1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rrezik abstrakt

Arrestohen dy të dyshuar për terrorizëm në aeroportin e Këln/Bonit

default

Pamje nga aeroporti Këln/Bon.

Policia arrestoi sot më mëngjes në aeroportin e Këlnit pak para nisjes për në Amsterdam dy persona të dyshuar për terrorizëm me prejardhje nga Somalia. Sipas njohurive të organeve, dy burrat donin të vdisnin si atentatorë vetëvrasës në të ashtuquajturën Luftë të Shenjtë, Xhihad.

Kapja u bë të premten në mëngjes pak para orës shtatë. Dy personat e dyshuar për terrorizëm kishin zënë tashmë vend në avionin 1.804 të linjës ajrore KLM për në Amsterdam kur goditi policia. Nuk ishte një marrje me sulm nëpërmjet një komandoje speciale, siç u tha në njoftimet e para, por një kapje e qetë dhe e synuar, për shkaqe sigurie me sa duket e realizuar qëllimisht në këtë orë në sallat e kontrollit të mbushura plot me njerëz.


"Të dy burrat ishin të paarmatosur dhe nuk bënë rezistencë", tha një zëdhënës i aeroportit Këln/Bon. Megjithatë tek shumica e udhëtarëve kjo ditë la një ndjenjë të pakëndshme.


"Shpresoj, që mos na lindin probleme. Dëgjuam për këtë në tren. Jemi të gëzuar që po shkojmë në destinacionin tonë dhe shpresoj që të mos na prekë e keqja."


"Besoj që i sheh më me vëmendje njerëzit që hipin në avion. Me siguri që do ta bëjmë, por shpresoj që organet ta kenë gjendjen nën kontroll."


Dy të dyshuarit për terrorizëm janë një somalez 23 vjeçar dhe 24 vjeçari Omar D., i lindur në Somali dhe në zotërim të pasaportës gjermane. Të dy banojnë në landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë dhe me sa duket vëzhgoheshin prej kohësh nga policia dhe nga sigurimi i shtetit. Të paktën njëri prej tyre ishte nga Boni. Frank Scheulen, zëdhënësi i entit të kriminalistikës të landit, deklaroi:


"Të dy personat dyshohet se duan të marrin pjesë në Xhihad dhe në atentate të mundshme. Enti i kriminalistikës e Renanisë Veriore - Vestfalisë është ngarkuar me hetimet dhe po merr masat e nevojshme. Për momentin nuk mund të japim informacione të mëtejshme."


Gjatë kontrolleve të banesave u gjetën letra lamtumire. Për policinë edhe ky një tregues që dy të arrestuarit po përgatisnin atentate terroriste. Se si ra policia në gjurmët e të dyshuarve, cili ishte destinacioni, çfarë planesh konkrete për atentate kishte, për të gjitha këto organet nuk kanë dashur të shprehen deri tani për arsye të taktikës në hetime. Përsëri zëdhënësi i entit të kriminalistikës të landit:


"Mund të themi vetëm kaq, që avioni gjendej rrugës për në Amsterdam. Në lidhje me planet e mëtejshme të udhëtimit, planet e personave dhe për sfondin nuk mund të japim informacione në këtë çast."


Me siguri që Amsterdami nuk ka qenë stacioni i fundit. Nga burime të ndryshme mësohet se dy të arrestuarit kanë dashur të mbërrijnë në një kamp stërvitjeje të Bashkimit islamik të Xhihadit në Pakistan nëpërmjet Ugandës. Nëse këtu bëhet fjalë për hamnedje apo për njohuri të sakta, kjo është e paqartë aktualisht.


Sipas prokurorisë federale, arrestimi i së premtes nuk ka lidhje me dy islamistët e supozuar, të shpallur në kërkim të enjten. Sipas saj, dy të dyshuarit për terrorizëm nuk kanë lidhje as me të ashtuquajturës "Celulë të Zauerlandit". Ministri i brendshëm i Renanisë Veriore - Vestfalisë Ingo Wolf e lavdëroi aksionin e policisë. Ai nuk sheh një kërcënim terrorist konkret për momentin:


"E rëndësishme është që ndërhymë në kohën e duhur, që në një moment i përjashtuam rrezikimet. Kemi një rrezik abstrakt, sigurisht që jemi edhe në zonën e rrezikimit prej terrorizmit ndërkombëtar, por nuk ka pasur dhe nuk ka bazë konkrete për rrezikim."

  • Data 26.09.2008
  • Autor Stefan Lauscher
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPoy
  • Data 26.09.2008
  • Autor Stefan Lauscher
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPoy