1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti i BE-së: Përsëritje e premtimit për Ballkanin

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së tradicionalisht konsultohen në samitin e marsit për ekonominë, rritjen e saj e reformat. Por këtë herë ata do të konsultohen edhe për gjendjen në Ballkan.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk do të donte ta zgjaste mandatin e tij edhe me dy vjet të tjera, normalisht një procedurë disa minutëshe për krerët e shteteve dhe qeverive në samitin e marsit në Bruksel. Këtë herë është ndryshe: Qeveria polake ka refuzuar zgjatjen e mandatit të kreut të Këshillit të BE-së. Kryeministrja Beata Szydlo në një letër pretendon se Tusk, ish-kryeministër polak, që i përkiste partisë "Platforma Qytetare" (PO) është përzier në mënyrë të palejueshme në politikën e brendshme polake. "Nuk mund të lejojmë një rast precedent", thuhet në letrën e Szydlos drejtuar 27 krerëve të BE-së. Prova për këtë nuk sillen.

Polonia provon rebelimin

Sfond i këtij sulmi ndaj Tusk duhet të jetë grindja mes qeverisë së Varshavës dhe Komisionit Europian, që akuzon qeverinë polake për keqpërdorim të parlamentit dhe shkelje të parimeve të shtetit ligjor. Donald Tusk kërkoi në dhjetor respektimin e shtetit ligjor edhe në Poloni. Krahas këtyre akuzave, partia qeverisëse, PiS akuzon Tusk edhe për vdekjen e vëllait binjak të kreut të partisë PiS, Lech Kaczyinski. Ai ndërroi jetë gjatë rrëzimit të avionit në vitin 2010 në Smolensk. Komisioni hetimor kishte dhënë konkluzionin, se përgjegjës për katastrofën ishte piloti dhe moti. Por PiS mendon pas kësaj komplot, ku fshihet edhe Tusk.

Großbritannien EU-Ratspräsident Donald Tusk (picture-alliance/dpa/A. Rain)

Donald Tusk

Qeveria polake dëshiron që në këtë post të mbetet një polak, prandaj ka ofruar një kundërkandidat, Jacek Saryusz-Wolski. Por sipas të dhënave nga qarqet qeveritare gjermane, rizgjedhja e Tusk është punë e mbaruar, sepse qeveria polake nuk ka aleatë për kandidaturën e saj.

Ballkani Perëndimor

Pas vendimit për këtë çështje personeli, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor. Ata do të shqyrtojnë gjendjen në krahun juglindor të Europës, zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve, që aspirojnë për të hyrë në BE. Një përfaqësues i qeverisë gjermane tha se vendet e Ballkanit nuk duhet të krijojnë përshtypjen se BE merret vetëm me veten, me Trump apo Brexit. Zhvilimet në fqinjësinë e drejtpërdrejtë të BE ndiqen me vëmendje nga BE dhe për to flitet. Pritet që samiti të përsërisë edhe njëherë premtimin për paqe në Ballkan përmes perspektivës europiane.

EZB Mario Dragi Leitzins bleibt auf Rekordtief (picture-alliance/dpa/F. von Erichsen)

Mario Draghi

Ekonomia

Zhvillimi ekonomik në BE, sipas Komisionit Europian ka ecur më mirë se pritej. KE rekomandon ndjekjen e rrugës së reformave. Pritet që në samit të flasë edhe kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi. Ai kritikon krerët e shteteve dhe qeverive të BE për vullnet të vakët për reforma, duke e kaluar përgjegjësinë për zhvillimin ekonomik tek Banka Europiane.

Tema të nxehta si gjendja ekonomike në Greqi, politika tregtare me qeverinë e Trumpit në SHBA nuk do të preken. Edhe Brexit, pra dalja e Britanisë së Madhe nga unioni nuk qëndron në rend të ditës. Pas dy javësh BE dëshiron të miratojë një deklaratë të posaçme në festimet e 60-vjetorit të unionit - marrëveshjeve të Romës. Nga kjo deklaratë pritet edhe kursi i ardhshëm i BE-së. Shumica e shteteve të BE duan uljen e tempit të integrimi dhe një Europë të shpejtësive të ndryshme në bashkëpunimin në fusha të ndryshme.