Kroatien EU
8 Dhjetor 2011Në nëntor 2000 Kroacia nisi negociatat me BE për një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asociimi me BE-në. Kjo ishte lidhja e parë kontraktore e Kroacisë me BE-në. Në marrëveshje, të dyja palët ranë dakord për rregulla për një dialog të ardhshëm politik, u përcaktuan marrëdhëniet tregtare dhe prej Kroacisë u kërkua që ta përshtasë legjislacionin e saj nacional me standardet evropiane. Njëkohësisht, prej Zagrebit u kërkua që të angazhohet në mënyrë më intensive për dialogun rajonal dhe që të intensifikojë bashkëpunimin me fqinjët. E gjithë kjo u mbikqyr në të ashtuquajturin Këshill të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit. Në krahasim me marrëveshjet e mëparshme evropiane që BE-ja i vendosi në atë kohë me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, marrëveshjet me Kroacinë shkuan edhe më tepër në thellësi dhe ishin shumë më të detajuara.
Grindje kufitare midis fqinjsh
Lutjen zyrtare për anëtarësim në BE, Kroacia e paraqiti në kohën e qeverisë së socialdemokratit, Ivica Racan, në mars 2003. Një gjysmë viti më vonë, Komisioni ia dha formularin Kroacisë. Kroacia e plotësoi formularin në më pak se tre muaj. Në mars 2004, Komisioni bëri të ditur opinionin e tij dhe rekomandimin për statusin e kandidatit për Kroacinë dhe dy muaj më vonë, në takimin e nivelit të lartë të BE-së në korrik, Këshilli i BE-së konfirmoi statusin e kandidatit të Kroacisë.
Nisja e negociatave të anëtarësimit u shty pastaj me një gjysmë viti, meqenëse disa shtete anëtare ishin të mendimit se Kroacia nuk bashkëpunon sa duhet me Tribunalin e Hagës për Krime lufte. Prandaj negociatat nisën vetëm në tetor 2005, njëkohësisht me negociatat e anëtarësimit midis BE-së dhe Turqisë.
Konferenca e parë u zhvillua në 28 tetor 2005 dhe negociatat përfunduan me kapitullin e fundit prej gjithsej 35 kapituj, në 30 qershor 2011. Kështu, negociatat me Kroacinë zgjatën gati gjashtë vjet, gjë që është një mjet i mirë në krahasim me negociatat e mëparshme. Në negociata Kroacia u pengua për gati një vit nga bllokada sllovene. Shkaku ishte kufiri i pasqaruar detar midis Sllovenisë dhe Kroacisë në Adriatik. Zgjidhja mori fund me një marrëveshje midis Zagrebit dhe Ljubljanës, të cilët ranë dakord që vendimin t'ia përcjellin një gjykate arbitrazhi - vendimi pritet muajt e ardhshëm.
Autor: Alen Legovic/ Auron Dodi
Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora