1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sekretet e suksesit të ekonomisë gjermane

Zhang Danhong/ Auron Dodi19 Tetor 2013

Bota është e mrekulluar nga ekonomia më e madhe e Evropës, që megjithë krizën e përbotshme shënon rritje dhe i ul borxhet. Prej kohësh bëhet fjalë për "modelin Gjermania". Në se konsiston ky model?

https://p.dw.com/p/1A2Me
Fotografi: Fotolia/JiSIGN

Për suksesin e një ekonomie kombëtare, rendi ekonomik nuk është i parëndësishëm, në fund të fundit ai krijon kuadrin për aktivitetet ekonomike. Në Gjermani, ky rend mund të quhej "ekonomi sociale tregu". Ai bazohet nga njëra anë në konkurencën kapitaliste dhe nga ana tjetër i lejon shtetit të ndërmarrë korrektura sociale.

Rrënjët janë në shekullin e 19-të: "Bismarck-u, të cilin atëherë e quanin edhe "kancelar të hekurt" hapi rrugën për legjislacionin social, duke krijuar sigurimet për pensionet dhe ato shëndetësore", thotë Werner Schreiber, ish-ministër i Çështjeve sociale në landin e Saksoni-Anhaltit. Kjo u krye duke bërë një ndarje të barabartë, pra: gjysmën e paguante punonjësi, gjysmën tjetër e mori përsipër punëdhënësi. Ky parim përbën edhe sot bërthamën e legjislacionit social, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u zgjerua me politikën ndaj familjes, ndihmën sociale dhe shumë elementë të tjerë. Në ekonominë sociale të tregut bën pjesë edhe autonomia tarifore: "Kjo do të thotë se sindikatat dhe punëdhënësit bien dakord me njëri-tjetrin për pagat, pa ndikimin e shtetit", thotë Schreiber në bisedë me DW.

Mrekullia gjermane

Bashkëpunimi si partnerë midis sindikatave dhe punëdhënësve ka bërë në dekadat e kaluara që në Gjermani janë zhvilluar pak greva - një pikë tjetër shtesë për Gjermaninë si zonë ekonomike. Në një kohë kur përreth Gjermanisë papunësia kap maja rekord, në Gjermani është krijuar një mrekulli e tregut të punës. 42 milionë vetë kanë punë - kaq sa kurrë më parë në historinë e RFGJ. Ky sukses i dedikohet edhe Agjendës 2010, reformës së tregut të punës dhjetë vjet të shkuara: "Një pikë e rëndësishme këtu është krijimi i një sektori të pagave të ulëta si dhe zhdërvjelltësimi i tregjeve të punës. Kjo krijoi nga njëra anë më shumë vende pune, por nga ana tjetër edhe shumë punë që paguhen shumë keq", thotë Uli Brückner nga Stanford University.

Pavarësisht se kush do të marrë pjesë në qeverinë e re: qeveria do të përpiqet që t'i eleminojë zhvillimet negative të kësaj reforme. Do të kemi ndoshta korrigjime të vogla, në vend të kërcimeve të mëdha si Agjenda 2010: "Gjermania ka një konsensus të madh social në faktin, se ne i shohim shumë gjëra si një lloj arritjeje inxhinierike. Sistemi ynë politik është si një ingranazh, ku institucione të ndryshme lëvizin njëra-tjetrën mbi bazën e një rendi juridik", thotë Brückner në intervistë me DW. Rendimenti i inxhinierëve të vërtetë në Gjermani është i shkëlqyer. Çdo vit në tregun e punës mbërrijnë 100.000 inxhinierë dhe specialistë të shkencave të natyrës të rinj, të cilët sapo kanë përfunduar një shkollim të shkëlqyer në njërën nga 200 shkollat e larta profesionale ose në një universitet teknik.

Për produktivitetin e lartë këtu ndikon edhe fuqia punëtore që nuk ka ndjekur shkollat e larta, por që ka megjithatë një kualifikim shumë të mirë. Kjo i dedikohet sistemit dual të arsimit, që i ka rrënjët në sistemin mesjetar të shkollimit të artizanëve. Në këtë kuadër, të rinjtë i fitojnë dijet praktike në një sipërmarrje, ndërsa dijet bazë teorike i fitojnë në një shkollë profesionale. Uli Brückner sjell një shembull: "Kur punoj në sektorin e logjistikës, unë mësoj gjuhë, kontabilitet, dije për tregjet, të cilat janë si të thuash kuadri, brenda të cilit unë lëviz si ekspert i spedicionit dhe i logjistikës.

Industri e fuqishme e ndërtimit të makinave
Industri e fuqishme e ndërtimit të makinaveFotografi: dapd

Kështu që ekonomia gjermane furnizohet çdo vit me një numër të sigurtë punonjësish të specializuar. Nga kjo përfiton para së gjithash klasa e mesme - shtylla vertebrore e ekonomisë gjermane. Në klasën e mesme bën pjesë ai që nuk punëson më shumë se 500 vetë. Këta janë më shumë se 99% e tre milionë sipërmarrësve në Gjermani. Shumica e këtyre sipërmarrjeve janë në pronësi familjare. Për Klaus-Heiner Röhl, nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW) ky është edhe shkaku se pse industria mban në Gjermani një peshë prej rreth 26 përqind të rendimentit ekonomik, në një kohë kur në vendet e tjera deindustrializimi ka avancuar në një masë të konsiderueshme. "Kjo do të thotë, familja ka këtë sipërmarrje dhe asgjë tjetër, në një kohë kur në Britaninë e Madhe një sipërmarrje ka kohë që është e pranishme në tregun e kapitalit, aksionet e saj ndoshta janë blerë nga një sipërmarrje e madhe dhe dikur, fabrika mbyllet në Britaninë e Madhe, ndërsa prodhimi zhvendoset në botën e jashtme." Në Gjermani, qendra e jetës së familjes është te sipërmarrja dhe kjo natyrisht që mbetet në Gjermani, i thotë Röhl DW.

Shumica e këtyre familjeve kanë një rezervë të mirë kapitali, dhe prandaj nuk e nxjerrin në bursë sipërmarrjen e tyre. Kjo bën të mundur një orientim afagjatë: "Ato nuk bëjnë plane tremujore në përputhje të të dhënave të bursës, por i vënë vetes disa objektiva afatgjate, të cilat ndiqen. Për këtë nuk veprohet me ngut. Ekspansioni avancon aq shpejt sa mund të përballojë ndërmarrja", thotë eksperti i IW.

Meqenëse sipërmarrjet gjermane duhet të kenë sukses para së gjithash në konkurrencë me vendet e pagave të ulëta, para së gjithash nga Azia, shpesh nuk mjafton të ofrosh një produkt të mirë. Në "Made in Germany" bëjnë pjesë ndërkohë një sërë shërbimesh, mendon Röhl. "Një sipërmarrje nuk shet vetëm një makinë, por edhe e shkollon kolektivin e blerësit, ofron shërbim riparimi gjatë 24 orëve të ditës." Garancia për suksesin e "Modelit Gjermania" konsiston tek teknologjia e lartë. Gjermania është e "dënuar" të bëjë inovacione, sepse nuk ka pasuri nëntokësore të konsiderueshme. Njëmbëdhjetë përqind e punonjësve në Gjermani punojnë në sipërmarrje të teknologjisë së lartë, shumë më tepër se mesatarja e BE. Çdo vit, për kërkime shkencore jepen rreth 70 miliardë euro, më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës.

Në fushën e infrastrukturës: vetëm pak vende të botës zotërojnë rrjete të tilla të gjera të energjisë, telekomunikacionit, rrugëve, hekurudhave dhe fluturimeve si Gjermania. Që nga Berlini mund të arrish brenda 24 orësh të gjitha vendet e Evropës. Kjo sigurisht që ka të bëjë edhe me pozitën gjeografike të Gjermanisë. Të vendosur në zemër të Evropës, gjermanët kanë edhe një klimë të përshtatshme, thotë Brückner. "Ne nuk kemi valë vape të tepruar, as furtuna tufanesh, të cilat janë shok për ekonominë. Klima këtu është e moderuar dhe e freskët. Kjo bën që nëpër shekuj në Gjermani janë krijuar kushte më të përshtatshme rritjeje ekonomike dhe prodhimi, se në skajet e Evropës. Edhe nga kjo Gjermania nuk përfiton pak."