1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti përfundoi - Çfarë do të mbetet në kujtesë?

Samiti i G20-s dënoi qartë dhe njëzëri dhunën e pakuptimtë të demonstruesve në Hamburg. Ndërkohë në sallën e samitit mungonte uniteti i plotë në çështjen e klimës dhe tregtisë së lirë.

Në fund të samitit të G20-s në Hamburg kancelarja Angela Merkel pati edhe një takim të veçantë. Ajo falënderoi në një nga hollet e panairit, ku u mbajt samiti përfaqësuesit e policisë, që ditët e fundit siguruan punimet e samitit. Shkallëzimin e dhunës nga kundërshtarët militantë të globalizimit e dënoi edhe kancelarja. „Kush vepron kështu, ai nuk do të shprehë kritikë për politikën. Kush vepron kështu, e vendos veten jashtë bashkësisë demokratike." Merkel premtoi ndihma për viktimat e dhunës.

Por banorët e lagjeve të Hamburgut, Schanzenviertel apo Altona, ku u shkatërruan dyqane dhe u vu zjarri automjeteve nuk mbetën të kënaqur me punën e policisë. Kritika ka pasur edhe ndaj kryebashkiakut të Hamburgut, Olaf Scholz që kishte thënë më parë se e garanton sigurinë. Megjithatë në fortesën, ku u takuan 19 krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s, nuk depërtoi ndonjë demonstrues. 20.000 forca policore nga e gjithë Gjermania dhe shtetet fqinje mundën ta pengonin këtë.

Pa ujdi në mbrojtjen e klimës

Në fund të samiti vendet pjesëmarrëse të G20-s ranë dakord për një deklaratë përfundimtare që mbetet e mjegullt në disa pjesë të saj. Ujdi kishte në çështjen e rregullimit të tregjeve financiare e bllokimit të burimeve të financimit të terrorizmit e evazionit fiskal. Ky është edhe qëllimi bazë i G20-s i krijuar e përfolur si "qeveri botërore” në kulmin e krizës financiare në vitin 2008.

Por tek tema e ngrohjes globale konsesusi mori fund. Këtu ishin vetëm 19 vende të bashkuara, sepse SHBA e ka bërë të ditur largimin nga Marrëveshja e Klimës. Presidenti Donald Trump nuk donte të pranonte në Hamburg objektivin e reduktimit të emetimeve të gazrave ndotës.

"Aty ku mungon konsesusi, duhet të shqiptohet dasia”, tha Merkel që shprehu keqardhjen për largimin e SHBA-së nga kjo marrëveshje. "Jam mirënjohëse, që të gjithë krerët e qeverive dhe vendeve të tjera e shohin Marrëveshjen e Parisit si të pakthyeshme”, tha Merkel. Presidenti Trump u mjaftua vetëm me kontributin amerikan për vendet e tjera që duan të përdorin me teknologji të pastër energjitë fosile.

Trump lë përshtypje të mirë tek Putini

Presidenti amerikan, Donald Trump nuk u shqetësua nga ky izolim ndërkombëtar. Ai e falëndoroi me superlativa kancelaren Merkel për stilin e saj të drejtimit të samitit, një drejtim "fantastik”, sipas Trump. Skenën e Hamburgut ai e përdori për takime bilaterale. Takimi i parë i Trumpit me Putinin, sipas administratës amerikane ishte i suksesshëm. Trump ka biseduar për përzierjen ruse në fushatën zgjedhore të SHBA-së, por Putini ka hedhur poshtë këto fajësime. Putin tha në një konferencë për shtyp pas takimit, se është vendosur baza për një bashkëpunim të mëtejshëm. Përshtypja e Putinit është se "Trumpi i televizioneve dallon shumë nga Trumpi në realitet.”

Tregtia e lirë: SHBA bën lëshime

Ndërsa në çështjen e tregtisë së lirë, vendet pjesëmarrëse të G20-s arritën të kishin një ujdi, përkundër rezistencës amerikane ditë me radhë. Samiti pranon tregtinë e lirë dhe kërkon të forcojë instrumentet që vihen në funksionim, kur kjo tregti e lirë rrezikohet. Si arbitër do të mbetet edhe në të ardhmen Organizata Botërore e Tregtisë. Po ashtu përmendet në deklaratën përfundimtare edhe mundësia e hyrjes në tregje, një kritikë për Kinën, që përpiqet të mbrojë firmat e saj nga konkurrenca e investitorëve të huaj.

Donald Trump u shpreh kundër marrëveshjeve multilaterale, sepse sipas tij ato "nuk janë të drejta” për SHBA. Ai kërkon marrëveshje bilaterale, si psh me Britaninë e Madhe që kërkon të dalë nga BE. Megjithatë samiti ia doli të ketë një ujdi në këtë drejtim. "Përmes tregtisë së përbashkët ne mund të arrijmë më shumë se vetëm”, tha Merkel, një qëndrim që u nda nga të gjithë pjesëmarrësit.

Partneritet me Afrikën

Kancelarja Merkel arriti të realizonte edhe një dëshirë të saj në samit. G20 do të çojë përpara investimet për Afrikën. Përmes investimeve të drejtpërdrejta të firmave kërkohet t'i jepet hov ekonomisë afrikane. Shtetet e G20-s duan të ndihmojnë vendet afrikane me shtimin e financimeve që të mundësohen investimet e të krijohen perspektiva ekonomike. Plani "Compact with Africa” është pjesë e strategjisë së BE-së kundër valëve të migrimit nga kontinenti afrikan. Investimet gjermane në Afrikë përbëjnë vetëm 1% të investimeve të huaja në kontinent, listën e kryeson Kina, që nuk merret shumë gjatë me çështjet e mirëqeverisjes në vendet afrikane.

Oxfam nuk shikon komponenten sociale në samit

G20 ra po ashtu dakord të luftojë më fort epidemitë në botë dhe të mbështesë arsimimin e grave. Gratë dhe arsimi janë elementë kyç të zhvillimit dhe mirëqenies, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit. Në samit morën pjesë edhe organizata të shumta të shoqërisë civile. Jörn Kalinski nga Oxfam, organizatës për ndihmën e zhvillimit theksoi se „po bëhet gjithnjë e më e qartë, se G20 nuk është një grup homogjen, se interesat e vendeve të ndryshme bien gjithnjë e më shumë ndesh me njëri-tjetrin." Oxfam kërkonte që tema "e padrejtësisë sociale” të vendosej në axhendën e samitit. Por kjo nuk u bë. Në bisedë me Deutsche Wellen, Kalinski tha se, kjo padrejtësi sociale po e hedh në erë unitetin brenda shoqërive, dhe "ky është një rrezik për demokracinë”.

Ndërkohë Donald Trump, në ditën e dytë të samitit u përfaqësua nga vajza e tij, Ivanka. Një stil i ri. "Kjo është brenda kuadrit të së mundurës”, u shpreh presidentja e samitit, Angela Merkel, pa lëvizur asnjë qerpik. Vitin e ardhshëm samitin e G20-s e organizon Argjentina.