1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa mund të ndikojë Kina tek Koreja e Veriut?

25 Nëntor 2010

Pas sulmit me granata kundër Koresë së Jugut po shtohet presioni ndaj Kinës, që ajo të ndikojë te Koreja e Veriut. Kina është aleatja e vetme e koreanoveriorëve dhe jep prej vitesh ndihmë ekonomike dhe diplomatike.

https://p.dw.com/p/QHGE
Njerëzit në Korenë e Jugut lexojnë me vemendje shtypin në lidhje me incidentin e funditFotografi: AP

Askund Kina dhe Koreja e Veriut nuk janë të lidhur më ngushtë me njëri-tjetrin se sa në qytetin Dandong në verilindje të Kinës. Në urën e miqësisë mbi lumin Yalu kalojnë çdo ditë kamionë dhe trena nga Kina për në Korenë e Veriut dhe anasjelltas. Përmes urës së miqësisë zhvillohet pjesa më e madhe e tregtisë së dy vendeve. Mallra në vlerë prej 1,3 miliardë dollarësh janë transportuar vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Korea e Veriut ka nevojë urgjente për furnizimet nga Kina, për ushqime, por edhe për naftë, e cila rrjedh nga Kina për në Korenë e Veriut përmes tubacioneve speciale në afërsi të Dandong-ut.

China Hu Jintao trifft Korea Kim Jong Il
Presidenti kinez Hu Jintao, me sundimtarin e Koresë së Veriut, Kim Jong në Pekin, maj 2010Fotografi: AP

Kina ka ndikim më të madh se asnjë vend tjetër mbi Korenë e Veriut

Kështu pohon profesori Niu Jun i Universitetit për Studime Ndërkombëtare në Pekin. Por ndikimi nuk është absolut. Nëse Koreja e Veriut nuk ia vë veshin Kinës, kush mbetet atëherë? Edhe Penjani ka nevojë për një minimum mbështetjeje ndërkombëtare. Edhe historikisht dy vendet kanë patur lidhje të ngushta. Në luftën e Koresë Kina i ka mbështetur ushtarakisht koreanoveriorët. Që prej vitit 1961 ekziston marrëveshja e miqësisë. Dy herë Kim Jong Il ka qenë këtë vit në Kinë. Gjithmonë Penjani ka marrë ndihmë nga Pekini. Në KS të OKB-së fuqia me të drejtë vetoje Kina ia ka dalë disa herë të kundërshtojë qëndrimet më të ashpra kundër Koresë së Veriut. Madje edhe pas provave atomike të viteve 2006 dhe 2009, dëbimit të inspektorëve bërthamorë dhe ndërprerjes së bisedimeve gjashtëpalëshe. Provokimet e pandërprera nga Penjani janë në fakt në kundërshtim me interesat kineze.

Ndikimi i Kinës te Korea e Veriut nuk duhet mbivlerësuar

Megjithë lidhjet e ngushta nuk duhet mbivlerësuar ndikimi i Kinës mbi sundimtarët në Penjan, thotë eksperti britanik për Korenë e Veriut, Jasper Becker.

Karte Krise Nordkorea Südkorea Yeonpyeong Inseln Flash-Galerie englisch
Dy marinarë koreanojugorë u vranë dhe 17 u plagosën nga granatat koreanoveriore

„Kim Yong Il nuk ka besim te kinezët. Ata nuk kanë qasje as në rrethin e tij të ngushtë dhe as në proceset e vendim-marrjes. Prej tyre ata janë të përjashtuar. Dhe përsa i përket rrugës kineze të hapjes ekonomike, këtë Kimi e refuzon me vendosmëri", pohon ai.

Por pas goditjes së Koresë së Jugut me granata, Pekinit i bëhet thirrje që të ushtrojë ndikimin e tij mbi Phenianin. Në rast nevoje edhe presion ekonomik me sanksionet e reja. Por Kina ka frikë se kjo mund të çonte në destabilizimin e fqinjit të varfëruar.

Kina e sheh Korenë e Veriut si një zonë tampon

Nordkorea will Landesgrenze zu Südkorea schließen
Manifestim në Penjan, 04.01.2008Fotografi: picture-alliance/dpa

„Nëqoftëse vendi falimenton, kjo bie mbi ne“, thotë profesori Shi Yinhong i Universitetit Popullor i Pekinit. Kjo duhet të pengohet me gjithë fuqinë. Sepse në rast të një epidemie urie, apo të një kolapsi të Koresë së Veriut, Kina i druhet valës së refugjatëve, që do të vinin nga kufiri në Dandong. Edhe një ribashkim me jugun nuk do të ishte zgjidhja për Kinën. Kina e sheh Korenë e Veriut si një zonë tampon. Nëqoftëse ajo nuk është më, trupat amerikane do të gjendeshin direkt para kufirit kinez. Në Pekin janë të interesuar të ruajnë statusquonë, edhe pse ushqejnë pak simpati për Kim Yong Il dhe familjen e tij. Dhe kundërshtojnë vazhdimisht dëshirat e Uashingtonit, që të rritet presioni mbi Penjanin.

Autor: Ruth Kirchner/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani