1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish asnjë marrëveshje për Greqinë

Christoph Hasselbach/Eliana Xhani21 Nëntor 2012

Pas orësh të gjata konsultimesh deri natën vonë ministrat e financave të eurozonës e shtynë sërish vendimin për Greqinë. Atmosfera negative do të ndihet edhe në samitin për buxhetin afatgjatë të BE-së.

https://p.dw.com/p/16n9t
Fotografi: Reuters

Greqia ka livruar, tani është radha jonë." Me këtë fjali shprehu shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker vlerësimin për programin grek të reformave dhe kursimeve, vlerësim që ndahet ndërkohë nga të gjithë ministrat e Financave të eurozonës. Por një vendim për këstin e ardhshëm të kredisë prej 30 miliardë nga programi aktual i ndihmës, ende nuk është marrë. Pas rreth 12 orë negociatash deri në orët e vonëta të natës, të mërkurën në mëngjes (21.11.) Juncker u detyrua të pranojë dështimin e përkohshëm të bisedimeve. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble u shpreh: "Meqenëse bëhet fjalë për çështje shumë të komplikuara nuk arritëm të gjejmë një zgjidhje përfundimtare dhe për këtë arsye do të takohemi përsëri të hënën." Kjo është hera e dytë e shtyrjes së vendimit. Edhe të hënën e javës së kaluar (12.11.) ministrat e Financave dhe shefja e FMN-së, Christine Lagarde, nuk arritën përparime.

Recesioni përkeqëson aftësinë e grekëve për shlyerjen e borxheve

E kontestuar nuk është nëse duhet paguar ose jo kësti i radhës. Fjala është për vrima të reja financimi. E qartë është se Greqia gjendet në një recesion aq të thellë dhe të gjatë, sa do të ketë nevojë për më shumë kohë për të qëndruar mbi këmbët e veta. Por më shumë kohë do të thotë edhe më shumë para, të cilat duhet të vijnë gjithashtu nga kreditorët. Kjo vrimë në financim tani duhet të mbyllet. Komisioneri i BE-së për politikën monetare, Olli Rehn, ishte shprehur përpara fillimit të konsultimeve se është e rëndësishme "të eliminohen paqartësitë, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë lidhur me Greqinë dhe eurozonën, të nxiten investimet, të cilat janë të nevojshme për rritje ekonomike dhe punësim në Evropë."

Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde
Drejtoresha e FMN-së, Christine LagardeFotografi: picture-alliance/dpa

Financimi i pasigurt

Në të vërtetë nuk ekziston vetëm një, por dy vrima financimi. Njëra krijohet nëse Greqisë i jepen dy vjet kohë më shumë, pra deri në 2016, për të ulur nën 3 për qind deficitin buxhetor. Deri në vitin 2014 do të nevojiteshin më shumë se 13 miliardë euro, deri në 2016 madje 33 miliardë. Vrima e dytë do të krijohej nëse Athinës do t'i jepeshin dy vjet kohë shtesë edhe për reduktimin e totalit të borxheve. Pra nëse për reduktimin e niveli i borxhit në 120 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, do t'i jepej kohë deri në 2022 dhe jo deri në 2020, siç ishte parashikuar fillimisht.

Vendet e eurozonës do të ishin të gatshëm të bënin këtë lëshim, por shefja e FMN-së Lagarde u shpreh publikisht kundër javën e shkuar. Ajo kërkon të respektohet afati më i afërt. Ministri gjerman i Financave nuk pranoi se ekziston një konflikt: "Unë nuk kam asnjë konflikt me FMN-në. FMN ka kushtet e saj për të përcaktuar se kur Greqia është e aftë të përballojë borxhet." Por çështja nuk është kaq e thjeshtë, "ndryshe nuk do të nevojiteshin kaq shumë takime."

A duhet përsëri të paguajnë taksapaguesit?

Pyetja është gjithnjë e njëjta: nga do të vijnë paratë shtesë? Ministri francez i Financave Pierre Moscovici kishte tërhequr vëmendjen para takimit: "Të gjithë duhet të pranojnë se duhen kapërcyer kufijtë e deritanishëm." Për kufij të rreptë është e njohur për shembull ministrja austriake e Financave Maria Fekter. Por këtë herë ajo u mjaftua me një preferencë të qartë: "Nuk do të ketë para shtesë pasi do të ishte e vështirë t'ua shpjegonim taksapaguesve tanë."

Edhe qeveria gjermane do të kishte vështirësi të merrte miratimin për ndihma të reja për Greqinë. Një shkurtim i ri i borxhit grek siç kërkohet nga Lagarde nuk është aspak i pranueshëm për disa vende kreditore.

Olli Rehn, komisioneri për politikën monetare
Olli Rehn, komisioneri për politikën monetareFotografi: Reuters

Por gjendja e mjeruar e Greqisë dhe dëshira e eurogrupit për të ruajtur thuajse me çdo çmim unionin monetar mund të sjellin në fund pikërisht këtë zgjidhje. Komisioneri për politikën monetare, Olli Rehn, duket se po përpiqet t'i pregatisë ngadalë ministrat e Financave për këtë: "Vitet e ardhshme duhet të jemi të gatshëm të marrim në rast nevoje vendime të mëtejshme, për t'i krijuar Greqisë një aftësi të mjaftueshme për përballimin e borxheve." Fjali të tilla mund të jenë ndoshta më të thjeshta të thuhen nga një komisioner i BE-së, por për ministrat bëhet fjalë për çështje shumë delikate politike. Ata duan në çdo mënyrë të shmangin përshtypjen se po hidhen para publike në një pus pa fund. Nëse do të arrihet të zgjidhen deri të hënën e ardhshme çështjet e financimit, mbetet e hapur. Kjo nuk do të tematizohet në samitin e BE-së të enjten dhe të premten për kornizën financiare shumëvjeçare të BE-së. Por atmosfera negative me siguri do të ketë ndikim edhe në samit.