1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Roli i ri i Egjiptit

Katër vjet pas rrëzimit të Mubarakut, Egjipti është përsëri në skenën e politikës së jashtme. Duke patur parasysh krizat dhe kërcënimet në Lindjen e Mesme Egjiptit po vlerësohet përsëri, nga Perëndimi dhe bota arabe.

Embargoja është hequr. Që tani SHBA mbështesin përsëri ushtrinë egjiptiane. Aeroplanë luftarakë të tipit F-16, raketa Haarpon, pajisje tankesh. Me të gjitha këto mund të furnizohet përsëri Egjipti.

Këto presidenti amerikan Obama ia bëri të ditur më 31 mars homologut të tij egjiptian Abd al-Fattah Hussein Said Khalil al-Sisi. Ai i premtoi atij po ashtu se do të vazhdojë ta mbështesë më një ndihmë ushtarake vjetore në vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh.

Me telefonatën e tyre të dy kryetarët e shteteve shprehën dëshirën për t'i dhënë nxitje marrëdhënieve të ftohura mes dy vendeve dhë për t'u kthyer në ato kohë, kur Egjipti së bashku me Arabinë Saudite ishin aleatët më të rëndësishëm të SHBA në Lindjen e Mesme.

Kjo pati ndryshuar përkohësisht pas rrëzimit të ish presidentit Mohammed Mursi në korrik 2013. SHBA e patën ndërprerë ndihmën dhe bashkëpunimin me ushtrinë egjiptiane. Sepse Uashingtoni e vlerësonte largimin e detyruar të presidentit në kundërshtim me rregullat e demokracisë.

SHBA rishikojnë strategjinë

Pasi Obama në fjalimin e tij të famshëm në Kajro 2009 foli për një zhvillim demokratik në Lindjen e Mesme, SHBA u detyruan, që për hir të kredibilitetit të tyre të distancoheshin nga gjeneralët në Kajro.

të preferuar nga ushtria egjiptiane, avionët luftarakë F-16

Të preferuar nga ushtria egjiptiane, avionët luftarakë F-16

Presidenti al-Sisi u kritikua shumë nga organizata e të drejtave të njeriut si Amnesty International dhe Reporterë pa Kufi për qëndrimin e tij të ashpër kundër kundërshtarëve dhe kritikëve . Por gjendja e paqëndrueshme, që sundon në Lindjen e Mesme që nga pranvera arabe, ndikoi që SHBA dhe vende të tjera t'i bëjnë një vlerësim të ri politik rajonit.

Në historinë e re arabe nuk kemi parë kurrë një nivel i tillë konfliktesh në botën arabe, madje edhe brenda shteteve të veçanta arabe, siç është sot", shkruan gazeta Al-Arabi al-jadid. "Kjo e ka ulur aq shumë ndikimin tonë ndërkombëtar, saqë disa prej vendeve tona cilësohen tani si" shtete të dështuara."

Partner i kërkuar

Egjipti është ndër të paktat vende politikisht të qëndrueshme në rajon. Për shkak të afërsisë, apo të fqinjësisë direkte me shteteve të dështuara, si Libia, Siria dhe Iraku i drobitur nga terrori, vlera e tij si partner strategjik rritet. Dhe jo vetëm për SHBA, por edhe për Arabinë Saudite.

Sepse mbretërisë, e cila përballet me rivalin e betuar Iranin, i duhen partnerë. Se sa e tensionuar është momentalisht marrëdhënia, reflektohet në rradhë të parë në konfliktin e Jemenit.

Irani ka kritikuar ashpër sulmet e aleancës së udhëhequr nga Arabia Saudite ndaj pozicioneve të kryengritësve huti. "Nëse Arabia Saudite dhe aleatët e saj - ndër ta Egjipti, Jordania, Kuvajti dhe Bahreini - vazhdojnë të jenë po aq agresiv kundër Jemenit duke e vënë nën presion revolucionin jemenit, Irani do të dërgojë këshilltarë ushtarakë në vend, siç ka bërë tashmë në Siri dhe Irak", deklaroi javën e kaluar Kanani Moghadam, ish-komandant i Gardave Revolucionare.

Kërcënim për të gjithë botën arabe: Shteti Islamik

Kërcënim për të gjithë botën arabe: "Shteti Islamik"

Duke patur parasysh tensione të tilla Riadi është i kënaqur të ketë përsëri në krah një partner të fortë si Egjipti. Zyrtarët sauditë e mbështetën fillimisht qeverinë al-Sisi dhe jo vetëm për arsye të politikës së jashtme.

Riadi i frikësohet islamit socialrevolucionar

Në Riad Vëllazëria Myslimane është konsideruar si një variant potencialisht i rrezikshëm i një islami socialrevolucionar. Ata kanë frikë se shkëndija e tij mund të përfshijë edhe Gadishullin Arabik.

Përveç kësaj Riadi mirëpret faktin që qeveria e al-Sisi vepron me vendosmëri kundër Hamasit palestinez, një degë e Vëllazërisë Myslimane dhe e ndalon kontrabandën në kufirin me Rripin e Gazës.

Sfida xhihadizmi

Prandaj pak pas rrëzimit të Mursi-t Arabia Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit e ndihmuan Egjiptin me disa miliardë dollarë amerikanë. Në mars të këtij viti Arabia Saudite, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftuan se do t'i japin shtetit buzë Nilit edhe 12 miliardë dollarë ndihma të tjera.

Këtë ndihmë populli egjiptian "nuk do ta harrojë kurrë", tha al-Sisi gjatë vizitës së tij në Riad, në fund të shkurtit 2015. Si për shtetet e Gjirit edhe për Egjiptin xhihadizmi është një sfidë.

Xhihadistët sunitë në gadishullin e Sinait i shpallën besnikërinë e tyre organizatës terroriste "Shtet Islamik". Në të njëjtën kohë Kairo ndjehet i kërcënuar nga situata kaotike në Libinë fqinje. Terroristët e IS ekzekutuan brutalisht në shkurt 21 punëtorë emigrantë koptë.

Katër vjet pas rrëzimit të Mubarakut Egjipti kthehet përsëri në skenën e politikës së jashtme. Ushtarakisht i pajisur mirë kundër sfidave. E hapur mbetet pyetja, se çfarë zgjidhjesh politike do të gjenden.