1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë: "Rritet skepticizmi ndaj Evropës"

11 Shtator 2012

Hollandezët e përshëndetin rreptësinë financiare të Merkelit, por nuk janë dakord me politikën e saj ndaj Evropës, thotë kryeredaktori i gazetës de Volkskrant Philippe Remarque në bisedë me DW.

https://p.dw.com/p/166RH
Fushata elektorale në Hollandë
Fotografi: DW/Bosen

Më 12 shtator Hollanda zgjedh një parlament të ri. Në prill të këtij viti, qeveria Mes-I Djathtë u shpërbë pas largimit të partisë "Partia për Lirinë" të populistit të djathtë, Geert Wilders. Wildersi u largua nga qeveria si protestë për programin e rreptë të kursimit.

Deutsche Welle: Zoti Remarque, e gjithë Evropa vuan nën krizën e euros. Sa e ka ndikuar kjo fushatën elektorale në Hollandë?

Philippe Remarque: Ka dy parti populiste që e shfrytëzojnë eurokrizën për të krijuar profilin e tyre. Njëra është Partia për Lirinë, nën populistin e djathtë Geert Wilders. Ai kërkon daljen e Hollandës nga BE dhe kërkon të kthejë Guldenin, monedhën tonë kombëtare. Partia e Dytë është Partia Socialiste, e krahasueshme me partinë E Majta në Gjermani.

Deutsche Welle: Po partitë e tjera? Rrinë të tërhequra apo e shajnë edhe ato BE?

Philippe Remarque: Në debate publike atyre natyrisht që u duhet të thonë se kthimi tek Guldeni do të ishte i tmerrshëm, se do të kushtonte vende pune dhe do të vinte në rrezik pensionet tona. Kështu shprehet edhe kryeministri Rutte, kryetari i partisë më të madhe, partisë liberale VVD. Por edhe ai përpiqet ta shfrytëzojë për të fituar pikë eurokrizën.

Deutsche Welle: Meqenëse kriza e euros është temë e fushatës elektorale do të thotë se politika e sheh këtë si zërin e popullit dhe se kjo tendencë euroskeptike do të zgjasë mjaft.

Philippe Remarque: Po. Më parë, së bashku me Gjermaninë ne kemi qenë si të thuash evropianët më të mirë të klasës. Për shkak të eurokrizës kjo ka ndryshuar. Shumë njerëz thonë- ndoshta njësoj si në Gjermani- se grekët vërtet që i marrin paratë tona, por nuk bëjnë sa duhet për t'i zgjidhur problemet e tyre. Kritikë të tjerë thonë: ne nuk duhet ta kishim futur kurrë euron si monedhë të përbashkët, elita proevropiane na ndikoi, pa na informuar sa duhet. Kjo pakënaqësi, e cila pjesërisht është e justifikuar, sjell skepticizëm të madh. Është domethënëse që Wildersi nuk thotë në fushatën elektorale gati asgjë për temat e tij të mëdha politikën ndaj të huajve dhe fenë islame, por është përqendruar tek kriza e euros dhe tek dalja nga BE.

Deutsche Welle: Kancelarja gjermane, Angela Merkel luan një rol të rëndësishëm në krizën e euros. Si e vlerësojnë hollandezët politikën e saj ndaj Evropës?

Philippe Remarque: Nga njëra anë hollandezët ndihen shumë të qetë, që Merkeli ekziston, sepse ajo ngul këmbë që vendet e Evropës Jugore të bëhen pak më gjermane në mbajtjen e llogarive dhe në organizimin ekonomik. Ne hollandezët kemi përfytyrime të ngjashme si kancelarja dhe ndihemi pak gjermanë në këtë debat. Nga ana tjetër, ajo, si e gjithë elita politike evropiane - kërkon ta shtyjë përpara bashkimin politik të Evropës. Një bashkim i tillë ne na frikëson pak. Shumë komentatorë dhe intelektualë i japin të drejtë Merkelit, sepse një bashkim politik do të ishte më e mira në këtë situatë. Por njerëzit këtu ndiejnë ndryshe. Ata i shqetëson humbja e sovranitetit. Hollandezët tani janë kritikë ndaj gjithë proevropianëve. Por nuk ka një frymë antigjermane. Askush nuk thotë që gjermanët duan të na futin në një bashkim që nuk e duam. Këtu polemizohet vetëm me Brukselin si koncept dhe kurrë me Berlinin.

Philippe Remarque është prej vitit 2010 kryeredaktor i së përditshmes që del në Amsterdam de Volkskrant ("Gazeta e Popullit").

Intervistoi: Ralf Bosen

Redaktoi: Auron Dodi