1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romney lufton për mbështetjen e bazës republikane

Christina Bergmann / Esat Ahmeti27 Gusht 2012

Republikani Mitt Romney mund t'i gëzohet nominimit të tij për kandidat presidencial por për të marrë mbështetjen e plotë të bazës së partisë ai duhet të luftojë ende.

https://p.dw.com/p/15xJo
Fotografi: dapd

Mitt Romney përpiqet që të duket sa më i shpenguar. Me mëngët e këmishës të përveshura lart, me jakë të hapur, ai kërkon vota në Mançester, në shtetin federal të Nju Hempshir. Një përkrahës i Romney-t dëshiron të dijë nëse ka ardhur koha që Rezerva Federale, Banka Qendrore e Amerikës të kontrollohet më fort. Por, para se njeriu të ketë bërë pyetjen e tij, Mitt Romney-t i duhet shpejt të tregojë edhe një anekdotë.

Gjatë një tubimi në Akademinë Ushtarake në Charleston, Karolinën Jugore, tregon kandidati republikan për postin e presidentit, ai u përpoq pa sukses për të bërë për të qeshur kadetët. Por pastaj një kadet i ri e pyet atë se çfarë mendon ai për kalimin e një basketbollisti të famshëm nga klubi i "Boston Red Sox" tek "New York Yankees". Dhe këtu, - vazhdon Romney me një shndritje në fytyrë, - ai më në fund arriti të thyejë akullin: "Ne të gjithë i urrejmë Yankees". Burri që ka bërë pyetjen në Mançester tund kokën i shtangur. Ai ka të veshur një fanellë me logon e "New York Yankees".

Minuset e Romneyt

Situata të tilla si kjo janë ato që e dobësojnë dukshëm Romney-n. Ai konsiderohet si mëngjarash dhe mendjemadh, njeri që nuk mund të vendosë lidhje me votuesit. Ekziston një bindje e përgjithshme se ai e ka shumë të vështirë të kuptojë problemet e njerëzve me paga mesatare. Rezultatet e anketave të fundit tregojnë rënie, presidenti Obama është më i besueshëm për të kuptuar sfidat e përditshme të amerikanëve. Dhe 70 për qind e të anketuarve në një sondazh të zhvilluar nga USA Today / Gallup e preferojnë Obamën, vetëm 30 për qind Romney-n.

Jo të gjithë republikanët janë kaq të bindur nga Mitt Romney
Jo të gjithë republikanët janë kaq të bindur nga Mitt RomneyFotografi: dapd

Konsulent i suksesshëm i ndërmarrjeve

Por Romney mund të mbledhë pikë në një fushë tjetër. "Unë kam fituar përvojë në jetën e vërtetë", thotë ai, "në ekonominë private. Unë e di se si themelohen bizneset dhe si ato e ndryshojnë jetën e njerëzve, nëse ato janë të suksesshme dhe nëse nganjëherë nuk janë të suksesshme dhe pse ne po i humbasim vendet e punës". Pas studimeve në Universitetin e Harvardit dhe diplomimit në ekonomi dhe juridik, Romney filloi në vitin 1978 karrierën e tij në firmën për konsulencë të Bostonit, Bain & Co, ku ai arriti të ngjitet deri në postin e zëvendëspresidentit. Në vitin 1984 ai u bë partner themelues i Bain Capital, një kompani investimi që blente firmat e goditura nga kriza, i ristrukturonte ato dhe i shiste me fitim.

Më shumë se 100.000 vende pune, mburret Romney, ka krijuar Bain Capital. Por Romney gjithashtu fitonte, kur një kompani goditej, shitej dhe punëtorët pushoheshin nga puna. Në këtë mënyrë ekipi elektoral i presidentit Obama përpiqet që Romney-n ta portretizojë si një shkatërrues të pashpirt të vendeve të punës, i cili paguan për fitimet e tij më pak taksa se sa një amerikan mesatar. "Asnjëherë nuk kam paguar më pak se 13 për qind në 10 vitet e fundit", mbrohet Romney. Megjithatë kjo deklaratë e tij nuk mund të verifikohet pasi ai ka publikuar deri tani vetëm deklaratën e taksave për vitin 2010. Shkalla maksimale e tatimit mbi të ardhurat është 35 për qind.

Barack Obama dhe Mitt Romney
Barack Obama dhe Mitt RomneyFotografi: AP

Besimtari mormon

Në deklaratën e Romney për vitin 2010 mund të lexohet se të ardhurat e tij arritën në 21,6 milionë dollarë, kryesisht nga të ardhurat e investimeve, me çka shpjegohet shkalla e ulët e tatimit mbi të ardhurat. Në të njëjtën kohë ai ka dhuruar gati tre milion dollarë për bamirësi - gjysmën e tyre për “Kishën e Shenjtorëve të Jezu Krishtit të Ditëve të Fundit” (The Church of Jesus Christ of Latter Day Saints). Kjo për shkak se Romney është mormon - një fakt që shihet me skepticizëm dhe ndesh në refuzim tek republikanët e krishterë konservatorë.

Prandaj për një kohë të gjatë Romney i është shmangur përmendjes së besimit të tij, gjithmonë kur kishte mundësinë ta bënte një gjë të tillë. Vetëm kohët e fundit ai ka filluar të flasë hapur për këtë çështje. Ai i ftoi gazetarët që ta shoqëronin atë për një vizitë në kishë, dhe në kongresin e partisë në Tampa, Florida, një mormon do t'i prijë meshës në ditën e emërimit të tij. Romney do të ishte kështu i pari president amerikan i besimit mormon.

Ai do të ishte edhe presidenti i parë amerikan i cili flet frëngjisht - dhe kjo nuk është krejt e pavlerë për të. Por është traditë e mormonëve të rritur që të shkojnë me mision jashtë vendit. Romney ka kaluar dy vite në Francë. Por detaje të tjera të biografisë së tij i shkaktojnë atij probleme: Romney tregon me kënaqësi se si ka qenë ai që i ka shpëtuar nga dështimi Lojërat Olimpike në Salt Lake City dhe si guvernator i Masaçusetsit ka reduktuar deficitin buxhetor. Megjithatë, ai e ka të vështirë për të shpjeguar se pse është kundër reformës së sektorit shëndetësor të Presidentit Obama, edhe pse ai vetë në vitin 2006 me organizimin e një feste të madhe ka nënshkruar në vitin 2006 reformën në Massachusetts.