1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumania merr kredi miliardash

27 Mars 2009

FMN-ja dhe BE-ja do ta ndihmojnë Rumaninë e prekur nga kriza ekonomike me 20 miliardë euro. Pas Hungarisë dhe Letonisë, Rumania është vendi i tretë anëtar i BE-së, që merr një kredi të tillë urgjente.

https://p.dw.com/p/HKej
Banka Qëndrore në Rumani
Banka Qëndrore në RumaniFotografi: DW/Cristian Stefanescu

Pas disa vitesh rritjeje ekonomike (në vitin 2008 ishin 7 përqind) ekonomia rumune po lëkundet, papunësia po rritet, vlera e monedhës vendase (lei) po bie dhe vendi ka rënë në vendet e poshtme të listave të agjencive ndërkombëtare të vlerësimit në lidhje me bonitetin.


Me 12,9 miliardë euro FMN-ja vë në dispozicion pjesën më të madhe të paketës së ndihmave. Këto para do të shkojnë vetëm në favor të bankës rumune të emetimit për të mbështetur kursin e këmbimit të monedhës vendase dhe dhënien e kredive. BE-ja do t'i shtojë kësaj shume pesë miliardë euro, kurse pjesëm tjetër do ta vënë në dispozicion Banka Botërore dhe BERZH-i. Koha e kredisë është dy vjet. Pas bisedimeve me qeverinë rumune përfaqësuesi i FMN-së Jeffrey Franks deklaroi në Bukuresht: "Ne besojmë, se kjo paketë e akorduar për një periudhë prej 24 muajsh është kushti më i mirë për ta shoqëruar Rumaninë në këto kohë të vështira. Mbështetja ndërkombëtare dhe reformimi i njëkohshëm i atyre sektorëve ekonomikë, ku është prishur ekuilibri është shanci më i mirë për të mënjanuar pasojat më të këqija të krizës botëroe për Rumaninë."


Një vajzë duke montuar motorrin e një makine Dacia Logan në uzinën Mioveni, Rumani
Një vajzë duke montuar motorrin e një makine Dacia Logan në uzinën Mioveni, RumaniFotografi: AÖ

Kreditë janë të lidhura me kushte shumë të forta. Përfaqësuesi i FMN-së tha se Rumania duhet të bëjë transparente shpenzimet e saj publike dhe të reduktojë deficitin buchetor. Brukseli kërkon, që deficiti i këtij viti të mos e kalojë 5,1 përqindshin dhe në vitin 2012 të bjerë sërish nën kufirin e 3 përqindshit. Me kërkesën për një reformë gjithëpërfshirëse të shpenzimeve publike, FMN-ja po përdor tone të ngjashme më ato të Presidentit rumun, Traian Băsescu. Në vitin 2008 ai pati kërkuar barazimin e rrogave në sektorin publik për të mënjanuar në këtë mënyrë dallimet e mëdha të rrogave në ministritë e ndryshme.


Përfaqësuesi i FMN-së shkoi madje një hap më tej, duke kritikuar sistemin e komlikuar të shpërblimeve dhe pagesave shtesë në sektorin publik ,gjë që në tri vitet e fundit ka çuar praktikisht në dyfishimin e rrogave. Ai kërkoi gjithashtu dhe një reformim themelor të sistemit të pensioneve, i cili në formën e tij aktuale përbën rrezik për buxhetin.

Autor: Horatiu Pepine / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama