Merkel USA Abrüstungsgipfel
12 Prill 2010Gjermania e merr seriozisht rrezikun e rënies së materialit nuklear në duart e terroristëve. Prandaj kancelarja Angela Merkel në konferencën e organizuar për këtë temë nga presidenti amerikan Barack Obama do të theksojë masat gjermane për sigurimin e materialit bërthamor, tha zëdhënësi i qeverisë Ulrich Wilhelm para udhëtimit të Merkelit në Uashington.
"Për shembull, kur bëhet fjalë se si mund të ballafaqohemi me kërcënimin e mundshëm terrorist dhe ndër të tjera se çfarë kontributi mund të sjellin aktivitetet kombëtare, që materiali bërthamor të mbetet në qarqe të sigurta. Kështu për shembull në ligjin për lëndët bërthamore ne kemi urdhëresa dhe rregulla, të cilat nuk i kanë shumë prej vendeve të tjera."
Një rrezik i nënvlerësuar është edhe sasia e lartë e uranit të pasuruar, që ndodhet në qarkullim për qëllime hulumtuese shkencore dhe nëpër spitale, thuhet në Berlin. Kjo sasi mund t'iu shërbejë terroristëve për prodhimin e të ashtuquajturave bomba të papastra, tek të cilat lënda plasëse konvencionale përzihet me material radioaktiv.
Masa për mbrojtjen e materialit bërthamor
Në samitin dyditor për sigurinë bërthamore në Uashington shtetet pjesëmarrëse duan të detyrohen që të përpiqen më shumë për mbrojtjen e materialit bërthamor dhe të përpilojnë një plan të detajuar pune. Gjermania do të verë në dispozicion edhe 10 milionë të tjerë për Organizatën Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në Vjenë si mbështetje për masat, që duhet të ndërmarrë ajo për sigurinë mbarëbotërore bërthamore, thuhet në Berlin.
Pranimii të burgosurve të Guantanamos nga Gjermania mbetet i hapur
Në takimin e planifikuar të Merkelit me presidentin Obama ( të martën rreth orës 18.00 sipas kohës lokale në Uashington) do të bisedohet për Iranin, Lindjen e Mesme, Afganistanin, gjendjen në Pakistan dhe ekonominë botërore, tha zëdhënësi i qeverisë Wilhelm. Mesazhi për Obaman se edhe Gjermania përfundimisht do të pranojë disa prej të burgosurve në Guantanamo nuk ndodhet në valixhen e kancelares Merkel.
"Ekziston gatishmëria parimore e qeverisë federale, që me palën amerikane të bisedojë për raste unike. Këto bisedime zgjasin, kjo do të thotë se shqyrtimi i rasteve vazhdon dhe se deri tani nuk kemi ndonjë risi, për të cilën do të mund të bisedohej në nivelin e presidentit amerikan dhe kancelares gjermane."
Qeveria federale e ka punën pisk, sepse landet gjermane, përgjegjëse për strehimin e tyre, hezistojnë t'i pranojnë. Ato frikësohen se ish të arrestuarit përbëjnë një rrezik për sigurinë. Politikanët e opozitës si shefja e ekologjistëve Claudia Roth flasin për një fyerje të rëndë, në rast se kancelarja Merkel shkon duarbosh në Uashington. Marrëdhëniet mes Gjermanisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera, thuhet nga ana tjetër në qarqet qeveritare në Berlin. Asnjëherë më parë nuk ka pasur kontakte kaq intensive si ne mes të Obamas dhe Merkelit.
Kancelarja pas përfundimit të samitit për sigurinë bërthamore do të vizitojë edhe Kaliforninë, ku do të takojë guvernatorin Arnold Schwarzenegger, si dhe shkencëtarë e sipërmarrës. Përveç kësaj ajo pritet të mbajë edhe një fjalim në Universitetin Standford.
Autor: Bernd Gräßler/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica