1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa larg janë Polonia dhe Ukraina?

19 Mars 2012

Përgatitjet sollën shumë probleme, por gati dy muaj para kampionatit evropian në futboll Polonia dhe Ukraina janë optimiste. Të dy vendet kanë investuar shumë për festën e futbollit europian

https://p.dw.com/p/14MmT

Aparati që duhet të ngjisë dokumentat e akreditimit nuk funksionon. Ose është nxehur shumë. Me saktësi këtë nuk e di askush në konteneierin e vogël të ndërtimit para stadiumit kombëtar të Varshavës. Ngjeshur pranë njëri-tjetrit, duzina gazetarësh presin akreditimin. Por radha nuk lëviz, që prej gati një ore. Shtypi ndërkombëtar është ftuar për të raportuar për hapjen e arenës së re sportive në kryeqytetin polak - brenda nuk futet kush, sepse personeli i mbingarkuar akoma ka probleme me aparatin që përgatit akreditimet. Një seri avarish të vogla përreth stadiumit, në të cilin më 8. Qershor fillon Kampionati Europian.

Jo pa probleme

Qëllimi për këtë stadium që në fillim gjithmonë ka sjellë probleme është ta kthejë atë në një objekt prestigjioz të bumit të Varshavës. Tetë muaj më vonë se planifikimi u hap ovalja e veshur me të kuqe e të bardhë, ndërkohë që policia nuk e lejoi hyrjen për shkak të rreziqeve për sigurinë. Si pasojë u largua nga posti drejtuesi i qendrës sportive kombëtare dhe kryeministri polak, Donald Tusk u detyrua të sqaronte akuzat për shpërdorim të fondeve publike.

Pamje nga punimet në Wroclaw - Dhjetor 2009
Pamje nga punimet në Wroclaw - Dhjetor 2009Fotografi: DW

Me 350 milionë euro kosto ndërtimi stadiumi i Varshavës është relativisht i lirë. Rinkonstruksioni i stadiumit olimpik të Kievit, në të cilin do të luhet finalja më 1. Korrik kushtoi 585 milionë euro. Pyetja që shtrohet pse kushton ndërtimi i një stadiumi të tillë në Gjermani shumë më pak se në Ukrainë? Këtë pyetje shtroi boksieri kampion dhe politikani i nivelit lokal, Vitali Klitschko. Gazetari Mark Rachkevych nga gazeta "Kyiv Post" ka një përgjigje për këtë: "Blerja e pjesëve të ndërtimit pati probleme, pati shpërdorim parash, dokumentat e doganës u falsifikuan", thotë eksperti për kampionatin europian. "Qeveria e mbrojti këtë me deklaratën se çdo gjë duhej të zhvillohej shpejt, sepse UEFA kërcënoi me heqjen e së drejtës të kampionatit."

Ky rrezik ishte real. Para një viti e gjysmë, Michel Platini, presidenti i UEFA-s, kërcënoi vërtet me mbylljen e bashkëpunimit me Ukrainën. "Nuk ka aeroporte, nuk ka shumë hotele, kështu ka për të qenë e vështirë." u shpreh francezi më i rëndësishëm i futbollit europian.

Apel që ra në veshët e duhur

Por që nga apeli i Platinisë kanë ndryshuar shumë gjëra. Të tetë stadiumet janë gati në kohën e duhur. Janë ndërtuar linja të reja tramvajesh, janë zgjeruar rrjetet hekurudhore, dhe janë hapur aeroporte. Të dy vendet ndërmorën programe të mëdha infrastrukturore dhe zbatuan shumicën e projekteve të ndërtimit.

Pamje nga Kievi - Ukrainë
Pamje nga Kievi - UkrainëFotografi: tov-tob.livejournal.com

Disa nga autostradat e planifikuara nuk janë gati në kohën e duhur, po ashtu edhe aeroporti i dytë i Varshavës. "Polonia është kantieri më i madh i ndërtimit në Europë" shprehet Michael Piotrovski, zëdhënës i shoqërisë së infrastrukturës "PL.2012". Ky vend ka investuar rreth 20 miliardë euro në infrastrukturë. Por kanë qenë shpenzime të qëndrueshme. Gjithçka që kemi ndërtuar do ta përdorim edhe më vonë".

Edhe pala ukrainase ka bërë shumë, thotë tregtari i suvenirëve nga qyteti i Lembergut, Sergej Barisovic. "Për qytetin është bërë shumë. Shumë rrugë ishin që nga koha e car Peterit dhe ishin në gjendje të keqe. " Barisovic shpreson që edhe dyqani i tij të përfitojë nga kampionati, por mbetet skeptik. "Kam frikë se vetëm elitat do të përfitojnë nga kampionati dhe jo populli i thjeshtë."

Shpresa për zhvillim

Ndryshe mendon kryetari i bashkisë së Lembergut, Andrey Sadovoy. Ai flet para së gjithash për progresin që sjell kampionati. "Ëndrra jonë është që të ngremë një qytet ku ia vlen të jetohet. Lemberg do të jetë zemra e kampionatit", premton ai dhe kujton historinë ukrainase dhe polake të këtij qyteti multikulturor, që mund të kthehet në nyjë lidhës mes dy vendeve mikpritëse.

Pamje nga qyteti i Lembergut
Pamje nga qyteti i LembergutFotografi: DW

Por ndoshta këtë mund ta bëjnë edhe njerëzit e thjeshtë si Piotri dhe Svetlana. Piotri është polak, ndërsa Svetlana ukrainase. Ata janë të martuar prej vitesh, jetojnë në Varshavë dhe kanë ardhur ne ceremoninë e festës së hapjes së stadiumit. Ata duan së paku ta shohin njëherë nga brenda arenën e madhe, sepse biletat e ndeshjeve janë për ta shumë të shtrenjta. "Është një shans i madh për ne" thotë Svetlana, ndërsa shoku i saj e plotëson: "Shumë europianë duket se nuk e njohin Poloninë dhe Ukrainën. Shpresoj që ky kampionat të ndryshojë diçka."

Autor: Joscha Weber/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti