1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusët tërhiqen nga gazi grek

Arne Lichtenberg14 Qershor 2013

Privatizimi i kompanisë greke të gazit, Depa që mbahej i sigurtë, tani për tani ka dështuar. Për grekët ky është një hap prapa, sepse vendi këcënohet nga një boshllëk financiar prej një miliard euro.

https://p.dw.com/p/18p7C
Koncerni grek i gazit DepaFotografi: Sakis Mitrolidis/AFP/Getty Images

A do ta blejnë apo jo rusët? Për muaj të tërë kjo pyetje nuk i linte të qetë politikanët e qeverisë greke. Shpeshherë për këtë çështje tregohej një heshtje ose një buzëqeshje para kamerave në krah të shefit të Gazprom-it, Alexei Miller. Mesazhi i Athinës ishte: Po, rusët do të marrin përsipër pjesën më të madhe të furnizuesit shtetëror të gazit, Depa dhe me këtë janë  të vetëdijshëm të investojnë në ringjalljen e ekonomisë greke. Por prej të hënës u bë e qartë që rusët nuk do ta blejnë kompaninë e gazit. Pikërisht të hënën afati që kishte vendosur qeveria greke për privatizimin e koncernit energjetik Depa skadoi pa një ofertë të koncernit rus Gazprom, duke ofruar justifikimin nga Moska se zyrtarisht „mungonte garancia shtetërore“.

 "Qeverisë i mbaron gazi“, nën këtë titull, gazeta e majtë liberale, „Zeitung der Redakteure“ ironizon dështimin aq shumë të përfolur si një privatizim i sigurtë me karakter simbolik. Edhe gazeta konservatore - liberale „Kathemerini“, e cila njihet që mban anën e kryeministrit Samaras aktualisht, shkruan për një zemërim kombëtar. “Lidhjet e ngushta të Gazpromit në Kremlin janë udhëhequr nga një sërë strategjish të gabuara", shkruan komentatorja e „Kathemerini“. Gazpromi nuk është i interesuar ti kuptojë ligjet e tregut ashtu sikurse rregullat e konkurencës të vendosura nga Komisioni i BE për atë janë të huaja, shton komentatorja. I gjithë shtypi bën fajtor rusët për dështimin e privatizimit të cilët thonë se ata kanë kërkuar shumë.
 

Një goditje për programin e privatizimit
 

Tashmë qysh në 2010, qeveria e atëhershme socialiste nën drejtimin kryeministrit Giorgos Papandreou u ofroi donatorëve një shumë prej 50 miliardë eurosh që do të dilnin nga shitja e pasurive kombëtare, por që atëhere janë shitur pak. Prej disa muajsh kryeministri konservator Samaras përforcoi shitjen e pasurive shtetëore por deri tani ka shumë pak sukses kjo nismë: Në fillim të vitit u privatizua nga një investitor i huaj një pjesë toke me pyje, det dhe një bregdet të gjatë në ishullin e Korfuzit. Shitja e lotarisë shtetërore Opap solli në kasën e shtetit 600 milionë euro. Edhe shoqëria hekurudhore, Trenose tashmë është vënë në shitje. Por privatizimi i koncernit energjetik Depa do sillte bumin e shumëpritur.

Gasprom Schriftzug in St. Petersburg
Koncerni rus i gazit, GazpromFotografi: picture alliance/R. Goldmann

"Dështimi frenoi optimizmin e investitorëve të huaj që kërkonin të jepnin në Greqi kapitalin e tyre për investime,shprehen të shqetësuar komentatori i gazetës „Kathimerini“, Nikos Xidakis. Në privatizimet e mëdha qveria greke të lë përshtypjen se duart e saj janë të lidhura, dyshon Xidakis. Ndoshta kjo qëndron tek rezistenca nga jashtë ose nga lobet e fuqishme brënda vendit. Programi i privatizimit që do të sillte në arkën e shtetit 50 miliardë euro është zvogëluar në shumë pak miliarda, madje edhe këto janë në pikëpyetje, mendon komentatori i Athinës.


 

Mbyllja e ERT - A do të sjellë para?

Shitja e kompanisë  Depa do të sillte në arkën e shtetit një miliard euro, sepse 65 % të saj i takonin shtetit grek, por dështimi i kësaj shitjeje nxorri në pah edhe pyetjen se nga do të sigurohen tani paratë. Kryeministri Samaras duket se e gjeti edhe përgjigjen. Brënda një nate dhe me një aksion të turbullt kryeministri dha urdhër për mbylljen e stacionit shtetëror ERT dhe si pasojë 2900 gazetarë, teknikë e punonjës të tjerë humbën punën e tyre.

Griechenland Generalstreik nach Schließung des staatlichen Rundfunksenders ERT
Demonstrata në Greqi për mbylljen e ERTFotografi: Reuters

Në muajt e ardhshëm, ka gjasa edhe brënda qershorit, që ERT  të zevëndësohet nga Nerit SA - një stacion shtetëror me më pak se 1000 punonjës. Por sindikatat e gazetarëve janë kundër vendimit të kryeministrit Samaras dhe kanë reaguar me greva dhe protesta të mëdha. Nga e mërkura në Greqi ka filluar një grevë e gjatë që e ka paralizuar gjithë Greqinë.