia është e interesuar të anëtarësohet në Bashkimin Evropian por në këtë rrugë do të kujdeset edhe për ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare. Sa i përket reformave, qeveria serbe do t'i vazhdojë ato, jo për hirë të BE-së por për shkak se janë në interesin e vet Serbisë.

Karte - Serbien auf dem Weg in die EU. Foto: Marina Maksimovic Aufnahmeort: Brüssel Aufnahmedatum: 16.09.2010
Serbien Beitritt EU KarteFotografi: Marina Maksimovic

Füle: Serbia mund të fillojë negociatat vitin e ardhshëm

Komisioneri Stefan Füle shprehu bindjen se Serbia mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2013. Sipas tij, negociatat do të fillojnë në momentin kur Serbia t'i realizojë përparimet e mjaftueshme që kanë të bëjnë me prioritetet kryeresore dhe kur "të përmirësojë dukshëm raportet e qëndrueshme me Prishtinën".

"Serbia është një vend i rëndësishëm i këtij rajoni dhe nuk ka pikë dyshimi se BE-ja është e përcaktuar që t'a ndihmojë këtë vend", theksoi Füle. Sa u përket interpretimeve të ndryshme të kërkesës në dokumentin "Strategjia për Zgjerimin", ku thuhet se "Serbia duhet të respektojë integritetin territorial i Kosovës", Füle shpjegoi se kjo është në harmoni me qëndrimin e Bruskelit se "nuk do të pranohet ndarja e Kosovës".

"Marrëveshjet e arritura me Kosovën duhet të realizohen. Qëllimi është që të arrihet një shkallë e duhur e normalizimit të raporteve, duke pasur parasyshë nevojat dhe dëshirat e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë", theksoi Füle.

Ai shtoi se Serbia duhet të relaizojë edhe prioritetet tjera që kanë të bëjnë me vendosjen dhe forcimin e shtetit juridik, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e institucioneve juridike, lirinë e mediave si dhe normalizimin e raporteve dhe vendosjen e bashkëpunimit të plotë me vendet fqinje.