1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

141111 Israel Atomwaffen

14 Nëntor 2011

Kritikët e programit atomik iranian i shohin të konfirmuara kritikat pas publikimit të raportit të IAEA-së. Aty thuhet se Irani i përdor pajisjet e tij atomike për të prodhuar fshehtas armë atomike.

https://p.dw.com/p/13AU6
E gjithë bota e di se Izraeli është fuqi atomike
E gjithë bota e di se Izraeli është fuqi atomikeFotografi: AP/DW

Në dhjetor 2006, para pesë vjetësh, ish-kryeministri i Izraelit Olmert shqiptoi në një intervistë një gjë që deri atëherë nuk e kish pranuar asnjë politikan në Izrael. Në një intervistë me kanalin televiziv N24 atij i shpëtoi pa dashur një fjali për fuqinë ushtarake të vendit të tij: "Irani kërcënon hapur, shprehimisht dhe publikisht se do ta zhdukë nga harta Izraelin. A mund të thuhet se kemi të bëjmë me të njëjtin nivel, kur ata përpiqen të zotërojnë armë atomike si Amerika, Franca, Izraeli, Rusia?"

Olmerti e futi me këtë fjali Izraelin si në mënyrë të vetëkuptueshme në radhën e fuqive atomike. Por zyrtarisht Izraeli nuk ka armë atomike - dhe megjithatë, e gjithë bota e di se Izraeli është fuqi atomike. Dimona në shkretëtirën Negev, kaq dihet jozyrtarisht, është rezidenca e kërkimeve atomike izraelite dhe e prodhimit atomik. Nëse në ministritë izraelite pyet nëse Izraeli zotëron armë atomike, zakonisht dëgjon: "Izraeli nuk do të jetë vendi i parë që do të fusë armë atomike në rajon."

Por kjo fjali karakteristike dhe e paqartë ka kohë që është kapërcyer, më e vonta që në 5 tetor 1986. Në këtë datë, gazeta britanike "Sunday Times" zbuloi në faqen e saj të parë "Sekretet e arsenalit bërthamor të Izraelit", megjithë fotografi dhe vizatime. Informues i gazetës ishte një teknik i pajisjeve bërthamore nga Dimona.

Mordechai Vanunu
Mordechai Vanunu, zbuloi sekretet e armëve atomike izraeliteFotografi: AP

"Unë jam Mordechai Vanunu, njeri pas artikullit të Sunday Times të 5 tetorit 1986, artikull për armët bërthamore të Izraelit." Për 18 vjet Vanunu qëndroi më pas në burgjet izraelite, për shumë vite në burg izolimi. Edhe sot, ai nuk është njeri krejtësisht i lirë. Ai nuk lejohet t'u japë gazetarëve të huaj intervista dhe nuk lejohet të largohet nga Izraeli.

Në bazë të informacioneve të Vanunut, ekspertët besojnë se Izraeli ka në zotërim rreth 300 koka me mbushje bërthamore. Herë pas here, shtete aleate ndihmuan në ndërtimin e fuqisë atomike izraelite. Që në vitet '50 SHBA dërguan një reaktor kërkimesh atomike, Franca ndërtoi një reaktor tjetër dhe një pajisje për përpunimin e elementëve bërthamorë. Edhe Gjermania e ka mbështetur indirekt Izraelin. Në vitin 1999, RFGJ nisi lëvrimin e nëndetëseve të tipit "Dolphin". Ekspertët besojnë se ato mund të pajisen me raketa atomike.

Fotografia është bërë nga IAI, Industria izraelite e hapësirës ajrore
Fotografia është bërë nga IAI, Industria izraelite e hapësirës ajroreFotografi: AP

Autor: Sebastain Engelbrecht/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama