Ryker: Politikanët serbë duhet të distancohet nga dhuna
25 Shkurt 2008Reklamë
Pas djegies së dy pikave kufitare nga serbët protestues në veri të Kosovës, pasi Kosova shpalli pavarësinë, Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, pati deklaruar se veprimet e serbëve nuk ishin të mira, megjithatë ishin legjitime. Ky qëndrim u kritikua ashpër nga udhëheqësit në Kosovë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kërkuan nga zyrtarët serbë që të jenë të përmbajtur nga komentet, sepse ato ndikojnë keq në situatën e sigurisë në Kosovë.
Ministri Samarxhiq viziton pas deklaratës së tij Kosovën, mirëpo kësaj radhe për të përcjellë tek serbët mesazhe kundër dhunës. Kjo ishte arsyeja pse shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker, ka lejuar ardhjen në Kosovë të ministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq dhe e ka takuar atë diku në periferi të Prishtinës. "Unë ja bëra atij të qartë se mbështetja në mënyrë direkte apo indirekte e dhunës është totalisht e papranueshme. Për këtë unë ju referova pikërisht deklaratës së tij, ku ai pati thenë se djegia e dy pikave kufitare është legjitime. Unë i kërkova zotit Samarxhiq që të distancohet publikisht nga kjo deklaratë," thotë Joakim Rycker. "Unë po ashtu ja bëra të qartë ministrit Samaxhiq, se mandati ekzekutiv i UNMIK-ut, nën rezlolutën 1244, që përshin adminitratën, policinë, gjyqësinë dhe kufijtë e Kosovës duhet të respektohet", thotë Joakim Rycker.
Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, erdhi në mëngjes në Kosovë nga një pikë kufitare në lindje të vendit. Me sigurimin e tij u morrën pjesëtarët e SHPK-së, edhe gjatë vizitës që ai i bëri fshatit serb Badovci i Ri, në qendër të Kosovës.
Reklamë