1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas referendumit në Krime

Lindita Arapi17 Mars 2014

BE, SHBA dhe NATO nuk e njohin rezultatin e referendumit në Krime. Vendosen sanksionet e para kundër Rusisë. BE do të kufizojë udhëtimet në BE e do të bllokojë xhirollogaritë e 21 personave.

https://p.dw.com/p/1BQjR
Van Rompuy - BarrosoFotografi: picture-alliance/dpa

Të hënën (17.03) ministrat e Jashtëm të BE-së, në një takim në Bruksel vendosën sanksione kundër një grupi qyterarësh rusë dhe disa pushtetmbajtësve të Krimesë. Bëhet fjalë për ndalim udhëtimi në BE dhe bllokimi i xhirollogarive të 21 personave me pasuri ruse në BE. Edhe SHBA ka vendosur sanksione kundër Rusisë, bën të ditur Shtëpia e Bardhë. Në sHBa janë bllokuar pasuritë e 7 politikanë të nivelit të lartë në Rusi, përfshi edhe deputetë, zëvendëskryeministrin rus, Dmitri Rogosin. Në listën e sanksioneve ndodhet edhe ish-presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, dhe kreu i qeverisë së Krimesë, që nuk njihet nga Kievi, Sergej Aksjonov. Hapin e dytë në raport me Rusinë, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së e kanë bërë të ditur që para dhjetë ditësh. Meqënëse Rusia nuk po jep shenja të pjesëmarrjes në grupin ndërkombëtar të kontaktit apo të bisedimeve bilatarele me Ukrainën për zgjidhjen e krizës, duhet të veprohet për ta bërë Rusinë të ndryshojë qëndrim.

Disa shtete të BE-së, si Spanja apo Qiproja paralajmërojnë nga qëndrimet shumë të ashpra kundër Rusisë. Megjithatë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili për momentin drejton edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është shprehur se Rusia është izoluar nga ana ndërkombëtare. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier e cilësoi situatën si "tepër të rrezikshme". Qeveria gjermane si edhe shumë qeveri të tjera në BE është e mendimit që Rusisë edhe pas vendosjes së sanksioneve, duhet t'i jepet mundësia për bisedime dhe zgjidhje diplomatike të krizës.

BE, SHBA, NATO nuk njohin rezultatin e referendumit

Bashkimi Europian, NATO, Këshilli i Europës dhe grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës janë të një mendimi: Nuk njihet rezultati i referendumit për pavarësi në gadishullin e Krimesë. Që para përfundimit të votimit të dielën, kreu i Këshillit të BE-së, Herman van rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso deklaruan së bashku në Bruksel: "Referendumi është ilegal dhe rezultati nuk do të njihet. Të dy krerët e lartë europianë përsëritën kërkesën e tyre të reduktojnë trupat ruse në numrin që ato kishin para krizës. Ashtu si të 28 krerët e shteteve europiane më 6. Mars, van Rompuy dhe Barroso kërkuan edhe njëherë respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Në deklaratën e përbashkët thuhet: "Një zgjidhje e krizës është e mundur po qe se ne së bashku punojmë në një proces diplomatik, në të cilin përfshihen bisedime mes qeverisë së Ukrainës dhe Rusisë."

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi që të shtunën se aleanca perëndimore e sheh referendumin si shkelje ligjore. "Federata ruse duhet të veprojë me përgjegjësi, duhet të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të ndjekë ato parime, që janë fiksuar në Këshillin NATO-Rusi.

Nuk ka zgjidhje afatshkurtër për çështjen e Krimesë

Edhe Këshilli i Europës e ka kritikuar referendumin në Krime dhe tregoi "solidaritet me njerëzit në Ukrainë". Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thobjörn Jagland u shpreh për Deutsche Welle-n se nuk beson se gjërat do të zhvillohen deri në një luftë në Krime,, por edhe se "nuk kam shpresë që do të gjejmë shpejt një zgjidhje për Krimenë. Ndoshta në të ardhmen është e mundur ta gjejmë një zgjidhje.

Ukraine Russland Krim-Krise Merkel 06.03.2014
Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë edhe presidenti rus, Vladimir Putin nuk është pro ngritjes së një grupi ndërkombëtar të kontaktit dhe për fillimin e bisedimeve. Në një telefonatë të fundit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Putin ra dakord që të dërgohen më shumë vëzhgues të OSBE-së në Ukrainë.

Hapi i tretë i shkallëzimit në Ukrainën lindore

Sikur Rusia, edhe pas së hënës së sanksioneve, nuk do të jetë e gatshme të marrë pjesë në grupin e kontaktit dhe të nisë bisedime direkte me qeverinë në Kiev, atëherë ende nuk dihet qartë se si do të veprojë BE. "Hapi i tretë" sipas samitit të krerëve të qeverive dhe shteteve të BE-së do të ishin sanksionet ekonomike dhe tregtare. Këto do të hynin në fuqi vetëm po qe se Rusia ka qëllim të destabilizojë situatën në Lindjen e Ukrainës apo madje do të dërgonte trupa atje.

Së fundmi ka pasur njoftime për konfrontime të demonstruesve pro-rusë me trupat ukrainase. Moska bëri të ditur se bëhet fjalë për "thirrje ndihme" të rusëve etnikë në Ukrainën lindore, ku shumica e popullsisë është ruse.