1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rregulla të rrepta, por të drejta - Otto Schily angazhohet për lëvizjen e lirë të Kosovarëve në Evropë

22 Gusht 2009

Schily është njëri nga nënshkruesit e apelit që iniciativa e të ashtuquajturës 'Listë e Bardhë Schengen' i pat dërguar Komisionit Evropian për ta inkuadruar edhe Kosovën në planin e liberalizimit të vizave

https://p.dw.com/p/JGL9
Ish-ministri i Brendshëm gjerman, Otto Schily
Ish-ministri i Brendshëm gjerman, Otto SchilyFotografi: AP

Ftesa për të marrë pjesë në një aksion të tillë, Schily-t i erdhi nga ish-homologu italian, Giuliano Amato. Nisma e këtij të fundit për Listën e Bardhë Schengen, mbështet procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Iniciativa është private dhe implementohet nga Nisma Evropiane për Integrim dhe financohet kryesisht nga Fondacioni gjerman Robert Bosch. “Parimi ynë është i qartë: Rregulla të rrepta, por të drejta. Nga njëra anë, vendet që duan të hyjnë në Schengen, duhet të plotësojnë rregullat që ka vendosur Komisioni Evropian, pra sigurinë e dokumentacionit, kontrollet kufitare etj., nga ana tjetër, ata duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, thotë Otto Schily në një intervistë për Deutsche Wellen në shqip.

Schily: Rasti i Kosovës është pak i veçantë

E pikërisht, kjo barazi mungon në rastin e Kosovës. Para disa javësh (15 korrik) Bashkimi Evropian i kaloi Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, në të ashtuquajturën Listë të Bardhë Schengen, një etapë kjo e rëndësishme drejt heqjes së regjimit të vizave. Bosnja dhe Shqipëria nuk i kishin përmbushur ende standardet e duhura, por shpresohet që brenda një viti të arrijnë në këtë nivel. I vetmi vend që ka mbetur pa një itinerar reformash për liberalizimin e vizave është Kosova. “Rasti i Kosovës është pak i veçantë, por ne duhet të punojmë që ajo të mos mbetet jashtë. Kjo do të ishte shumë e dëmshme,” thotë Schily më tej. Fundja, hartimi i një itinerari reformash për Kosovën (Road Map) nuk bën gjë tjetër, ashtu si edhe për të gjitha vendet e Ballkanit, “veçse i shndërron ato nga vende që konsumojnë siguri, në vende që prodhojnë siguri,” argumenton ish-ministri i Brendshëm

Kosova mos të mbetet në mes të rrugës

Nisma për Listën e Bardhë Schengen i pat dërguar një apel Komisionit të BE-së, ku ndër të tjerash kërkohej edhe heqja e diskriminimit (pozitiv) për qytetarët serbë të Kosovës, të cilët gjithashtu do të kenë të drejtë të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Kjo mund të bëjë, që edhe shumë shqiptarë të Kosovës të detyrohen të marrin pasaporta serbe, që të lëvizin të lirshëm nëpër Evropë. Schily është i mendimit se komisioni në këtë pikë duhet të gjejë një zgjidhje më të mençur, ku Kosova të mos mbetet në mes të rrugës.

Otto Schily, ka qenë ministër i Brendshëm i Gjermanisë në periudhën e qeverisjes së socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Ai është deputeti më i moshuar i parlamentit gjerman dhe me një karrierë shumë interesante politike: Në vitet 70-të ka qenë avokat mbrojtës në proceset kundër terroristëve të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF), në vitet 80-të anëtar aktiv i “Të Gjelbërve”, në vitet 90-të bëhet anëtar i socialdemokratëve. Politika e tij si ministër i brendshëm ka qenë gjithmonë në shënjestër të kritikës sidomos të partive të majta, ndër të tjera edhe për politikën e mos rregullimit të lejes së qëndrimit për shumë ish-refugjatë nga Kosova.

Qeveria e Kosovës duhet të krijojë kushtet për pakicat

Schily në këtë pikë as sot nuk ka ndryshuar mendim: Rregullat duhen zbatuar: Kush nuk ka të drejtën e qëndrimit, duhet të kthehet në atdhe. E njëjta gjë vlen sot edhe për romët e Kosovës që janë në Gjermani. “Përse duhet t'i strehojmë ne, kur ata e kanë vendin në Kosovë? Unë apeloj tek qeveria kosovare, që të krijojë kushtet për ta. Mbrojtja e pakicave, përfshirë këtu edhe ato serbe, është një nga kushtet bazë për lehtësimin e regjimit të vizave. Po qe se shqiptarët do të bënin “spastrim etnik” në drejtimin e kundërt, atëherë kjo do të ishte shkatërruese për procesin e integrimit në Evropë, dhe unë nuk do të doja ta mbështesja.”

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Esat Ahmeti